Në datat 5, 6, 7 Maj 2016, Expo City Albania hap dyert përsëri me panairin e radhës “Safety & Security Expo 2016”.
Ky panair është i pari në vendin tonë në këtë fushë dhe ka për qëllim komunikimin dhe informimin e tregut për shërbimet që kompanitë e sigurimit ofrojnë. Pjesëmarrësit janë të shumtë, duke filluar me investitorët më të mëdhenj si: TISPARK dhe partneri EMS Technology (Emergency Medical Service) si dhe kompanitë më prestigjoze si: Pelikan, Alfleksim, Atlantik, Ensig, etj.
Në mbarë botën, panairet janë parë si një formë promovimi të produkteve apo shërbimeve nga kompani që prezantohen për herë të parë ose promovojnë një shërbim apo produkt për herë të parë në tregun botëror.
Përjashtim, nuk bën as Shqipëria. Ndonëse me hapa të ngadaltë, tashmë ka nisur të kthejë sytë nga panairet për t’u përqasur tregut në nivel vendas, edhe atij ndërkombëtar.
Në këtë mënyrë, Expocity Albania po e përgatit këtë treg për të realizuar dhe për të prezantuar segmente të ndryshme të ekonomisë në hapësirat e saj, duke nxjerrë kështu në pah domosdoshmëritë e tregut, por edhe mungesat e tij.
Një segment tregu që asnjëherë nuk gjen mundësi dhe hapësirë për reklamim është ai i sigurisë dhe teknologjisë së dedikuar për këtë funksion.
Për këtë arsye, organizatorët e Expocity kanë zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, Panairin Safety & Security i cili, i dedikohet jo vetëm sigurisë: asaj në punë, shtëpi, shkollë, sigurisë ndaj zjarreve, por edhe ndaj asaj kibernetike.
Panairi synon që të ketë një formë jo vetëm ekspozimi, por dhe shkëmbimi eksperiencash, e arritur kjo përmes seminareve, konferencave, si dhe workshop-eve gjatë 3 ditëve të hapur.
Ekspozues të shumtë do të paraqesin teknologjitë e fundit, pajisjet dhe shërbimet në fushën e mbrojtjes personale, sigurisë publike e zjarrit dhe sigurinë në fushën e ndërtimit.
Panairi ofron zgjidhje të plotë për jetën në qytet, pasuritë e paluajtshme, zhvillimet në infrastrukturë, menaxhimin e pronës dhe të sigurisë së brendshme.
Si një panair i organizuar për herë të parë në këtë fushë, sjell shumë avantazhe për të gjithë ekspozitorët. Avantazhe si: zgjerim në rrjetin e tyre të biznesit që mund t’i çojë te bizneset referues, seanca interaktive gjatë workshop-eve që bën të mundur lidhjen mes B2B, apo seanca e konferencave që premtojnë të hapin mundësi për një marrëdhënie me konsumatorët. Gjithashtu për një biznes të ri në treg është një nisje e mirë dhe ka mundësinë e zgjerimit të marrëdhënieve me bizneset e tjera. Ky panair i parë i organizuar në vendin tonë, padyshim mund të përdoret edhe si kanal për bashkëpunime të mundshme me kompani të mëdha apo të vogla që operojnë në Shqipëri dhe rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.