Sejko: Risitë teknologjike, nxitës të edukimit financiar

19/05/2017 12:19 PM 0 komente

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Grupit Këshillimor dhe në Mbledhjet Vjetore të Fondit Europian për Europën Juglindore (EFSE), në Split, Kroaci.

Këtë vit, ishte mbledhja e 10 vjetore e organizuar nga EFSE dhe me këtë rast u mbajt konferenca me temë “Krijimi i mundësive të përfshirjes financiare, nisma start–up dhe sipërmarrja”, ku merrnin pjesë guvernatorë dhe drejtues të lartë bankash qendrore, përfaqësues nga Fondi Europian për Europën Juglindore, drejtues bankash dhe institucionesh mikrofinanciare, përfaqësues nga bota e biznesit dhe asaj të medias. Motoja e takimit të këtij viti ishte një shtrirje e natyrshme e fokusit të fondit në bizneset e vogla, krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike e vendeve të rajonit.

Mbledhja e Grupit Këshillimor të EFSE-s është një takim vjetor ku drejtuesit e EFSE-s, guvernatorët dhe drejtues të tjerë nga gjithë zinxhiri i institucioneve të lidhura, diskutojnë për veprimtarinë e Fondit në të ardhmen.

Guvernatori Sejko, duke u ndalur në rolin që luan Banka e Shqipërisë në fushën e edukimit dhe promovimin e njohurive financiare, u shpreh se institucioni që ai drejton ka qenë mjaft aktiv në zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe shpërndarjen e materialeve mësimore për grupmosha të ndryshme.

Me qëllim forcimin e fijeve lidhëse mes institucioneve të angazhuara në edukimin financiar të publikut në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar dy Memorandume Mirëkuptimi përkatësisht me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe me Shoqatën Shqiptare të Bankave.

Guvernatori Sejko vlerësoi se promovimi dhe koordinimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm të përfshirë në mësimdhënien e arsimit financiar në Shqipëri, për të nxitur bashkëpunimin e ndërsjellë në organizimin e nismave të edukimit financiar mbetet një prioritet për Bankën e Shqipërisë.

Një tjetër çështje që Guvernatori theksoi gjatë konferencës ishte rëndësia që përfaqëson në ditët e sotme, zhvillimi teknologjik, sidomos në drejtim të rritjes së përfshirjes financiare. Promovimi i risive në fushën teknologjike tha ai, vlerësohet si një tjetër metodikë së cilës po i kushtohet gjithmonë e më shumë rëndësi, pasi jo vetëm që kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e shpejtë të ekonomisë por shërben gjithashtu si një nxitës për një edukim financiar sa më të gjerë.

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë është dhe do të mbetet edhe në të ardhmen tërësisht e përkushtuar në këto misione të rëndësishme për brezat që do të vijnë.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz