Liverpool blindon Mohamed Salah. Pas zhgënjimit në Botërorin e Futbollit, Rusi 2018, egjiptiani i transferuar vitin e kaluar nga Roma tek Liverpool, ka rinovuar kontratën me Reds-at për pesë vjet, skadenca e së cilës është më 30 qershor 2023.
Pavarësisht interesimit nga ana e Real Madridit, sulmuesi egjiptian, i cili e ka mbyllur sezonin 2017-2018, me 44 gola të shënuara në 52 ndeshje, duke e çuar Liverpool-in deri në finalen e Champions League, zgjodhi të vazhdojë aventurën me klubin anglez, nën drejtimin e trajnerit Jurgen Klopp.
Për të bindur Salah të firmosë rinovimin e kontratës, ka ndikuar edhe agjenti i tij Ramy Abbas Issa, dhe drejtori sportiv i Liverpool, Michael Edwards, por edhe gatishmëria e Reds-ave për të rinovuar kontratën me egjiptianin.
Siç bën të ditur Daily Mail, Salah, i cili sezonin e kaluar kishte një pagë bruto 100 mijë paund në javë (5,8 milionë euro në vit), nga sezoni 2018-2019 do të shohë të dyfishohet paga e tij bruto në 200 mijë paund në javë (11,74 milionë euro me kursin e tanishëm).
Shtypi britanik shkruan se ndër detajet që bien në sy nga rinovimi i kontratës së Salah me Liverpool, është mungesa e një klauzole për ndërprerjen e saj. Pra cilido klub që kërkon të blejë sulmuesin egjiptian duhet të negociojë direkt me Liverpool-in.
“Është një lajm i mirë – komentoi trajneri i Liverpool – rinovimi i kontratës ka një kuptim të qartë – të shpërblesh një person që ka dhënë më të mirën e vetes duke ndikuar në mënyrë vendimtare në suksesin e skuadrës në sezonin e kaluar”.