REPORTAZHI/Në mes të bizneseve të serave në Krutje dhe Goricje të Lushnjës, aty ku fermerët mbijetojnë. Me ferma jo më shumë se një dynymë, “hambari” i Shqipërisë nuk është një biznes fitimprurës. Kostot e larta, mungesa e financimeve, spekulimi me plehrat dhe farërat, mungesa e tregut dhe çmimi i luhatshëm i kanë bërë kredimarrës të këqij shumë prej tyre. Në mes të zhgënjimit dhe mungesës së perspektivës, biznesi i bujqësisë po rrezikon të jetë flluska e radhës për riorientimin e investimeve
Blerina Hoxha
Adriani, një fermer në Krutje të Lushnjës, në një nga zonat më prodhimtare bujqësore në vend, nuk e shleu dot këstin e radhës së kredisë 300 mijë lekë që mori për të shtuar rreth 1 dynym serë të re. E mbolli me kungull, për të cilin shpenzoi 100 mijë lekë (siç thotë ai, të reja) për punimin e tokës, frezimin, plehërimin dhe farat të cilat zënë një pjesë të madhe të kostos. Në prag të vjeljes, çmimi i kungullit u përgjysmua duke i siguruar atij vetëm 50 mijë lekë të ardhura, shumë e cila nuk mbuloi as gjysmën e shpenzimeve të mbjelljes pa llogaritur ato që harxhoi në procesin e ndërtimit.
Në muajt e parë të dimrit, ai planifikoi të ndërtonte në anë të serës së vjetër edhe rreth 900 metra katrorë sipërfaqe, për të cilën harxhoi të gjithë kredinë dhe disa kursime të lëna mënjanë nga shitja e një bagëtie.
Tani kur vjelja e kungullit ka mbaruar dhe bimët janë krejt të kalbura bilanci rezulton me humbje 50 mijë lekë. Nuk ka nxjerrë as gjysmën e parave që ka shpenzuar për mbledhjen, ndërsa për shpenzimet e investimit as nuk bëhet fjalë. Kështu e ka kjo punë, një herë humbet e një herë fiton pak. Bujqësia shpesh të lë në baltë, por nuk kemi mënyrë tjetër jetese, shpjegon 50-vjeçari, të cilit i është rreshkur fytyra e trupi nga temperaturat e larta që duhet të përballojë gjatë punës në serë. Ai thotë se këtë vit, çmimet nuk qenë të favorshme, pasi nuk po funksionojnë kontratat me Rusinë dhe as tregu i vendit nuk po tërheq. Po nuk shite mesatarisht me 50-60 lekë kilogramin e perimeve je i humbur. “Të paktën të mos të na thoshin zhvilloni serat se do të fitoni. Erdhën nga Tirana e na premtuan se do të gjenin tregun dhe do të na jepnin edhe subvencione, por deri tani nuk kemi parë asgjë”, tregon me një nënqeshje të lehtë gjysmëironike Adriani.
Teksa shpjegon, sytë i mban nga rruga. Ka nxjerrë në pikë të diellit një kuintal pjepër me shpresë që dikush të vijë t’ia blejë. Afër nesh, në anë të serës, një grumbull me pjepra të kalbura mban erë. Por askush nuk duket. “Më falni tani se më duhet të iki, më duhet t’i çoj vetë në treg të Lushnjës, shpresoj të m’i marrin atje”, – vijon ai duke lënë bisedën përgjysmë dhe largohet.
Ilir Mile, i cili drejton Shoqatën e Fermerëve në Rrupaj në Krutje të Lushnjës, shoqëruesi i udhëtimit tonë, thotë se shumica e fermerëve janë në këtë gjendje. Me të ardhurat që nxjerrin vetëm sa rrotullohen për bukën e gojës. Këtu në fshat nuk duhen shumë gjëra thotë Iliri. Shumica kanë një dynym serë me të cilin llogarisin të nxjerrin 20 mijë lekë të ardhura në muaj për të gjithë vitin, të cilat janë të mjaftueshme për të blerë ushqime industriale apo për të përballuar shpenzimet e shkollës për fëmijët. Por fshati në zemër të Myzeqesë që para viteve 1990 ka qenë një kooperativë e kualitetit të lartë e ka humbur produktivitetin këto vitet e ekonomisë së tregut. Shtëpitë e bukura nuk janë bërë nga serat, por nga emigracioni, – thotë Iliri, i cili vetë ka pak kohë që është kthyer nga Greqia dhe tani kultivon fidanë për fermerët e tjerë: “M’i kanë borxh më shumë se 500 mijë lekë këtë sezon. Dhe tani që po i shesin prodhimet, shpresoj të m’i kthejnë”.
