Flet Erlir Puto, drejtor ekzekutiv i SUADA
Si funksionon SUADA që prej krijimit të saj?
SUADA, sporteli unik i administrimit të të drejtave të autorit, është vazhdim i punës dhe funksionit që kanë ndjekur deri para një viti 4 agjenci, që funksiononin të gjitha bashkë për administrimin e të drejtave të autorit. Me ndryshimin e ligjit për të drejtën e autorit në 2016, u parashikua që të krijohej agjencia SUADA, e cila nisi të funksionojë në vitin 2017.
Duke qenë se detyrimi për pagesën e së drejtës së autorit lindte për 4 instanca të ndryshme, kishte një situatë të paqartë për hapat në treg nga subjektet përdoruese: ku do të drejtoheshin, pse të paguanin disa herë etj. SUADA u krijua me qëllimin për të shkurtuar kohë dhe burokraci dhe gjithashtu, për të ulur kostot. Pagesa bëhet në bazë të një sistemi tarifor të unifikuar, të miratuar nga Ministria e Kulturës dhe SUADA funksionon si një “one stop shop”.
Pagesat, kur vijnë te SUADA, shpërndahen tek të 4 agjencitë sipas përqindjes që përcakton ligji. Më pas, agjencitë ia shpërndajnë titullarëve të veprës që zotërojnë të drejtat e autorit, kompozitorëve, regjisorëve, interpretuesve, producentëve etj. Agjencia, në vetvete, është më e specializuar në pjesën e shpërndarjes: mënyra se si do të funksionojë, mënyra e shpërndarjes.
Agjencia bën një vit të plotë që është në funksion dhe ky vit ka qenë sfidë. Si çdo institucion i ri që krijohet në Shqipëri, viti i parë mbart problematika. Kjo, sepse edhe funksionimi në vetvete ka nevojë për një proces qartësimi për mënyrën e funksionimit dhe më pas stabilizim. Mund të pohoj që pikërisht në fund të vitit 2018, pas nëntorit, arritëm një pikë stabiliteti, me mënyrën se si funksionon dhe me marrëdhëniet me subjektet përdoruese. Për vitin e ri kemi shpresa që do të funksionojë më mirë.
Çfarë vështirësish keni hasur gjatë zbatimit?
Vështirësia kryesore është refuzimi i subjekteve për të paguar. Natyrisht që çdo subjekt detyrues heziton që të paguajë, pasi agjencia funksionon me kompetenca të plota prej vetëm një viti. Duhet të kemi parasysh megjithatë, që është detyrim ligjor. Ka subjekte që ende mundohen që të shmangen për sa kohë që kanë mundësi. Në momentin që një subjekt, që përdor një të drejtë autori në funksion të aktivitetit të tij privat komercial, refuzon që ta paguajë, ne i drejtohemi Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), i cili vendos më pas gjoba.
Sa janë pagesat?
Në sistemin tarifor, varet nga lloji i aktivitetit që ushtron subjekti. Mund të them që është më e ulëta e rajonit dhe gjithashtu ndër më të ulëtat në Europë. Shembull: një bar-kafe e thjeshtë në një lagje të Tiranës ka një detyrim prej rreth 10 mijë lekësh në vit. Një diskoje, kjo shumë i shkon deri në qindra mijë lekë, sepse varet nga niveli i përdorimit. Pra, është e lidhur me kapacitetin e biznesit.
Gjatë vitit të parë të zbatimit, sa subjekte janë gjobitur nga ISHMT?
Rreth 500 subjekte i kemi dërguar pranë Inspektoratit për t’u mbikëqyrur, të cilët kanë refuzuar të paguajnë. Gjithashtu, po veprojmë edhe nëpërmjet Gjykatës, ku kërkojmë detyrimin e pagesës. Aktualisht kemi 12 çështje të hapura, të cilat janë kosto shtesë për agjencinë, për shkak të kontraktimit të një avokati për çështjen, të një kontabilisti për përllogaritjen e detyrimit etj.
Cilat biznese janë pjesë e detyrimit për të paguar?
Operatorët audio-vizualë, media kombëtare, lokale dhe TV kabllore
Bar-kafe, restorantet, hotelet
Dyqanet, pikat e shitjes me pakicë
Taksi, shërbimi i transportit urban
Shërbimet: studio avokatie, kontabiliteti, dentistët, farmacistët
Koncertet e hapura
Panairet
Si dhe çdo subjekt tjetër që përdor vepra audio-vizuale
Si e parashikoni vitin 2019?
Përveç pjesës sonë ekzekutive në këtë fushë, po përpiqemi që të ndërtojmë marrëdhënie me një sërë institucionesh, që kanë lidhje me fushën tonë. Në radhë të parë, me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Duhet theksuar se një pagesë ndaj SUADA-s shoqërohet me një faturë me TVSH, mospagesa do të thotë që shteti humbet vlerën e TVSH-së. Këto para që ne mbledhim, u shpërndahen autorëve dhe çdo individ përfitues i këtyre të drejtave tatohet në burim-fitim 15%. Po të bëjmë një përllogaritje, mbi 30% e pagesës që bëhet në SUADA i shkon arkës së shtetit, ndaj refuzimi për të paguar është në dëm të shtetit.
Për këtë arsye, bashkëpunimi me Tatimeve është i nevojshëm. Këtë vit po bëjmë lobim për rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse nëpërmjet ISHMT. Nga ana tjetër, po krijojmë linja bashkëpunimi me AMA-n, për sa u përket mediave audio-vizive. Sepse, edhe vetë AMA në funksionin e vet ka detyrimin që të vendosë sanksione administrative për të gjithë subjektet që nuk paguajnë të drejtat e autorit. Kemi nisur edhe bashkëpunimet e para me institucione si Opera dhe bashkitë, të cilat organizojnë shumë evente. Shpresojmë që 2019 të jetë viti që do të vendosen bazat shumë të shëndosha në strukturimin e tregut dhe sensibilizimin në një masë më të madhe.
Kemi bërë hapa të rëndësishëm pasi ‘kundërshtarët’ tanë më të mëdhenj janë ata që këtë vit kanë ardhur të paguajnë të parët, mediat p.sh. Ata e shohin me interes këtë proces, sepse janë të mbrojtur, duke qenë se janë krijimtaritë e tyre autoriale. Gjithashtu shoqatat e hoteleve, bareve, restoranteve etj. Pengesa institucionale nuk ka më, ndaj ky vit do të jetë më i mirë në funksionimin e agjencisë. Është një hap që vjen bashkë me përmirësimin e strukturave të tjera, për të qenë pjesë e BE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.