Safer Internet Day, një botë më e mirë për të rinjtë online

12/02/2018 11:19 AM 0 komente

Interneti ishte një nga shpikjet më të mëdha të shekullit të 20, duke ofruar një enciklopedi informacioni në një klik. Por shqetësimet rreth sigurisë, veçanërisht tek fëmijët, vijojnë. Safer Internet Day synon të promovojë përdorimin e sigurt dhe pozitiv të teknologjisë dixhitale për fëmijët dhe të rinjtë.

Sipas UNICEF, çdo ditë, më shumë se 175.000 fëmijë lidhen me internetin për herë të parë – një fëmijë çdo gjysmë sekonde; një përdorues në tre në botë është fëmijë; të rinjtë përfaqësojnë grupmoshën që përdorin më shumë internetin. Në botë, 71% e tyre janë online, krahasuar me 48% të popullsisë së përgjithshme.

Disa të dhëna

-Të rinjtë afrikanë janë ata që e përdorin më pak internetin, me rreth 3 të rinj në 5 offline, krahasuar me vetëm 1 në 25 të rinj në Europë.

-92% e të gjithë URL-ve që lidhen me abuzimin seksual te të miturit, të identifikuara në nivel botëror nga Internet Watch Foundation janë lokalizuar në pesë vende: Kanada, Francë, Holandë, Rusi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

-Disa adoleshentë dërgojnë 4000 mesazhe në muaj, ose ndryshe një në gjashtë minuta.

-Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 92% e adoleshentëve mes 14 – 17 vjeç është online çdo ditë. Pajisjet teknologjike, veçanërisht smartphone-t – 73% e të rinjve në këtë grupmoshë e ka një të tillë – sigurojnë që të jesh online “thuajse në çdo moment”. Situata në Europë është e ngjashme.

Sipas një studimi të fundit të Kaspersky Lab, pjesa më e madhe e personave të intervistuar (93%) publikojnë informacione personale online dhe nga këta, 70% ndajnë foto dhe video të fëmijëve të tyre. Ajo çfarë është shqetësuese është se thuajse gjysma e përdoruesve (44%) nuk e merr në konsideratë faktin se informacionet personale që publikojnë në internet, pasi bëhen publike, mund të dalin nga kontrolli i atyre që i posedojnë.

Një në pesë persona pranon se ndan të dhëna personale me persona, të cilët nuk i njohin mirë apo të huaj, duke zvogëluar në këtë mënyrë mundësinë për të kontrolluar përdorimin e tyre në të ardhmen. Microsoft publikoi rezultatet e Digital Civility Index për vitin 2017, një kërkim që analizon sjelljet dhe perceptimet e adoleshentëve (13-17 vjeç) dhe të rriture (18 -74 vjeç) krahasuar me edukimin qytetar dixhital dhe sigurinë online në 23 vende.

Më në detaje:

63% e të intervistuarve thotë se ka qenë viktimë e të paktën një prej rreziqeve kryesore online, në veçanti nga kontakte të padëshiruara (45%), fake news e mashtrime (28%). Përqindja rritet në 81%, nëse përfshihen edhe përvojat e miqve dhe familjarëve. Duhet shumë pak për të kaluar nga rreziku virtual te rreziku real: 40% e të intervistuarve e ka takuar personalisht autorin e kërcënimit dhe në 38% të rasteve, kërcënimet janë kryer nga familjarët, miqtë apo të njohur (+2% krahasuar me mesataren globale).

53% e të intervistuarve pranuan se kanë rënë pre e ngacmimeve. Studimi përkufizon ngacmime kontakte të padëshiruara, kërcënimet me përmbajtje erotike, ngacmime online, bullizmin online.

Gratë raportojnë nivele më të mëdha ngacmimesh se sa meshkujt. Të rriturit pranojnë se janë objekt ngacmimesh më shumë sesa adoleshentët.

Rregulla të thjeshta që mund të ndiqni

1-Instaloni një antivirus.

2-Përdorni një VPN – VPN do të thotë Virtual Private Network (rrjet privat virtual), i cili është bërë një instrument i nevojshëm po aq sa edhe
antivirusi.

3-Ndryshoni rregullisht fjalëkalimin. Ideale do të ishte një fjalëkalim i ndryshëm për çdo account.

4-Mbani të azhurnuar pajisjen tuaj. Ky është një veprim i rëndësishëm kur flitet për sigurinë tuaj online. Çdo pajisje teknologjike përmban një gamë
të gjerë aplikacionesh që kërkojnë azhurnime të shumta.

5-Bëni kujdes me informacionet personale që ndani në rrjetet sociale

6-Blini online vetëm në faqe të sigurta

7-Mos bëni pagesa online kur lidheni me Wi-Fi publik, vetëm në rastin se është e nevojshme.

8-Mos pranoni kërkesa për miqësi në Facebook apo ftesa në LinkedIn nga njerëz të cilët nuk i njihni.

Qëllimi i Safer Internet Day

Qëllimi i Safer Internet Day (më 6 Shkurt) është të nxisë përdorimin e sigurt dhe pozitiv të teknologjisë dixhitale për fëmijët dhe të rinjtë. Këtë vit, slogani i saj ishte “Create, connect and share respect: A better internet starts with you.”. Kjo ditë udhëhiqet nga tre organizata bamirëse – Childnet, South West Grid for Learning dhe Internet Watch Foundation. Ajo u bën thirrje të rinjve, prindërve të tyre, mësuesve, punonjësve socialë, policisë dhe kompanive teknologjike të bëhen bashkë dhe të krijojnë një botë më të sigurt.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz