Qeveria detyrohet të shkurtojë 20 miliardë lekë nga buxheti për të frenuar rritjen e borxhit. Sektorët që preken dhe rekomandimet e FMN-së
Java e fundit e muajit qershor shton edhe më shumë presionet ndaj qeverisë, lidhur me vendimmarrjen mbi fatin e ardhshëm të buxhetit 2011. Pjesa e parë e vitit dëshmoi rënie të ardhurash dhe rritje deficiti, e për rrjedhojë, për të dytën herë, Ministria e Financave propozon shkurtim të shpenzimeve.
Plani paraprak ishte për rreth 16 miliardë lekë reduktime në buxhet, kurse tani, pas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) arrin në 20 miliardë lekë. Në këtë masë drastike, gjysma e shkurtimeve prek investimet publike. Në këtë situatë krize te biznesi, lajmi për reduktimin e investimeve me 10 miliardë lekë nuk vjen në kohën e duhur, por ministri Bode e argumentoi me sakrificën që duhet bërë për shkak të borxhit.
Deficiti buxhetor, deri në muajin maj, kishte arritur në mbi 20 miliardë lekë, që sipas FMN-së, në rast se do të vijonte me këto ritme, niveli i tij në fund të vitit do të rezultonte në masën 4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), nga 3.5 për qind që kishte planifikuar qeveria.
“Martirët” e buxhetit, investimet shkurtohen 13%
Prej tri javësh, Ministria e Financave po punon për të pasur një draft shkurtimesh me sa më pak pasoja për sektorin e investimeve. “Jemi përpjekur të respektojmë çdo parim, çdo prioritet, në mënyrë që investimet të mos ndërpriten. Megjithatë, 10 miliardë lekë shkurtime (13%) janë ‘kontribut´ i çdo institucioni, kush më pak e kush më shumë”, tregon për revistën, Dorian Teliti, drejtor i Investimeve, në Ministrinë e Financave.
Ai thotë se ende nuk ka një dokument final, deri sa FMN të japë rekomandimet përfundimtare. Rasti tipik ishte ai i limitit me shkurtimet, kur qeveria do të firmoste dokumentin me 16 miliardë lekë dhe FMN, më pas, propozoi për 20 miliardë.
Po kujt i shkurtohen këto fonde, kush është institucioni më i rrezikuari.
“Monitor” mëson draftin paraprak me zërat e ndryshuar të buxhetit, ku rezulton se Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike është dikasteri më i prekur. Janë rreth 2 miliardë e 700 milionë lekë shkurtime tek investimet, kryesisht tek ujësjellësit. Ministria saktëson se për rrugët nuk do të ketë shkurtime, por vetëm rregullime. Këto fonde që hiqen i përkasin projekteve me financim të huaj, të cilat gjatë fazave të ndryshme kanë ndryshuar programin e fondeve.
Tjetër institucion është ai i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, institucioni në varësi të Kryeministrit që menaxhon rrugët rurale dhe tani së fundmi, edhe ujësjellësit. Këtij institucioni i hiqen mbi 1.5 miliardë lekë nga buxheti, por ministria sqaron se edhe në këtë pikë, nuk shihen probleme.
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit do të jetë një tjetër “viktimë” e borxhit publik, për të cilin qeveria po sakrifikon dhjetëra projekte. Dikasteri që mbulon sektorin më delikat në vend do të ketë në dispozicion rreth 1 miliard lekë më pak për investimet.
Të gjitha institucionet, ministritë, e deri te drejtoritë kanë ‘kursyer´ fonde për të krijuar më pas ‘depozitën´ prej 10 miliardë lekësh. Kështu, p.sh, fondi më i vogël i reduktuar i takon drejtorisë së promovimit të turizmit, me 10 milionë lekë.
FMN: Pasoja me reduktimet
Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe pse është nxitësi kryesor i reduktimit të shpenzimeve, duke prekur edhe investimet, pranon se reduktimi i fondeve për projektet publike do të krijojë pasoja të forta për ekonominë. Shefi i misionit, Gerwin Bell, tha se një reduktim i investimeve do të shkaktojë ndërprerjen e investimeve, e për pasojë edhe krijimin e radhëve të gjata për likuidimin e faturave.
Sherefedin Shehu, anëtar i Komisionit të Ekonomisë, ish-zv/ministër i Financave
Borxhi i lartë, “kompromisi” për të ruajtur investimet
Debati i fundit mes FMN-së dhe qeverisë ka të bëjë sërish me borxhin, që vijon të mbetet pranë nivelit 60% të PBB-së. Në fakt, a konsiderohet shqetësues ky nivel dhe sa janë kapacitetet e ekonomisë për ta mbajtur?
Niveli i borxhit prej 60% nuk është shqetësues, pasi përputhet me standardet ndërkombëtare, të njohura, më të mira, siç është ai i Mastricht-it. Megjithatë në kushtet e ekonomisë sonë, ky nivel mund të konsiderohet si limit rreth të cilit duhet të qëndrojë borxhi publik. Kur them ‘rreth´, kam parasysh faktin se në financa nuk mund të kesh një nivel fiks të borxhit apo standarde që nuk tolerohen. Këtu kam parasysh edhe situatën ku jemi, pasi e gjithë bota vijon të mbetet në krizë dhe duke luftuar për uljen e borxhit publik, ku mund të përmend rastin e SHBA-së, ekziston dilema e rritjes së borxhit apo e reduktimit të shpenzimeve publike (pra, a ka ekonomia stimuj).
Në këtë pikë, objektivat e borxhit duhet të kenë kredibilitet, por gjithnjë duke e konsideruar tejkalimin e këtyre objektivave të argumentuar sipas rrethanave dhe i përkohshëm. Në këtë kuptim, Shqipëria është larg nivelit kritik të borxhit.
Sa i takon shqetësimit të FMN-së duhet të kemi parasysh edhe mospërputhjet lidhur me rritjen ekonomike (PBB). Ne parashikojmë një borxh rreth 58 për qind, kurse FMN, si konservatore që është, i referohet rastit më të keq. Por edhe nëse mbetemi te 60-ta, kjo nuk përbën problem. E rëndësishme është hartimi i politikave që synojnë stabilizimin ekonomik, më tej, në një periudhë afatmesme të mundësohet ulja e borxhit publik.
çfarë do të thotë të ulësh borxhin, pra cilat janë efektet?
Po, konsiderohen dy mekanizma për uljen e borxhit: rritja e të ardhurave dhe ulja e shpenzimeve. Natyrisht preferohet e para, pra rritja e të ardhurave.
Të ndalemi tek ulja e shpenzimeve, duke pasur parasysh dilemën e SHBA-së, dhe në këtë pikë duhet të shikojmë me kujdes se cila është zgjedhja më e mirë për ne: të ulim investimet publike apo të rrisim/ta mbajmë borxhin në këto nivele. Së pari duhet theksuar fakti se borxhi i Shqipërisë, edhe pse konsiderohet i lartë, cilësisht konsiderohet i mirë për vetë stadin ku ndodhet ekonomia, pra në rritje. Në këto kushte, risqet e borxhit shqiptarë janë tepër të vogla në krahasim me vendet e rajonit dhe me stadin ekonomik ku ndodhet vendi, me nevojën për vijuar investimet, që janë tepër të domosdoshme, gjykohet se duhet të ketë një ‘kompromis´ me standardet e financave publike midis nivelit të borxhit dhe investimeve.
Duhet të sqarojmë edhe pjesën tjetër, që konsiderohet e rëndësishme, se Shqipëria që prej vitit 2005 nuk merr më borxhe për paga dhe shpenzimet operative korrente, po për të kryer vetëm investime publike, kryesisht rrugë, të cilat e shlyejnë shumë shpejt vetveten.
Atëherë do të na duhet të rrisim të ardhurat…?
Kur flasim për të ardhurat këtu ka faktorë dhe nënfaktorë. Faktorët i konsiderojmë direkt taksat dhe duke pasur parasysh rekomandimin e fundit të FMN për t´i rritur ato, shtrohet një pyetje e madhe: a janë ezauruar të gjitha mundësitë e tjera që ofron sistemi i taksave të ulëta (që do të thotë ulje e ndjeshme e evazionit fiskal). Unë mendoj që akoma jo. Besoj se do të na duhen edhe ca vite që të fokusohemi në përmirësimin e administrimit fiskal, që të mundësojmë rritjen e të ardhurave pa shtuar barrën tatimore. Dal me këtë vlerësim, duke pasur parasysh se në katër vitet e para krizës kishim dyfishim të të ardhurave në raport me vitin 2005. Pra, kjo tregon se kapacitetet e rritjes së të ardhurave janë, i kemi të dëshmuara me shifra, por me rënien e krizës në 2009-n, situata ndryshoi për arsye nga më të shumta, të cilat në pjesën dërrmuese lidheshin me faktorë të jashtëm.
Pra, gjykoj se duhet një përmirësim i administrimit fiskal, sesa një rritje direkte e taksave. Sa i takon rregullimeve të taksave, një opsion i qeverisë, mendoj se do ishte më mirë një klasifikim i tarifave, një thjeshtim i procedurave dhe rishikimi i akcizës.
Një tjetër sfidë është edhe ajo e rritjes ekonomike…
Po, ekzistojnë të gjitha mundësitë, të gjitha kapacitetet ekonomike. Qeveria dëshmoi se mundi të rriste PBB-në me 6 për qind, para krizës, e në rast se ndodh në të ardhmen, automatikisht kemi ulje të borxhit publik me 4 pikë përqindjeje (në 2009-n, borxhi ishte rreth 53 për qind). Megjithatë, mund të them se faktorët e jashtëm ndikojnë shumë në ecurinë ekonomike të vendit.
