Sektori minerar do të rritet me 10% në vitin 2019, i nxitur nga investimet në sektorin e prodhimit dhe përpunimit, ndërsa çmimet në tregjet ndërkombëtare pritet të jenë të qëndrueshme, tha
Mehmet Hasalami, drejtor i Programeve të Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës. Në vitin 2019, pritet të investohen rreth 40 milionë euro, kryesisht në sektorin e përpunimit të kromit, ferronikelit dhe silikateve.
Këtë vit do të vihet në punë miniera e kromit në Vlahën të Kukësit, një investim 10 milionë euro nga kompania turke Ekin Maden Ticaret. Ndërsa kompania kanadeze Tirex Resources Ltd do të aktivizojë investimin në fabrikën e pasurimit të bakrit në Rehovë.
Rehova ka katër depozitime të bakrit, të quajtura Bregu i Gështenjës, Rehova-Kanisqel, Çiflig dhe Dushku i Trashë, të cilat më parë menaxhoheshin nga shteti shqiptar. Investimi parashikon ngritjen e një fabrike për përpunimin e bakrit, që do të nxirret nga këto katër vendburime.
Numri i të punësuarve në sektorin minerar pritet të arrijë në 7 mijë persona në vitin 2019, nga 6700 aktualisht. Hasalami tha se industria minerare do të nxitet në vitin 2019 për shkak të uljes së rentës minerare në sektorin e përpunimit.
Në vitin 2018 u investuan 25 milionë euro në sektorin minerar me ndërtimin e dy linjave të reja përpunimi nga AlbChrome në Bulqizë dhe Tete Albania në Spaç, që pritet të rrisin dukshëm vlerën e eksporteve në 2019. Investimi në uzinën e ferrokromit në Burrel është realizuar me teknologjinë e kohës, çka do të rrisë vlerën e mineralit në eksport edhe më 2019. Falë këtij investimi, uzina do të prodhojë 36,000 tonë ferrokrom në vit, nga rreth 17,000 tonë/vit që ishte prodhimi me vetëm një furrë, produkt i cili shkon 100% në eksport.
Kompania turke Tete Albania ka aktivizuar rreth 14 milionë euro në këtë investim të ri. Përveç bakrit, impianti është projektuar për të prodhuar edhe koncentratin e zinkut dhe plumbit. Rreth 90% të punimeve civile të fabrikës kanë përfunduar dhe janë instaluar më shumë se 5.2 milionë euro pajisje, që priten të vihen në funksion të plotë më 2019-n.
Aktualisht në Shqipëri janë 15 fabrika të përpunimit të kromit, pranë vendburimeve të kromit në zonat e Bulqizës, Batrës, Kalimashit, Burrelit, Librazhdit, Tropojës, në të cilat janë investuar tre vitet e fundit rreth 28 milionë euro.
Shqipëria ka një nëntokë të pasur me minerale të kromit, bakrit dhe hekur-nivelit.
Në këto 30 vite tranzicion, teknologjia e vjetruar dhe koniunktura e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, herë në favor dhe herë në disfavor, e ka lënë zhvillimin e sektorit nën potencial. Mineralet shqiptare janë eksportuar siç janë nxjerrë nga toka, për vite me radhë, pa mundur të kryejnë as përpunimet fillestare, duke humbur vlerën e shtuar në eksporte nga shitja në tregjet ndërkombëtare.
Albchrome do vijojë zgjerimin
Operatori më i madh në vend i prodhimit të kromit, AlbChrome do të vijojë të zgjerohet në 2019 në sektorin e prodhimit. Luan Saliaj, drejtor ekzekutiv në AlbChrome, tha se në 2019, kompania do të fokusohet në finalizimin e dy projekteve historike:
I pari, pusi 9 në Bulqizë, funksionimi i të cilit do të sigurojë vënien në lëvizje të rezervave të thellësisë, dyfishimin e prodhimit të kromit, zgjatjen e jetës së minierës së Bulqizës.
I dyti, traverbanku në Klos, i cili i jep siguri të plotë minierës në aspektin e ventilimit dhe të largimit të ujerave.
Së treti, rëndësi të veçantë do të zënë dhe investimet që lidhen me rritjen e sigurisë në punë, mekanizimin dhe automatizimin e minierës dhe uzinave, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe ruajtjen e mjedisit.
Për 2019, AlbChrome do të arrijë kapacitetet më të larta të prodhimit të ferrokromit të regjistruara deri më sot në historikun e ferrokromit shqiptar.
Burimet zyrtare të Grupit Balfin, pjesë e të cilit është AlbChrome, thanë se duke nisur nga viti 2013, Grupi Balfin ka investuar te AlbChrome 43,5 milionë dollarë, nga të cilat 28,5 milionë në minierën e kromit në Bulqizë, 11 milionë në uzinën e ferrokromit në Burrel dhe 4 milionë në uzinën e ferrokromit në Elbasan. Investimet vijojnë dhe është parashikuar që deri në vitin 2021, ato të prekin kuotën 60 milionë dollarë. Kjo e tejkalon ndjeshëm vlerën e investimeve të parashikuar nga marrëveshja koncesionare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.