Schütz: Bizneset gjermane po hedhin dyshime serioze për një mjedis jo “fair” në ekonominë shqiptare

12/02/2019 6:32 PM 1 koment

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizoi pritjen e përvitshme të DIHA-s, për të diskutuar mbi aktualitetin ekonomik në Shqipëri me përfaqësues të biznesit dhe politikës.

Ambasadorja Gjermane, znj. Susanne Schütz, përshëndeti gjithashtu të ftuarit dhe theksoi në fjalën e saj se:  “Shqipëria ka një potencial ende të pashfrytëzuar në shumë fusha, para së gjithash në fushën e turizmit, energjisë së rinovueshme, bujqësisë moderne dhe shërbimeve. Ne shohim tashmë një interes të shtuar të sipërmarrjeve gjermane për Shqipërinë. Jam e sigurt se ky interes do të rritet dhe konkretizohet më tej, dhe aq më tepër që Shqipëria po përgatitet për fazën e ardhshme të Procesit të Integrimit Evropian.”

“Investitorët dëshirojnë të dëgjojnë histori suksesi nga sipërmarrje, të cilat janë tashmë prezente në tregun shqiptar. Ajo çka kërkojnë investitorët në Shqipëri është: siguri ligjore, transparencë dhe një administratë mirëfunksionale, efektive dhe jo të korruptuar. Për fat të keq, shpesh investitorët gjermanë dhe të huaj, të cilët kanë tashmë përvojë në tregun shqiptar, kanë shprehur kohët e fundit dyshime serioze dhe shqetësime të shtuara në lidhje me një mjedis jo “fair” dhe solid në sektorin e ekonomisë në Shqipëri. Dëshiroj të inkurajoj të gjithë pjesëmarrësit, të rigjallërojnë entuziazmin e tyre, i cili u zgjua këtu në Tiranë në maj të vitit 2015 nga Kancelarja Federale, Angela Merkel gjatë hapjes së Konferencës Ekonomike Gjermano-Shqiptare”, shtoi më tej Ambasadorja Gjermane Schütz.

Presidentja e DIHA-s, Stephanie Sieg, në fjalën e saj ajo përmendi faktin se Shqipëria ka hedhur hapa pozitivë në shumë drejtime, por ende mbetet shumë për t`u bërë. Ajo theksoi se është momenti të tregohet veçanërisht kujdes në drejtim të përmirësimit të kushteve në vend, me qëllim që të frenohet vrulli i emigracionit që po përjeton vendi aktualisht.

Si një shoqatë që ka në fokus të saj, përmirësimin e kushteve ekonomike, të cilat janë bazë për nxitjen e investimeve, tregtisë dhe shërbimeve në Shqipëri, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, DIHA ndjek me vëmendje zhvillimet në vend dhe ofron mbështetjen e saj për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Sipas znj. Sieg, lufta kundër problemeve si korrupsioni, burokracia, papunësia, etj. (të cilat rrjedhimisht çojnë në rritjen e emigracionit), duhet të jetë prioritet i përbashkët i Qeverisë, biznesit dhe të gjithë shoqërisë.

Më pas fjalën e mori Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Ajo theksoi se Gjermania është një ndër 3 partnerët strategjikë të Shqipërisë, një nga 7 investitorët më të mëdhenj në vend, me një portofol prej 123 milionë euro dhe për këtë arsye, shteti shqiptar e vlerëson si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me komunitetin gjerman të biznesit. Sipas saj, DIHA po luan një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij bashkëpunimi.

Pasi përmendi arritjet e deritanishme, ajo vuri në dukje se Qeveria Shqiptare është e angazhuar fuqimisht në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, si dhe në mirëpritjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri. Rritja e eficencës së administratës tatimore dhe lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet reformave në drejtim të konsolidimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit janë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo ftoi investitorët gjermanë të vijnë në Shqipëri dhe ofroi mbështetjen maksimale nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Anonymous Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Anonymous
Guest
Anonymous

Te nderuares zonjes Ambasadore Schutz duhet t’i themi se bizneset Gjermane,Europiane dhe Perendimore ne pergjithesi jane te privuara nga liria e ushtrimit te aktivitetit sepse korrupsioni pa fre i administrates se shqiperise,antiligji,punojne per interesat e disa shteteve te shpallur si “partner strategjik” nga Qeveria Shqiptare nderkohe qe ne vend te ndihmave per shkolla,universitete,ujesjellesa apo spitale,mbjellin objekte kulti…..
Shteti Shqiptar eshte kthyer ne vasal i lindjes nderkohe qe ndihmat i kerkon nga perendimi dhe fajin e ka Perendimi qe nuk i mbyll rubinetin ketyre super te korruptuarve,manipulatoreve dhe hajduteve …..