Ajo çfarë na takon neve dhe këtë dua ta theksoj, lidhet me ristrukturimin e ekonomisë, që do të thotë përcaktim më të qartë të prioriteteve. Këtë e them pasi investitorët e mëdhenj kanë ankesa dhe se ata shkojnë aty ku ka më pak pengesa, burokraci, etj. Në këtë pikë veçoj një ndër prioritetet kryesore, energjinë, e caktuar nga qeveria si sektori kyç, por në realitet ndodh e kundërta, sepse investimet po ecin shumë ngadalë. Kjo do të thotë se ne duhet t´i rikthehemi kontratave koncesionare për të parë më nga afër se çfarë nuk po funksionon. Tjetër sektor që duhet t´i japim rëndësi dhe që na ndihmon të ecim më shpejt është bujqësia.
Duhet përmirësimi i administrimit fiskal, sesa një rritje direkte e taksave
Prof. dr. Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave, aktualisht rektor i UMSH-së
Borxhi, 60% nëse investimet janë optimale
Rritja e taksave, efekte negative
Borxhi i lartë vijon të shqetësojë FMN-në, e cila i ka sugjeruar qeverisë marrjen e disa masave. Duhet të ulë shpenzimet, ose në rast të kundërt, të rrisë taksat, në mënyrë që të garantojë mbështetjen për buxhetin. Cili do të ishte rekomandimi juaj?
Në rastet e situatave të tilla, rekomandimet për llojet e instrumenteve që duhet të përdoren janë të ndryshëm. Të dyja mënyrat janë të aplikueshme, por duke vlerësuar situatën ekonomike në vendin tonë, përvojën e vendeve të tjera në kushtet edhe të krizës globale, mendoj se duhen vlerësuar e “peshuar” mirë ndikimet që jep përdorimi i njërit propozim apo tjetrit.
Në fakt, duke parë rënien e kërkesës së brendshme konsumatore në vend, gjendjen sociale dhe pamundësitë në rritje të buxheteve familjare për plotësimin e nevojave me mallra e shërbime, rritja e tatimeve dhe taksave do të kishte ndikim për momentin më negativ se shkurtimi i shpenzimeve. Natyrisht, në rastin konkret duhen ruajtur disa ekuilibra mes tyre (të ardhurave dhe shpenzimeve), por ajo që është me rëndësi për ndërhyrjet në buxhetin aktual, të këtij viti, është që duhet të shkurtohen shpenzimet, duke ruajtur shpenzimet më të domosdoshme (investimet që kanë nisur prej vitesh dhe janë drejt përfundimit mund të vazhdojnë, duke mos çelur investime të reja që nuk përfundojnë apo investime joproduktive dhe të garantohen shpenzimet për paga e pensione, në arsim, shëndetësi etj.). Sa i përket çështjes së rritjes së taksave, më duket se kjo punë nuk zgjidhet vetëm me rritjen e tarifave të një tatimi apo takse (se ne kemi tre vjet rresht që rrisim akcizën dhe nuk po realizojmë siç duhet programin e të ardhurave). Nëse është fjala për rritjen e tarifës së taksës së sheshtë (nga 10% në 12 apo 15%) për mua ka rëndësi bërja e një analize të thellë mbi efektivitetin e taksës së sheshtë dhe të vendosim nëse do vazhdojmë ta mbajmë këtë sistem (tashmë të cunguar prej ndryshimit të bërë për biznesin e shërbimeve të telefonisë celulare apo të shërbimeve bankare – 20 apo 30%) apo do të vendosim një sistem tjetër, atë progresiv që funksionon sipas parimit kush ka më shumë të ardhura të kontribuojë më shumë për buxhetin e shtetit. Kjo është çështja.
Prej kohësh diskutohet teza, “borxhe të larta për investime të larta” dhe e kundërta. Aktualisht Shqipëria ka një borxh prej 60% të PBB-së. Sipas jush, cili do të ishte varianti më i mirë?
Për mua do të ishte më e mirë, apo ndryshe, më e saktë teza “Borxhe optimale të kontrolluara për investime optimale, të adresuara në ekonominë reale, në prioritetet e zhvillimit”. Me këtë dua të them se çështja e borxhit po shndërrohet në një “makth”, jo vetëm për ekonominë e disa vendeve të Eurozonës (Greqia, Irlanda, Spanja, Portugalia, etj.) por tashmë nëse situata nuk kontrollohet edhe për financat publike të vendit tonë, në veçanti, dhe për të gjithë ekonominë në përgjithësi.
Kur them borxhe optimale të kontrolluara kam parasysh që “borxhi publik duhet të jetë në parametra të kontrolluar”, jo më shumë se 60% e GDP (Traktati i Machtrit-it), i harmonizuar me treguesit e tjerë makroekonomikë, veçanërisht deficitin buxhetor, të ardhurat e shpenzimet.
