Sezoni i ri shkollor, duke pritur pas pak ditësh edhe universitetet, ka nisur. Por ne duhet të përgatitemi për një tjetër “sëmundje”, me efekte shqetësuese shumëdimensionale, që buron nga sistemi ynë arsimor.
Ndërkohë që cilësia e edukimit mbetet e dobët, pa ndryshime energjike, për herë të parë, këtë vit po përballemi edhe me rritje të fortë të numrit të nxënëseve që braktisin bankat. Të gjitha shkaqet kanë një emërues: shpenzimet publike të ulëta. Mbështetja buxhetore për arsimin mbeti rreth 3.12% e PBB-së në vitin 2017. Kjo shumë nuk premton kthesën e madhe drejt për një ringritje, ndërkohë që është më e ulëta në rajon.
Duke u përpjekur me sajime gjithfarëlloj formulash dhe politikash ekonomike, për të rritur ekonominë, qeveria duket se i konsideron si të humbura shpenzimet ndaj arsimit, përderisa nuk ka mundur të rrisë financimet përtej një pragu historik, gjithmonë në 5%. Por edhe kur shpenzon, ajo i ka të keqorientuara, duke u fokusuar më shumë tek arsimi universitar. Por harrojnë se pjesa e kapitalit njerëzor, në totalin e pasurisë botërore, është 62%. Sipas Bankës Botërore, ky është katërfishi i vlerës së kapitalit të prodhuar dhe 15 herë më e madhe se vlera e kapitalit natyror.
“Jepi një njeri peshk dhe ai do të hajë për një ditë. Mësoje një njeri të peshkojë dhe ai do të hajë për një jetë”, ka thënë Laozi, filozof dhe shkrimtar i lashtë kinez, i njohur si autori i njohur i Tao Te Ching. Këtë postulat, Banka Botërore e ka zgjedhur për të shpjeguar sesa i nevojshëm është arsimi.
Duke i anashkaluar kritikat ndaj qeverisë, megjithëse ka plot, do të përpiqemi të paktën t’ia shpjegojmë këtë thënie, që të kuptojë se pse rritja e pjesëmarrjes së popullatës në shkollim dhe rritja e cilësisë së arsimit, sipas konkluzioneve më të arrira të institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertëve të njohur, sjell përfitime komplekse tek individi, ekonomia, por edhe qeveria.
Arsimi, thotë Banka Botërore, duhet parë jo si shpenzim, por si investim dhe që është ai aftë të paguajë. Sipas saj, në përgjithësi, një vit tjetër shtesë shkollimi rrit fitimet me 10% në vit për individët, duke qenë norma më e lartë e kthimit, le të themi krahasuar me depozitat e kursimit, bonot e thesarit, blerja e pasurive të paluajtshme etj.
Qeveria nuk ka pse “lodh kokën”, nëse investon në arsim, sepse sipas Bankës Botërore dhe OECD-së, një arsim i mirë jep jetëgjatësi në punë për çdo individ dhe kjo garanton që skema e pensioneve, për shkak të kontributeve afatgjatë, por edhe më të larta, të jetë më e qëndrueshme. Për të njëjtin shkak edhe tek të ardhurat në Tatime, gjithmonë krijohen shtesa. Për të paktën këto dy arsye, qeveria mund të kompensojë paratë e shpenzuara për arsimin, por krijon edhe një mburojë të fortë ndaj gropave të deficitit dhe bombat sociale.
Banka Botërore thotë gjithashtu se është më mirë që qeveria të mundësojë që sa më shumë qytetarë të arsimohen, sepse kështu ka mundësi “të shpëtojë” nga subvencionet. Në përgjithësi, një rritje e shpenzimeve për arsimin me 1% të PPB-së jep 0.9% rritje ekonomike shtesë të garantuar për të paktën 10 vjet. OECD, duke marrë si shembull SHBA, vërejti se rritja 10% e shpenzimeve për çdo nxënës rrit me 0.25 vite të tjerë shkollim të përfunduar, jep 7.25% paga më të larta dhe zbut me 3.65% varfërinë.
Por si duhet investuar që kjo të ndodhë?
Së pari, këshillohet që investimi duhet nisur që herët, që në shkallët e para të arsimit dhe se që aty, në bankat e klasës së parë duhet të nisë vëmendja. Dhe siç thotë OECD, pastaj të investohet te njohuritë specifike. Por në Shqipëri ndodh e kundërta. Braktiset arsimi parauniversitar dhe mbipopullohet ai universitar, duke konsumuar kështu edhe financat e pjesës më dërrmuese të popullatës.
Së dyti, investimet duhen fokusuar te kontrolli i rezultateve/testet, sepse sikur edhe shpenzimet të jenë 10 herë më të mëdha, ato kurrë nuk e kalojnë 1% të kostos së edukimit publik. Por në Shqipëri, sot niveli i cilësisë së arsimtarëve mbetet i ulët, ndërkohë që për të shkolluarit jashtë vendit, por që garantojnë produkt me cilësi, nuk subvencionohet asnjë shpenzim, por i përballojnë me fonde nga familja ose punë part- time.
Së treti, kërkohet t’ju jepet akses atyre që s’kanë mundësi të marrin pjesë në shkollim. Por në Shqipëri, në dhjetëra zona afër dhe larg kryeqytetit, nxënësit kanë distanca të gjata me shkollën dhe kushte mjaft të vështira.
Me pak fjalë, që arsimi të funksionojë sikundër modeli finlandez që ka zgjedhur qeveria, duhet investuar që cilësia e arsimit të jetë kudo e njëjtë në pika gjeografike të vendit dhe jo e përqendruar në pjesën fundore të ciklit, por që në gjenezë të saj, nëse nuk duam të trishtohemi të gjithë bashkë kur shikojmë bankat e klasave të para bosh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.