Kasem Seferi, me një përvojë të gjatë në sistemin tatimor, është i mendimit se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së vetëm sa do ta ngarkojë sistemin me kosto të panevojshme, ndërsa nuk do i japë zgjidhje problemit të informalitetit dhe as do të ketë efekt në shtimin e të ardhurave në buxhet. Kjo lëvizje, thotë ai, i heq biznesit kohën e punës, rrit çmimet, ul fuqinë blerëse, teksa shoqëria harxhon më shumë kohë për inproduktivitet sesa për produktivitet, në një vend me popullsi të varfër.
Seferi pohoi se kur u zbatua për herë të parë TVSH në vitin 1996 kufiri ishte 2 milionë lekë. Më pas ky kufi i rrit në 5 milionë lekë e më pas në 8 milionë lekë, për të zbritur sërish para pak vitesh në 5 milionë lekë. Kur kufiri ishte 5 milionë lekë (për herë të parë), tregon ai, FMN hartoi një studim, ku rezultoi se administrata tatimore shpenzonte më shumë para duke u marrë me biznesin e vogël, sesa arkëtonte të ardhura.
Administrata tatimore ka vetëm 1600 punonjës, që nuk do të arrijnë të kontrollojnë 80 mijë biznese, pohon ai.
Seferi sjell në vëmendje piramidën e të ardhurave, sipas të cilës 1% e tatimpaguesve sjellin rreth 65% të të ardhurave, ndërsa biznesi i vogël nuk sjell më shumë se 10% të të ardhurave.
Seferi pohon se nuk ka nevojë të futet në skemën e TVSH-së, pasi biznesi i vogël mund të kontrollohet duke i kërkuar atij faturat e blerjes. Ai rekomandon që evazioni të luftohet me stimuj dhe jo me masa që dëmtojnë një nga segmentet më të rëndësishme në ekonomi përsa i përket punësimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.