Kur them që borxhi publik duhet të destinohet për investime optimale, të adresuara në ekonominë reale, në prioritetet e zhvillimit, kam parasysh që nuk mund të merret borxh për të shlyer borxhin, nuk mund të merret borxh (në kushtet e vendit tonë) për të ndërtuar vepra luksi (Parlamentin e ri etj.), por mund të merret borxh (brenda kufijve të caktuar) për projekte zhvillimi në degët prioritare, për investime që gjenerojnë prodhim, punësim, zhvillim, të ardhura etj.
Nga ana tjetër, e rëndësishme është menaxhimi efikas i borxhit (shërbimi i borxhit etj.), transparenca për borxhin, struktura e borxhit (i brendshëm dhe i jashtëm) sipas monedhave, donatorëve, etj. .
Për të dytin vit radhazi, qeveria rishikon buxhetin, duke shkurtuar shpenzimet, për shkak të mungesës së të ardhurave. Kjo, sipas jush, vjen për shkak të mungesës se një planifikimi të saktë apo në ditët e sotme është vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë nesër?
Parimi i “buxhetit vjetor” është një parim i rëndësishëm, i cili si rregull i përgjithshëm duhet respektuar.
Për më tepër që prej gati dhjetë vitesh, ne hartojmë dhe Buxhetin Afatmesëm (trevjeçar) i cili vit pas viti azhurnohet, përmirësohet. Parë në këtë këndvështrim nuk mund të thuhet “kaq lehtë” është e vështirë të parashikosh çfarë do të ndodhë nesër. Jo. Përkundrazi, një praktikë e tillë është favorizuese për të pasur një parashikim sa më afër realitetit. Prandaj dhe është implementuar Buxheti Afatmesëm. Kështu që ndryshimet që kanë ndodhur në ligjin e buxhetit të shtetit në mes të vitit (siç pritet të ndodhë edhe këtë vit) e që janë shoqëruar me shkurtim të shpenzimeve, kanë ardhur për faktin se:
– Treguesit makroekonomikë dhe ata financiarë të buxhetit janë parashikuar në mënyrë jorealiste, tejet optimiste, dhe po të vëreni me kujdes, kjo është për vitin 2009 dhe 2011, që përkojnë me zgjedhjet elektorale dhe ato vendore. Pra kemi të bëjmë me buxhete elektorale, populiste; nuk janë realizuar të ardhurat buxhetore; janë tejkaluar shpenzimet
– është tejkaluar deficiti buxhetor dhe është tejkaluar borxhi shtetëror.
Këto vërtetohen edhe nga të dhënat e 4-5 muajve të parë të këtij viti. (shiko grafikët dhe tabelën fiskale të 5-mujorit). Pra përfundimi është se këto ndryshime vijnë nga një program jorealist e për rrjedhojë edhe i pazbatuar.
Ndryshimet në buxhet vijnë nga një program jorealist e për rrjedhojë edhe i pazbatuar
Mimi Kodheli, nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë
Shkurtimet për deficitin, jodrastike
Është viti i dytë që qeveria po rishikon buxhetin, duke kryer shkurtime. Si do ta vlerësonit ju këtë lëvizje?
Dëgjova ministrin Bode, në konferencën e përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e FMN-së në Shqipëri, z. Gerwin Bell, të thotë se është normale të ketë rishikim të buxhetit, pasi çdo vend e bën një gjë të tillë.
Po, mund të jetë edhe kështu. Por, së pari varet për çfarë strukture shkurtimesh flasim. Së dyti, varet se cilat kanë qenë arsyet që na çojnë nga viti në vit në shkurtime; dhe së fundi, si ka mundësi që nuk merret për bazë as edhe një sugjerim i ekspertëve apo kolegëve opozitare, lidhur me këtë fakt.
Do shkurtohen rreth 20 mld lekë, ku gjysma janë investime. Është e drejtë të preken investimet për faktin e ruajtjes së deficitit?
Le të flasim më konkretisht:
– Shkurtimet, për shkak të ruajtjes së deficitit, sidomos në një situatë gjeo-ekonomike si kjo në të cilën jemi, janë të domosdoshme, por duhet të vijnë gradualisht (pra jo të jenë drastike), duhet të bëhen pas një studimi të hollësishëm të risqeve, nuk duhet të jenë mekanike, nuk duhet të prekin sfera të tilla si shërbimi shëndetësor apo arsimor, nuk duhet të prekin ato fusha të investimeve që nxisin rritje të ekonomisë etj.;
– Tjetër gjë, qeveria e një vendi të varfër se ky i yni, duhet të jetë gjithmonë me këmbë në tokë dhe jo të bëjë populizma të panevojshme kur flitet për përllogaritjen e rritjes ekonomike, planifikimin e nivelit të të ardhurave dhe nivelit të investimeve e të huamarrjes. Kjo do të sillte te ne një buxhet më realist e aspak elektoral, gjë që nuk ka ndodhur në fakt.
FMN përmendi edhe faktin tjetër që, në rast se nuk pranoni t´i ulni shpenzimet, keni një tjetër manovër, atë të rritjes së taksave. Në këtë pikë, cili do të ishte sugjerimi juaj?
