Samsung Electronics, lideri global i telefonave celularë dhe kartave të memories, tha se kishte të ngjarë të kishte realizuar një fitim tremujor prej 8.3 miliardë dollarësh për periudhën shtator-dhjetor, teksa kishte shitur 500 telefona në minutë dhe ndërkohë që ishte rritur kërkesa për ekranet e sheshta që ajo prodhon për aparatet celularë, përfshirë dhe ato të produkteve rivale të Apple Inc.
Kjo rritje e lartë që ka vazhduar për pesë tremujorë radhazi ka të ngjarë që të përfundojë në periudhën janar-mars, si rrjedhojë e kërkesës së dobët sezonale, ndonëse një ecuri e mirë e smartphone-ve – që sjellin pjesën më të madhe të fitimeve të grupit koreano jugor – dhe përmirësimi i çmimeve të chip-eve kanë lehtësuar shqetësimet se rritja e fitimeve mund të ngadalësohet këtë vit, duke bërë që aksionet e Samsung të arrijnë nivele rekord.
Samsung e ka tejkaluar Apple – rivali dhe konsumatori i tij më i madh – pavarësisht se firma amerikane ka prezantuar modelin e saj të fundit iPhone 5, si rrjedhojë e shitjeve të mira të telefonit të saj që ka dhe funksionin e tabletit, Galaxy Note II, gjatë tremujorit të katërt. Shitjet e IPhone 5 kanë qenë pak më të ulëta sesa pritshmëritë, thanë analistët.
Ndërsa Apple hodhi në treg vetëm pak modele të reja të smartphone gjatë vitit të kaluar në nivel global, Samsung e bombardoi tregun me 37 variante të përshtatur për shijet e konsumatorëve rajonalë, duke filluar nga modelet e shtrenjta deri tek ato më të lirat. Si krahasim, HTC Corp e Tajvanit hodhi në treg 18 modele, Nokia 9 dhe LG Electronics 24.
HTC tha se fitimet e saj në tremujorin e katërt ranë më shumë se 90%, teksa shitjet e modeleve të saj vazhdojnë të mbeten poshtë atyre të Galaxy dhe iPhone.
Modeli i ri Galaxy, që pritet gjerësisht që të hidhet në treg brenda pak muajsh, mund të ketë një ekran të pathyeshëm, cilësi shumë të mirë pamore me definicion të lartë prej 440 piksel për inç, po ashtu dhe një kamera më të mirë dhe procesor më të fuqishëm.
“Dorëzimet e smartphone-ve të Samsung ka të ngjarë që të rriten edhe pse është një sezon ku tradicionalisht shitjet janë të ulëta. Prezantimi i hershëm i Galaxy S IV mund të çojë në një rritje të ndjeshme të shitjeve në tremujorin e dytë,” tha analisti i BNP Paribas Securities, Peter Yu, i cili parashikon që fitimi operativ i Samsung për vitin 2013 do të rritet 25% në pothuajse 35 miliardë dollarë.
Samsung pritet që të rrisë shitjet e saj të smartphone me më shumë se një të tretën këtë vit, dhe të zgjerojë kryesimin mbi Apple, teksa ai ofron një gamë të gjerë të telefonave celularë, tha Neil Mawston, drejtor ekzekutiv në kompaninë e kërkimeve të tregut, Strategy Analytics, që parashikon se Samsung do të shesë 290 milionë smartphone këtë vit, në rritje nga një parashikim i mëparshëm prej 215 milionë në 2012-n.
Apple, ndërkohë, pritet që të rrisë shitjet e iPhone në 180 milionë, nga niveli i vitit të kaluar prej 135 milionë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.