Serat, më pak se 5 dynymë jo fizibël
Alban Gjoka, nga fshati Goricaj, një burrë në të 40-tat, që fëmijë ka ndihmuar prindërit në serën e familjes, e cila fillimisht nisi në pak metra katrorë. Këtu në Goricaj – thotë ai – të gjithë kanë sera, me këtë jetojnë. Vetëm katër-pesë familje rrojnë me bagëti. Kam mbi 20 vjet që merren me këtë punë, por vetëm ushqehem. Duhet të kesh të paktën pesë dynymë që të nxjerrësh një lek mënjanë. Albani me familjen e tij administron pak më shumë se 1 dynym serë. Pak a shumë kjo është mesatarja e sipërfaqes që kanë familjet në fshat. “Nga përvoja jonë, nuk ke leverdi me sipërfaqe të vogla, pasi shpenzimet janë të mëdha”, tregon ai. Ndërtimi i një dynymi serë kushton 800 mijë lekë. Asnjë nga fshati me biznesin e serës nuk mund t’i kursejë kaq, thotë Albani. “Ose na ka ndihmuar emigracioni ose kemi marrë kredi. Unë që nuk kam punuar jashtë mora kredi, që të shtoj edhe disa metra serë. Mbolla sallator, dhe ma porositën ata të Kosovës. E sollën vetë farën dhe 500 mijë lekë kam fituar deri më tani”.
Albani shpjegon se gjysma e kursimeve do të shkojë për kredinë dhe pjesa tjetër për ushqimet e vitit. Kushëriri i tij ka sipërfaqe më të madhe dhe fiton më mirë. Ai i ka mbi pesë dynymë. Me shpenzime pak a shumë të ngjashme ai merr më shumë fitime, kështu që i teprojnë para nga shpenzimet vjetore për serën, familjen dhe kredinë. Vetëm pak metra larg serës, Albani ka ngritur karabinanë e shtëpisë e re. “E shihni këtë shtëpinë këtu. Kam dhjetë vite që e kam nisur dhe nuk e di se kur mbaron. Ja pra ky është biznesi i serës. Na del sa për t’u ushqyer. Ja të vijë ministri këtu te ne. Kështu është realiteti i shumicës. Por edhe kur vjen, shkon te të mëdhenjtë. Bën me dorë nga disa sera të mëdha. Kompania e ka hedhur prodhimin e parë, por nuk e ka problem edhe të humbë, është kompani e madhe”, – tregojnë fshatarët.
Farat, plehrat dhe pesticidet rëndojnë kostot
Adriani thotë se humbjet nga sera e kungullit erdhën përveç çmimit të ulët, edhe për shkak të farës së keqe. Më qëlloi një farë që nuk më dha farë prodhim. Me që bëra serë të re e kultivova vetë fidanin e kungullit. 90 lekë e kam blerë një bërthamë fare, por siç duket hormonet që kryejnë pllenimin nuk ishin të mira. Fermeri thotë se, në kohën e lulëzimit në serë hidhet një hormon që ndihmon pllenimin, por shpesh ky preparat është i skaduar dhe nuk bën, thotë ai. Pllenimi nuk u krye mirë dhe sera e re e kungullit rezultoi më shumë një dushkajë me pak prodhim. Nuk ke as ku të ankohesh. Shitësi nuk mban përgjegjësi. Nuk ka një laborator dhe njësi që të certifikojë që nga farat, hormonet, plehrat dhe preparatet e tjera që i duhen prodhimit. Vetëm fara më ka kushtuar 30 mijë lekë,- thotë Adriani, e cila nuk i ka dhënë as gjysmën e prodhimit që priste. Tani humbjet mendon t’i mbulojë nga shitja e pjeprit të serës së vjetër, por edhe çmimi i saj është ulur dhe treg nuk ka. Një thes ushqim (pleh) bën 25 mijë lekë, thonë fermerët. Janë më të shtrenjta dhe nuk janë as cilësore. Pesticidet gjithashtu. Por nuk e spërkatëm serën një herë në dy ditë, të çan ballin flutura e bardhë, tregon Albani, i cili shpjegon se disa fshatarë kanë shkuar në spital nga përdorimi i tepërt i helmeve, teksa morrat, fluturat dhe insektet e tjera nuk ngordhin. Një nga fermerët që na shoqëron thotë se një njeriu i tij, që punon te magazinat e plehrave në Lushnjë, i ka treguar se fosfati përzihet me gurë mali. Vetëm thasët sjellin nga jashtë. I mbushin në Lushnjë prandaj nuk bëjnë më efekt. Njësoj është edhe me pesticidet. “Vitin e kaluar ika dhe i mora vetë në Greqi. Vetëm tre herë e kam spërkatur serën, thotë Iliri, dhe nuk kishte asnjë dëmtim. Por nuk kam mundësi të shkoj çdo vit në Greqi, prandaj më duhet t’i blej këtu”, thotë Iliri. Fermerët e Goricajt janë të shqetësuar se cilësia e plehrave ka rënë dukshëm dy vitet e fundit, dhe çmimi është rritur.