Për sa i përket manovrës për të cilin foli përfaqësuesi i FMN-së, unë mund t’iu them se opozita ka folur deri në saturim për zhgënjimin që solli taksa e sheshtë, pas së cilës fshihej jo vetëm vënia e një barre më të madhe fiskale për shtresën e varfër e të mesme të shoqërisë shqiptare, por dhe një dështim i plotë në rritjen e të ardhurave buxhetore.
Kjo më bën të mendoj se duhet një ristrukturim total i sistemit fiskal në Shqipëri, jo nën frymën e rritjes së taksave, por të uljes së korrupsionit dhe mirëmenaxhimit të parave publike, gjë që me korrupsionin që ka përfshirë tashmë prej vitesh këtë pushtet, do ta ketë thuajse të pamundur për ta bërë.
Qeveria e një vendi të varfër si ky i yni duhet të jetë gjithmonë me këmbë në tokë dhe jo të bëjë populizma të panevojshme, kur flitet për përllogaritjen e rritjes ekonomike
Sybi Hida, Komisioni i Ekonomisë, ish-ekspert i FMN-së
Borxhi i lartë? Mjafton të rritet ekonomia
Borxhi i lartë vijon të shqetësojë FMN-në, e cila i ka sugjeruar qeverisë marrjen e disa masave. Duhet të ule shpenzimet, ose në rast të kundërt, të rrisë taksat, në mënyrë që të garantojë mbështetjen për buxhetin. Cili do të ishte rekomandimi juaj?
Niveli i borxhit publik është një nga treguesit kryesorë mbi të cilin bazohen politikat fiskale të qeverisë për të siguruar qëndrueshmëri të financave publike. Dhe nuk është e rastësishme që në vitin 2008 u vendos në ligj, neni 58 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në RSH”, që borxhi publik nuk duhet të tejkalojë limitin 60 për qind të PBB. Me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale, Ministria e Financave ka rishikuar buxhetin e vitit 2011, para vizitës së FMN, duke reduktuar shpenzimet, me qëllim ruajtjen e deficitit buxhetor dhe rrjedhimisht mosrritjen e borxhit publik.
Mendoj që është një ndërhyrje pozitive, pasi reduktimi i shpenzimeve nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit publik, i cili është afër nivelit prej 60 përqindësh të PBB të vendosur në ligj dhe njëkohësisht i perceptuar edhe nga vrojtuesit e ekonomisë, si një nivel kritik. Në lidhje me pjesën tjetër të pyetjes se, nëse reduktimi i borxhit publik mund të kryhet nëpërmjet rritjes së taksave, mendoj që është një rekomandim, i cili kërkon një analizë të thelluar. Nuk duhet të harrojmë që politika e uljes së taksave në vendin tonë ka dhënë ndikim pozitiv në ecurinë e biznesit privat, megjithëse është shpejt për të arritur në një konkluzion akademik për efektet e saj. Në qoftë se do t´i referohemi raportit të Bankës Botërore ‘Doing Business´, përqindja e të gjitha taksave ndaj totalit të fitimit që paguhet në vitin 2011 është ulur me 17 pikë përqindje krahasuar me atë të 2006-s, viti ku ka filluar ky lloj vrojtimi. Ulje që do të thotë që në qoftë se në vitin 2011 niveli i taksave e tarifave për biznesin do të ishte i njëjtë me atë të vitit 2006, bizneset do paguanin rreth 250 milionë euro më shumë për buxhetin e shtetit.
Prej kohësh diskutohet teza, “borxhe të larta për investime të larta” dhe e kundërta. Aktualisht Shqipëria ka një borxh prej 60% të PBB-së. Sipas jush, cili do të ishte varianti më i mirë?
Varianti më i mirë është ai variant që siguron rritje e qëndrueshmëri ekonomike, si në afatin e shkurtër ashtu edhe në afatin e gjatë. Për të arritur këtë qëllim, politikat fiskale duhet të orientohen si në mbështetje të biznesit, zakonisht nëpërmjet reduktimit të taksave, ashtu edhe nëpërmjet rritjes së investimeve publike, por kjo politikë, në shumicën e rasteve, shoqërohet me rritje të borxhit publik. Në vendin tonë, duke filluar që nga viti 2001, qeveritë kanë huazuar vetëm për investime publike dhe kjo është një qasje e rezultuar e suksesshme për ekonominë. Pyetja shtrohet që deri ku duhet ta vazhdojmë këtë politikë? Mendoj që, për shkak të krizës botërore, ekonomia jonë po rritet nën kapacitetin e saj potencial dhe kërkon që investimet publike të mbahen në nivele relativisht të larta. Por kjo, nga ana tjetër, ushtron presion mbi politikën e borxhit. Mendoj që askush nuk ka monopolin e përcaktimit të një niveli borxhi referues, por ruajtja e politikës së mosrritjes së borxhit mbi nivelin 60 për qind të PBB duhet respektuar dhe me kalimin e krizës botërore të fillojë reduktimi i tij me ritme më të shpejta.
