Udhëheqësit e BE-së janë të bashkuar në drejtim të Brexit, por të ndarë në drejtim të emigracionit. Një takim informal në Austri nxjerr në pah gabimet e bllokut
Një ndër gabimet më të mëdha të Britanisë, ndër shumë të tjera që ajo ka bërë në drejtim të negociatave për Brexit është bindja që kishte se mund të prishte marrëdhëniet midis 27 anëtarëve të mbetur të Bashkimit Europian, shkruan The Economist. Sipas Francës, një ndër skenarët e saj të preferuar ishte se prodhuesit gjermanë të makinave do t’i bënin presion kancelares Merkel të anashkalonte shtetet e tjera dhe ta linte Britaninë të përcaktonte detajet e marrëdhënieve të saj të reja.
Më pas u tha se bisedimet mbi marrëdhëniet e ardhshme do të ofrojnë një mundësi për të shfrytëzuar interesa të ndryshme në mesin e 27 vendeve anëtare. Gjatë verës, ministrat e kabinetit udhëtuan në shtete të ndryshme për të siguruar sa më shumë aleatë. U sugjerua që në samitin informal të udhëheqësve të BE në Salzburg, që u zhvillua më 19 dhe 20 shtator, shtete si Holanda, ose Hungaria, do të ngulin këmbë në rishikimin e kushteve të mandatit negociues të Komisionit Europian, duke i dhënë Theresa May një mundësi për të mbijetuar.
Por këto shpresa u shuan më 20 shtator kur Donald Tusk, kryetari i Këshillit Europian, njoftoi se propozimi britanik (i cili në fakt do të përfshinte që vendi të qëndronte në tregun e vetëm për mallra, por jo për shërbime) “nuk do të funksionojë, sepse rrezikon të prishë stabilitetin e tregut të vetëm.
Me fjalë të tjera, këmbëngulja kontinentale mbi integritetin e “katër lirive” të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punës, të përmendura nga z. Tusk, znj. Merkel dhe të tjerët gjatë gjithë procesit, nuk po venitet. Mospranimi i marrëveshjes së ashtuquajtur “Damë” (kurrë, ndoshta, me shumë mundësi) mund ta shtyjë Britaninë drejt një marrëveshjeje që i ngjason stilit të Kanadasë, si një bazë për marrëdhënien e saj të ardhshme me BE-në. Megjithatë, me këtë marrëveshje do të jetë më e vështirë të shmanget një “kufi i ashpër” ndërmjet Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Dhe është pikërisht kjo ajo që BE-ja nuk do të donte të ndodhte, ku mbështetja e vazhdueshme e kësaj të fundit ndaj insistimit të qeverisë irlandeze për shmangien e një kufiri të tillë ka sfiduar disa pritshmëri britanike.
Znj. May ka vetëm një muaj kohë për të hartuar një zgjidhje të re, reciprokisht të pranueshme. Pritet edhe skenari kaotik i rastit ku nuk arrihet në “asnjë marrëveshje” të përbashkët. Megjithatë, nëse samiti ishte një mësim mjaft i mirë në drejtim të unitetit të BE-së në Brexit, nuk ishte e njëjta gjë në drejtim të temave kryesore të diskutuara mbi sigurinë dhe emigracionin. Blloku u pajtua për vazhdimin e operacioneve kundër transportit të paligjshëm të njerëzve në Mesdhe. Ai gjithashtu miratoi një propozim nga Sebastian Kurz, kancelari i Austrisë, për të nisur bisedimet zyrtare me Egjiptin për të zvogëluar emigrimin nga bregu i Afrikës së Veriut (bazuar në marrëveshjet ekzistuese me Turqinë dhe Libinë).
Suedia kërkoi kuota të detyrueshme për pranimin e emigrantëve, për të ndarë përgjegjësinë tek të gjitha shtetet e bashkimit; Znj. Merkel propozoi që ata që nuk i pranojnë emigrantët mund të japin një kontribut financiar ndaj shteteve që e bëjnë këtë gjë. Të dyja idetë e mësipërme u hodhën poshtë nga udhëheqësit e Europës Qendrore si Viktor Orbán i Hungarisë. Nuk ka asnjë të dhënë mbi numrin e përgjithshëm të azilkërkuesve që BE-ja duhet të pranojë. Edhe një propozim që duhet të ishte relativisht i pakontestueshëm, plani i Komisionit Europian për të rritur stafin e Frontex, agjencisë kufitare të BE-së, në 10,000 punonjës, shkaktoi mendime të ndryshme. Juha Sipilä, Kryeministri i Finlandës, shprehu rezerva lidhur me mënyrën e duhur sesi duhej përdorur kjo forcë. Me këto dyshime bien dakord edhe shtetet mesdhetare, të cilat kanë frikë se centralizimi do të zvogëlonte sovranitetin e forcave të tyre kufitare.
Z. Orban është gjithashtu kundër kësaj mase. Fjalimi i Emmanuel Macron bëri më shumë përshtypje gjatë këtij samiti, duke u shprehur se “të gjitha shtetet që nuk duan rritje të masave të sigurisë, duke përmendur këtu Frontex-in apo nuk duan solidaritet, do të lënë Schengen-in. Të gjitha vendet që nuk duan të shohin një Europë të bashkuar, nuk do të prekin më fondet e saj strukturore”, tha ai. Në thelb ai sugjeroi se qytetarët e Hungarisë duhet të largohen nga zona e përbashkët e udhëtimit të lirë të BE-së, nëse ata refuzojnë të kontribuojnë në pranimin e azilkërkuesve dhe të bashkëpunojnë në politikat e përbashkëta kufitare. Fatkeqësisht, Samiti i Salzburgut evidentoi se në mesin e 27 shteteve anëtare të BE-se ka aq shumë mosmarrëveshje, saqë Brexit duket si më e vogla ndër to.