“Kemi ngelur me pompë në dorë dhe insektet nuk ngordhin, – thotë Donika, një tjetër fermere, që e vetme menaxhon një serë të vogël. Kam shpenzuar aq shumë sa më vjen t’i lë të gjitha e të iki. As shkollën e djalit në Tiranë nuk e kam paguar dot. Toka po na ha të gjallë, por nuk kemi ku të ikim”. Burri i saj ndërroi jetë vite më parë dhe i ka lënë një lokal në qendër të fshatit. Ky më mbajti që shkollova fëmijët. Sa për serën vetëm bukën do të nxirrja si të tjerët. “Them që të mos merrem më me serë vitin tjetër. Jam në moshë, nuk mundem më, se jam mbytur nga helmet. Nuk keni faj ju në Tiranë që thoni se prodhimet tona janë plot helme, po nuk kemi rrugë tjetër”, tregon me zë të lartë deri në ngjirje prej zhgënjimit.
Në një komunikim të mëparshëm me “Monitor”, ku ne po interesoheshim për formalizimin në bujqësi, ata luteshin që të vinim në dukje cilësinë e pesticideve dhe plehrave.
Kalbëzimi pa diagnozë
“Bujqësia është e vështirë. Është lek gjaku, por ju të Tiranës e dini të lehtë”, thotë Themiu, i cili i ka kaluar të gjashtëdhjetat dhe nuk e kupton se nga po vjen kalbëzimi që këtë sezon ka kapur në masë fidanët e kastravecit dhe të domates. “Na thanë e ka fajin toka, por edhe ata që kanë e provuar në sera të reja dhe fidanë të bleëa njësoj si ne e kanë pësuar. Bimët kalben ende pa lulëzuar. Erdhën ata të Bujqësisë nga Lushnja, morën disa analiza, por ende nuk na kanë thënë se nga vjen sëmundja që të marrin masa”. Duke treguar, ngrihet dhe na shoqëron te sera e vajzës pak kilometra më tutje. Tani kur shumica po shesin prodhimet, sera e Edlirit sapo është mbjellë për herë të dytë.
“Bimët e domateve janë ende të vogla dhe kanë nisur të kalben. Harxhova 50 mijë lekë për fidanët e parë, por ato u kalbën shumë shpejt. Më thanë se ke përdorur shumë herë dheun e serës dhe toka është varfëruar. Kjo ndodh dhe është normale, por kalbëzimi u ka rënë edhe bimëve të fushës në tokat e reja. E kam mbjellë për herë të dytë, tregon Edliri, dhe e kam ndërruar të gjithë dheun e serës, e kam pasuruar me plehra organike dhe të tjera por edhe fidanët e rinj po kalben”.
I janë rrënuar shpresat. Nuk di çfarë të bëjë më. Është familje e re dhe ka dy fëmijë të vegjël, mundi i gjithë vitit ka shkuar kot. “Kemi marrë edhe agronomin, jemi konsultuar me të, por prapë asgjë nuk ka ndryshuar”, thotë Edliri, i cili tashmë ndihet i lodhur me eksperimentet me serën dhe është në kërkim të një mundësie tjetër.
“Shumë të zhgënjyer kanë shkuar në azil”, thotë shoqëruesi ynë, Iliri. Ja ai i kooperativës Verri kishte ikur me grua e fëmijë në Gjermani. Nuk kishte pak vite që ishte kthyer nga Greqia, kishte investuar të gjitha kursimet në serë dhe nuk nxori as gjysmat e shpenzimeve të mbjelljes”.
Grumbulluesit, të zhgënjyer nga subvencionet
Ndërmjet serave janë disa pika të vogla që, kundrejt një fitimi 10 lekë për kilogram, grumbullojnë prodhimet e serave për t’i shitur kundrejt eksportuesve më të mëdhenj. Alfonsi, me origjinë nga Kukësi, një i ri rreth të 20-ave, ndihmon të atin në këtë biznes. Më parë kishin bërë transport perimesh nga Lushnja në Kukës dhe tani po merren me grumbullimin. “Kemi shumë skarco, – thotë djaloshi, pasi vetëm 30 për qind e grumbullimit të domates është cilësia e parë të cilën mund ta shesim pak më mirë për eksport, por të tjerat, – na bën me gisht disa arka, – nuk kushtojnë më shumë 20-30 për kilogram. Edhe për subvencionet, na kanë gënjyer, shpjegon i riu, teksa të tjerët rreth nesh qeshin. Shumica e fermerëve të Krutjes dhe Goricjes e kanë marrë NIPT-in, por kompensimin e faturave nuk e kanë parë. I kemi çuar të gjitha faturat te bankat, thotë Alfonsi, ashtu siç na orientuan ata të Bujqësisë, por llogaritë janë bosh. “Dokrra, – thotë një tjetër, asgjë nuk kemi marrë. Hajde shikoji faturat. I kam ruajtur të gjitha. Kam shkuar disa herë te banka, por më thonë nuk janë hedhur”, thotë Albani.