Për të dytin vit radhazi, qeveria rishikon buxhetin, duke shkurtuar shpenzimet, për shkak të mungesës së të ardhurave. Kjo, sipas jush, vjen për shkak të mungesës së një planifikimi të saktë, apo në ditët e sotme është vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë nesër?
Mendoj që rishikimet e parashikimeve nuk kanë të bëjnë me mungesë të kapaciteteve në planifikim, por për shkak të rrethanave që nuk janë në fuqinë e parashikuesve.
Situata në të cilën po kalon ekonomia botërore vitet e fundit e ka bërë të vështirë procesin e parashikimeve ekonomike. Rishikime të treguesve makroekonomikë kanë bërë edhe FED (Banka Qendrore e SHBA), edhe FMN edhe institucione të tjera të rëndësishme. Kjo situatë tregon qartë që fuqia për të parashikuar saktë i kalon kapacitetet njerëzore. Megjithatë kjo nuk do të thotë që mos të vazhdojmë të investojmë në rritjen e kapaciteteve parashikuese në institucionet tona.
Artan Gjergji, ekspert ekonomie
E keqja nuk vjen nga borxhi
Borxhi i lartë vijon të shqetësojë FMN-në, e cila i ka sugjeruar qeverisë marrjen e disa masave. Duhet të ulë shpenzimet, ose në rast të kundërt, të rrisë taksat, në mënyrë që të garantojë mbështetjen për buxhetin. Cili do të ishte rekomandimi juaj?
Realisht për menaxhimin e këtyre dy parametrave të rëndësishëm makroekonomikë si deficiti buxhetor dhe borxhi publik, dy janë mënyrat. Ose duhen reduktuar shpenzimet ose duhen rritur të ardhurat në buxhet. Duke u nisur nga fakti se një ndër reformat më të rëndësishme që ka marrë forca politike në pushtet është edhe taksa e sheshtë, është krejtësisht jashtë logjikës politike dhe ekonomike që një reformë tashmë 3-4-vjeçare të zhbëhet në një çast të vetëm. Për rrjedhojë, gjykoj se rruga më e mirë dhe më efikase do të ishte reduktimi i shpenzimeve buxhetore deri në kufijtë optimalë për të mundësuar një rritje ekonomike normale. Megjithatë, në këtë version, ndryshe nga qasja e qeverisë për të shkurtuar zërin e investimeve publike, teorikisht dhe praktikisht jam i mendimit që do të ishte më frytdhënëse për ekonominë një shkurtim i shpenzimeve operacionale, si dhe i zërit të pagave dhe pensioneve. Kjo për faktin se investimet publike i japim më frymëmarrje ekonomisë, për rrjedhojë janë të domosdoshme të vazhdojnë me ritmin e parashikuar në buxhet, dhe në anën tjetër, një rritje e pagave e pensioneve në nivelet e deklaruara nga qeveria, jo vetëm që nuk ka ndonjë ndikim të prekshëm në xhepat e qytetarëve, por në mënyrë indirekte rrit edhe nivelin e çmimeve në treg, duke e zeruar këtë politikë sociale të qeverisë, e cila në vetvete krijon një deficit jo të vogël në buxhet. Për rrjedhojë, jam i mendimit që qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme sidomos me zërin e pagave dhe shpenzimeve, duke bërë një rritje të moderuar, jo në nivelet e deklaruara politikisht, por duke u mjaftuar me indeksimin e tyre me inflacionin vjetor të shpallur nga Banka e Shqipërisë për vitin 2010.
Prej kohësh diskutohet teza, “borxhe të larta për investime të larta” dhe e kundërta. Aktualisht Shqipëria ka një borxh prej 60% të PBB-së. Sipas jush, cili do të ishte varianti më i mirë?
Unë personalisht hyj tek ata ekonomistë të cilët mendojnë që financimi i një aktiviteti ekonomik (përfshi edhe qeverinë) ka një hop më të madh nëse financohet me borxh në një nivel të caktuar të menaxhueshëm. Për rrjedhojë nuk duhet pasur frikë nga “borxhi”. Sa i përket nivelit prej 60%, ai është një nivel i deklaruar me ligj, i cili e detyron Ministrinë e Financave të ruajë këto parametra. A është ky niveli i menaxhueshëm? Mendoj se po, madje jam i bindur që nuk shemben financat publike edhe nëse kapërcehet ky nivel. Ajo që abuzohet në media, duke treguar këtë nivel si “apokalipsin” financiar, vjen kryesisht nga kultura e pakët financiare e klasës politike, por edhe e medias. Niveli 60%, është një ndër kriteret e Mastricht-it, të cilët janë indikatorë udhëzues (jodetyrues), për vendet që janë pjesë e Bashkimit Europian. Pra, nuk ka asnjë lloj detyrimi për Shqipërinë në këtë mes t´i qëndrojë strikte një niveli të tillë, nëse e gjykon se rritja e nivelit të borxhit është në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.
