Vetëm pak orë na ndajmë nga prezantimi i dy telefonave të rinj të kompanisë koreane Samsung – S8 dhe S8+, në një event në Nju Jork në “Lincoln Center” (29 mars, ora 11:00 – me orë lokale)
Risitë e Samsung Galaxy S8 do të jenë të shumta. Do të mungojë butoni Home, që do të bëhet virtual dhe lexuesi i gjurmëve dixhitale do të spostohet në pjesën e pasme të telefonit, pranë fotokamerës.
Ekrani do të ketë në dispozicion një sipërfaqe baras me 95 për qind të pjesës së përparme të telefonit.
Bixby
Një tjetër risi është butoni në të majtë të fotokamerës, që do të shërbejë për të aktivizuar Bixby, asistentin zanor të Samsung.
Ekrani
Flitet se telefoni më i vogël (S8) do të ketë ekran Super AMOLED 5,8 inç. Ndërsa telefoni më i madh S8+ do të ketë ekran 6,2 inç, që e afrojnë me dimensionet e tabletëve më të vegjël (iPad Mini ka ekran 7,9 inç).
Porta për kufje
Porta për kufjet, e zhdukur në shumë smartphone dhe e zëvendësuar nga lidhja Bluetooth dhe Usb-C, do të rikthehet për kënaqësinë e shumë përdoruesve që kanë kufje me kabllo dhe nuk duan të përdorin një përshtatës.
Fotokamera
Gjithnjë sipas zërave, është interesante fotokamera tek të dy modelet, S8 dhe S8+ . Nuk është sensori risia, por optika e integruar e gjitha në trupin e kamerës, pa pasur frikë se mund të gërvishtet nëse e vendosni telefonin në një sipërfaqe të ashpër.
Karakteristika të tjera
Është e sigurt se Samsung Galaxy S8 do të ketë procesor Snapdragon 835 dhe Exynos 8895; 4G RAM; memori të brendshme 64 GB e cila mund të zgjerohet me një microSD deri në 128 GB.
Samsung Galaxy S8 dhe S8+ do të dalin në shitje më 28 prill.