Shqipëria dhe Lituania kanë shkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Ekonomisë e Republikës së Lituanisë, duke njohur rëndësinë e zhvillimit të turizmit në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes vendeve, nënshkruan sot, datë 26 maj në Lituani, Marrëveshjen “Për bashkëpunim në fushën e turizmit”. Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga Zv. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Adela Karapici dhe për palën lituanese nga Ministri i Ekonomisë, z. Evaldas Gustas.
Në ceremoninë e nënshkrimit, mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, z. Tabel Rifai, i cili u shpreh se “Shqipëria është një yll në ngritje në fushën e turizmit”.
Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet që Ministritë të zhvillojnë dhe përforcojnë marrëdhëniet në fushën e turizmit, të zhvillojnë shkëmbimet ekonomike dypalëshe, të nxisin bashkëpunimin midis shoqatave të tyre të biznesit, të turizmit, institucioneve dhe organizatave të tjera të angazhuara në zhvillimin e turizmit. Ministritë do të shkëmbejnë përvojën dhe informacionin statistikor në fushën e turizmit, me synim rritjen e fluksit të turizmit në vendet e tyre përkatëse dhe do i kushtojnë vëmendje të veçantë nxitjes së pjesëmarjes në aktivitete që synojnë promovimin e turizmit. Marrëveshja hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe është në fuqi për një periudhë prej pesë vitesh, e cila rinovohet automatikisht.
Lituania është një model i suksesit në integrimin e shpejtë në strukturat euro-atlantike. Vlerësohet bashkëpunimi dhe mbështetja e vazhdueshme e Lituanisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe qëndrimi konstruktiv i saj në rajonin tonë, në mbështetjen ndaj aspiratave euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit dhe veçanërisht, ndaj Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.