Megjithatë, duhet thënë që ruajtja e borxhit në një nivel të menaxhueshëm është e rëndësishme. Me fjalë të tjera, më shumë se niveli i borxhit publik, i rëndësishëm është destinacioni i përdorimit të fondeve që vijnë në formën e huasë. Nëse këto fonde për shpenzime buxhetore me karakter të përdoren me qëllim të pastër politik, për rritjen e pajustifikuar të shpenzimeve operative apo pagave dhe pensioneve (rasti i Greqisë është rast ideal i kësaj situate), atëherë kjo nuk përkthehet në rritje të mirëfilltë ekonomike. Ama, nëse këto fonde përdoren për rritjen e investimeve të caktuara publike, të cilat në periudhë afatmesme apo afatshkurtër i sjellin një normë kthimi pozitive ekonomisë së vendit, padyshim që borxhi publik është i menaxhueshëm.
Për të dytin vit radhazi, qeveria rishikon buxhetin duke shkurtuar shpenzimet, për shkak të mungesës së të ardhurave. Kjo, sipas jush, vjen për shkak të mungesës së një planifikimi të saktë, apo në ditët e sotme është vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë nesër?
Mosrealizimi i të ardhurave nga administrata tatimore dhe doganore (vërejtje edhe e FMN-së për parashikime optimiste në të shkuarën) nuk është qëllimi i vetëm i rishikimit të buxhetit. Tashmë një praktikë e tillë është rutinë, ka disa vite, dhe në gjykimin tim i krijon fleksibilitet më të madh qeverisë në drejtim të një alokimi më efikas të burimeve të financave publike në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Më fjalë të tjera, nëse rezulton që në 6-mujorin e parë, një pjesë e caktuar e fondeve të parashikuara për t´u shpenzuar në një drejtim apo sektor të caktuar të ekonomisë, nuk është realizuar me sukses, qeveria mund t´i alokojë këto fonde në një drejtim tjetër që mund të ketë qenë më i suksesshëm në drejtim të përdorimit me efikasitet të fondeve. Në këtë mënyrë, kemi një menaxhim më të suksesshëm dhe më efikas të të hyrave dhe të dalave (shpenzimeve në buxhetin e shtetit).
Ilir Hebovija, Shoqata e Ndërtimit
Cilido skenar të zgjidhet, biznesi është i ‘djegur´
Qeveria po ul 20 miliardë lekë shpenzime, ku gjysma i takon investimeve. Sa do të ndikojë te biznesi i ndërtimit kjo masë, duke pasur parasysh problemet me mungesën e likuidimeve në këtë sektor?
Nuk është aspak optimiste të dëgjosh që shteti mbyll dyert e tij në 6 muajt e parë të vitit dhe ndërpret veprimtarinë për pjesën tjetër. Sipas dhe një deklarate të mëparshme të ministrit të Financave shpenzimet publike për 6-mujorin e dytë të vitit 2011 do të shkurtohen në pjesën më të madhe, ndërkohë që investimet do të ndërpriten plotësisht. Mendoj se kompanitë e infrastrukturës nuk do të kenë mundësi të arkëtojnë situacionet për punimet e kryera, duke arritur në fund të 2011-s të njëjtin nivel si gjatë vitit 2010, pra rreth 70 milionë euro.
FMN rekomandon rritjen e taksave, si masë antikrizë?
Sigurisht, është një nga masat që ndikon në uljen e nivelit të borxhit, ashtu si dhe propozimi i ministrit të Financave për shkurtimin drastik të shpenzimeve. Situata e krijuar nuk të lë opsione të shumta zgjedhjeje. Në të dyja rastet biznesi do të jetë i prekur si nga rritja e taksave, ashtu dhe nga shkurtimi i shpenzimeve. Për biznesin po mbarojnë dhe fijet e kashtës në të cilat mbahej deri tani. Ky është problemi i një ekonomie që ka ecur prej vitesh me dy standarde, atij të fenomenit europian dhe realitetit ku synohen masa ekstreme për të mos futur vendin në kolaps. Sigurisht do të këmbëngulim që të mos ishte biznesi i vetëm në përballimin e krizës por përgjegjshmëria të ishte më e madhe dhe për institucionet publike, në mënyrën sesi ata menaxhojnë paratë e taksapaguesve.
Do të ishte e nevojshme që ndryshimet e buxhetit të konsultoheshin edhe me sferën e biznesit?
Sot nuk po diskutohet një buxhet optimist, por një buxhet krize. Pjesëmarrja e grupeve të interesit në këtë pikë do të shërbente më tepër si element bashkëfajtorësie sesa një opinion për të ndryshuar situatën. Prej vitesh, asnjë nga propozimet tona nuk janë marrë parasysh megjithëse synonin zbutjen e efekteve të krizës. Sigurisht kjo që them nuk përjashton në asnjë moment bashkëpunimin, sepse ky është qëllimi ynë primar, por institucioni i bashkëveprimit me grupet e interesit është shpërfillur dhe besoj kjo do të vazhdojë. Qeveria ka përpara dhe dy vite të tjerë të vështirë dhe mendoj se do ishte më frytdhënëse një sjellje pranimi dhe rivlerësimi i situatës ku të gjithë të kontribuonim në kapërcimin e saj. Nëse do vazhdojmë të trumbetojmë çudinë shqiptare, pasojat do të jenë mbi të gjithë ne.
