Të mirat: Për nga forma është i ngjashëm me atë të Galaxy S5, por është më i hollë (6.7 milimetra) dhe më i lehtë (115 gramë). Specifikat teknike janë disi më inferiore.
Të këqijat: Mungesa e kartës microSD. Bateria 1860 mAh, e mjaftueshme për një përdorim të mesëm.
Të përgjithshme: Samsung ka zgjedhur metalin si materialin kryesor në këtë model. Do të hidhet në treg në fillim të muajit shtator.
Çmimi: 599 euro
Pas pesë versioneve të modelit të tij kryesor, Samsung, më në fund ka vendosur që të flakë tej plastikën dhe t’ia lërë vendin metalit. Në fillim të këtij muaji, zëvendëspresidenti i Samsung Mobile, Kim Hyun-joon, kishte paralajmëruar mbërritjen e një aparati, i cili do të realizohej i gjithi në metal. Tashmë është bërë realitet. Modeli mban emrin Samsung Galaxy Alpha dhe është i pari smartfon i prodhuesit korean i veshur i gjithi me metal. Ky dizajn i ri do të adoptohet edhe te modeli Galaxy Note 4, prezantimi i të cilit është parashikuar më datë 3 shtator.
Samsung Galaxy Alpha, për nga forma, është mjaft i ngjashëm me atë të Galaxy S5, por është më i hollë (6.7 milimetra) dhe më i lehtë (115 gramë). Specifikat teknike janë disi më inferiore. Në fakt, Samsung ka zgjedhur një ekran Super AMOLED 4.7 polësh, me rezolucion 1280×720 piksel, një procesor 8-core (gati–gati si një Exynos 5 me 4 -core 1,8 GHz) dhe 2 GB RAM. Memoria e brendshme është 32 GB. Mungon karta për zgjerimin e memories microSD. Fotokamera ballore është e njëjtë, 2,1 megapiksel, ndërsa rezolucioni i asaj të pasme është 12 megapiksel.
Ndërlidhja garantohet nga: WiFi 802.11a/b/g/n/ac, Bluetooth 4.0, USB 2.0 e NFC.
Smartfoni mbështetet nga rrjeti LTE Advanced (300/50 Mbps).
Mjaft e kompletuar është edhe pajisja me sensorë, si ai i: afërsisë, xhiroskopi, manjetimetri, drita e mjedisit, ai i shenjave të gishtave dhe i rrahjeve të zemrës. Bateria ka një kapacitet 1.860 mAh, gati 1.000 mAh më pak se ajo e Galaxy S5.
Sistemi është Android 4.4.4 KitKat.
Samsung Galaxy Alpha do të jetë në shitje në fillim të muajit shtator me ngjyrat: e zezë, e bardhë, ngjyrë ari, gri metalixato dhe blu.