Tragjedia e rënies së urës Morandi në Gjenova ka rihapur diskutimin mbi sigurinë e urave dhe më në përgjithësi, të infrastrukturave në Itali.
Kohët e fundit, edhe në këtë drejtim, progresi është ai që në zhargon quhet “Internet of Things”, ose ndryshe teknologjitë e reja të web-it, të aplikuara në një vend apo në jetën e përditshme, që kanë bërë hapa gjigantë. Sysdev, për shembull, është një shoqëri e vogël, e themeluar në vitin 2015, brenda një inkubatori për sipërmarrje inovative në Politeknikun e Torinos.
Më pas është bërë pjesë e Adicom Group, kompani në Torino që vepron në sektorin e teknologjive të reja, e cila ka shpikur “kutinë e zezë” për monitorimin e ndërtesave dhe infrastrukturave si ura dhe tunele. Business Insider ka zhvilluar një intervistë me administratorin e deleguar të Sysdev, Leo Italiano.
A mund të na tregoni se çfarë keni krijuar dhe si funksionon?
Kemi zhvilluar një sistem për monitorimin e strukturave, që mbështetet në paradigmën Internet of Things (Interneti i Gjërave). Ky sistem bazohet në sensorë, në zhargonin teknik, nyje multisensorësh, që mbledhin informacione të ndryshme mbi gjendjen e strukturës.
Këto të dhëna nisin nga struktura dhe nëpërmjet një rrjeti wireless, transferohen në një platformë software dhe mbërrijnë te teknikët e ngarkuar për monitorimin, të cilët mund të kërkojnë të njoftohen në rastin nëse këto të dhëna kalojnë disa limite alarmi të paracaktuara. Ky është një sistem i përhershëm i monitorimit strukturor, aplikohet në disa pjesë të infrastrukturës si për shembull në trarë apo sipërfaqe, nëpërmjet një “kutize” me përmasat e një celulari.
Në urën Morandi, kushtet meteorologjike duket se kanë penguar funksionimin e telekamerave.Po në rastin e sistemit tuaj, a do të ndikojë moti i keq në mosfunksionimin e tij?
Sistemi ynë është menduar për t’u bërë ballë të gjitha kushteve të motit. Bëhet fjalë për një kuti të zezë, e cila ushqehet me bateri, në gjendje të ruajë brenda saj të gjithë informacionet, edhe në rastet e mungesës së energjisë elektrike. Nëse mungon energjia elektrike, informacionet mblidhen gjithsesi, por transmetohen në momentin kur kthehet elektriciteti.
A është një sistem që mund të aplikohet në çfarëdo strukture? Ku e keni eksperimentuar?
Sistemi aplikohet në çdo lloj infrastrukture. Për shembull e kemi aplikuar në një shkollë në Torino, por e kemi aplikuar edhe eksperimentalisht në një urë në Torino-Caselle, në bashkëpunim me ANAS.
Meqë ra fjala për ura dhe rrugë, a mendoni se sistemi juaj do ta kishte shmangur tragjedinë e Gjenovës?
Pas rënies së urës Morandi, në Gjenova, është duke u punuar të hidhet dritë mbi atë se çfarë ndodhi. Nëse në çdo strukturë monitorohen me kujdes pikat mëkritike, mund të kuptohet gjendja e strukturës duke parandaluar ndonjë situatë kritike.Sistemi ynë mund të kishte zbuluar paraprakisht çdo zhvendosje ose deformim, si dhe prirjet mbi një limit të caktuar. Po ashtu do tëpërcaktonte nëse trari është zhvendosur kur mbi të ka kaluar një kamion i rëndë. Por jo vetëm. Në rastin e një lëkundjeje sizmike, sensorët janë në gjendje të tregojnë përshpejtimet dhe ndryshimet që ka pësuar struktura.
Problemi është se në Itali ka ura dhe infrastruktura shumë të vjetra…
Amortizimii infrastrukturave është një problem që nuk ka të bëjë vetëm me Italinë, por edhe me vendet e tjera. Njëherë e një kohë mendohej se betonarme ishte i përjetshëm, por nuk është kështu, pasi përgjatë viteve strukturat u janë nënshtruar lëkundjeve gjithnjë e më të mëdha në kushtet e ngarkesave dhe trafikut.
Burimi: Business Insider