Gjergj Filipi, drejtor kërkimesh tek “Agenda Intitute”
Parashikimet jorealiste buxhetore, ndikime te borxhi
Borxhi i lartë vijon të shqetësojë FMN-në, e cila i ka sugjeruar qeverisë marrjen e disa masave. Duhet të ulë shpenzimet, ose në rast të kundërt, të rrisë taksat, në mënyrë që të garantojë mbështetjen për buxhetin. Cili do të ishte rekomandimi juaj?
Borxhi i lartë publik është shndërruar në një shqetësim kronik për mbarëvajtjen e ekonomisë shqiptare në optikën e goditjeve nga kriza globale. I përkthyer në terma afatshkurtër, ky shqetësim peshon mbi deficitin buxhetor, ndërsa në terma afatmesëm, mbi programimin buxhetor. Kjo ecuri problematike e ka nisjen në vitin 2008, kur rritja e ndjeshme e deficitit buxhetor në krahasim me tre vitet paraprirëse u financua kryesisht me borxh të jashtëm, u pasua me 2009-, i cili është viti më deficitar i kësaj periudhe, në të cilin borxhet e qeverisë u financuan kryesisht me një ndërthurje të huazimit të brendshëm dhe të ardhurave nga privatizimet, dhe më tej në vitin 2010 dhe sërish 2011 kur praktikisht ishin ezauruar mekanizmat e arnimit të krizës dhe u bënë për herë të parë rishikimet të buxhetit që zvogëlonin shpenzimet për shkak të mosrealizimit të të ardhurave.
Parë në këtë kontekst, sugjerimi i FMN është më shumë “një tërheqje veshi” ndaj Ministrisë së Financave sesa një këshillim për të ardhmen. Me fjalë të tjera, FMN tërheq vëmendjen ndaj parashikimeve buxhetore jorealiste, të cilat kanë sjellë në mënyrë të detyruar uljen e përsëritur të shpenzimeve në gjysmat e dyta të viteve, e kryesisht shqetësuese janë prerjet e shpenzimeve kapitale, pra të investimeve. Madje kjo vërejtje shkon edhe më larg, kur FMN fajëson për ndikime populiste dhe të mbipolitizuara në hartimet e buxheteve, kur thotë që “parashikime më realiste për të ardhurat mund të arrihen nëse ato do t´i ngarkohen një këshilli fiskal të pavarur dhe apolitik, apo duke i bazuar ato në parashikimet e pavarura të institucioneve profesioniste”. Kjo frazë duhet analizuar me vëmendje nga të gjithë aktorët, sidomos nëse vërejmë që tendencat përkeqësuese të paragrafit të mësipërm kanë ngjarë në një periudhe kur qeveria shqiptare vendosi të marrë e vetme në dorë frenat e programimit buxhetor, duke mos ripërtërirë marrëveshjen me FMN pas vitit 2008.
Për t´u rikthyer në përgjigjen e drejtpërdrejt karshi pyetjes suaj, nuk është e rastësishme radhitja e sugjerimeve në tekstin që na ka lënë z. Bell. çështja më shqetësuese për FMN ka të bëjë me konsolidimin fiskal të bazuar në kuadër politikash të qëndrueshme. Për të realizuar këtë, FMN shprehet se duhet një programim më profesional buxhetor, i cili të mos të merret me korrektime parashikimesh optimiste, por me programim buxhetor realist. Në vijim propozohet të rishikohen shpenzimet buxhetore me të njëjtën optikë realiste, dhe në mënyrë që të mos preket zhvillimi i qëndrueshëm në vitet që pasojnë, sugjerohet që të mbahen shpenzimet kapitale në nivele të ngjashme me këto të viteve të fundit, por duke mbajtur “nën fre” shpenzimet korrente. Pra, duke mos bërë rritje pagash e pensionesh në terma realë, por duke i indeksuar ato vetëm për inflacionin.
Prej kohësh diskutohet teza, “borxhe të larta për investime të larta” dhe e kundërta. Aktualisht Shqipëria ka një borxh prej 60% të PBB-së. Cili do të ishte varianti më i mirë?
Së pari, koha për të diskutuar këtë tezë ka qenë rreth katër vjet më parë, kur borxhi publik ende nuk kish cekur nivelin 60% të PBB-së. Tashmë jemi detyrimisht përpara sfidës se si ta risjellim këtë nivel pranë 50% dhe më pas të mund të debatojmë se si të mund të përdorim me efikasitet hapësirën e rikrijuar për të marrë borxh. Gjithsesi, në këtë pikë është shumë e rëndësishme që të fillojmë të diskutojmë mbi standardet e kthyeshmërisë ekonomike të projekteve publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.