Në të gjithë rrugëtimin tonë në zonën e Lushnjës në fermat e Krutjes dhe Goricjes asnjë nga fermerët dhe grumbulluesit nuk ka përfituar subvencion e as kompensimin e TVSH-së. Duket të kesh të njohur nga politika. Vetëm ata kanë mbështetur, thotë Iliri, i cili mendon se fshati i tij është penalizuar se ka votuar në zgjedhjet e përgjithshme, Dritan Priftin, si deputet i pavarur.
Fitojnë të tjerët, në kurriz të fermerit
I gjithë zinxhiri që lidhet me bujqësinë fiton përveç fermerit. Tani që sipërfaqet me sera janë rritur, biznesi i plehrave e pesticideve është në lulëzim. Nga ana tjetër, spekulimet në kurriz të cilësisë janë të mëdha dhe këtë fermerët po e provojnë në kurriz. Tregtarët e preparateve bujqësore që nga plehrat, makineritë etj., janë përballë një kërkese në rritje. Pikat e tregtimit pohojnë se, puna është shtuar, por edhe borxhet gjithashtu. Shumë fermerë furnizohen me pesticide, plehra dhe farëra në këmbim të pagesave kur të shiten prodhimet. Por ndodh që dështojnë dhe mbeten borxh. Listat janë të gjata, por gjithsesi me gjithë borxhet, subjektet e tregtisë që janë të lidhura më bujqësinë janë para një kërkese në rritje.
Në kërkim të vlerës së shtuar
Të lodhur nga kultivimi i domateve dhe kastravecëve që kanë fitime të ulëta dhe shpesh zhgënjejnë, shumë fermerë të Myzeqesë janë në kërkim të gjetjeve të reja që kërkojnë më pak mund dhe kanë më shumë fitime. Por, në këtë aspekt, orientimet mungojnë. Iliri ka dëgjuar për Paulonian, një pemë e ngjashme me plepin që përdoret për industrinë e avionëve dhe anijeve. Hap celularin dhe tregon disa foto. Pemët rriten dhe pas pesë vitesh, thotë ai, japin tre metër kub dru. Nga 200 euro metri shiten nga parcela dhe janë shumë herë më mirë se me domatet dhe kastravecët, thotë ai i ngazëllyer për idenë që nuk e ka ndarë me shumë të tjerë. Duket se nuk është shumë i informuar. Ne më parë kishim trajtuar një rast te “Monitor” se si një italian në Durrës kishte ngritur fermën e Paulonias. Druri industrial është një kulturë mjaft fitimprurëse, të cilën e ka zhvilluar Kina, por që në Shqipëri të interesuarit nuk kanë informacionin për kostot, mbjelljen dhe kultivimin e saj. Të tjerë kanë dëgjuar se fitohet nga kultivimi i kërmillit, por nuk dinë se si. Duken të rraskapitur nga serat e perimeve dhe janë gati të eksperimentojnë me kultura të reja dhe të panjohura.
Të mbytur në kredi
Të gjithë fermerët në Lushnja kanë një kredi për të shlyer të cilët më së shumti i kanë marrë për shtimin e sipërfaqes me sera. Kreditë janë marrë më së shumti nga institucionet financiare jo banka dhe me interesa më të larta se 20%. Kreditë dhe këstet janë pjesë e bisedave të tyre. Biznesi i fermës nuk akumulon kursime, ndaj kredia mbetet zgjidhja për të shtuar edhe pak metra serë. Një dynym kushton 800 mijë lekë,- tha Albani. Këtu përfshihen shtyllat e betonit, skeleti i hekurit, fashat e plastmasës dhe haku i punës. Pasi ka mbaruar, karabinaja ka shpenzime të tjera për sistemin e ujitjes që shumica e tyre e kanë me pika, siç i kanë parë në Greqi. Disa i kanë me dopio plastmasë për të siguruar temperatura më të larta. Për ata që nuk e kanë idenë, 800 mijë lekë për një dynym serë janë shumë. Me kaq mund të ndërtohet edhe një shtëpi. Por Albani i bën hesapet me laps në dorë, në hapësirën prej plastmase në fushë ka detaje që kushtojnë shumë. Mirëpo përveç interesave të larta, kreditë janë shumë të vogla. Zakonisht bankat dhe institutet e kreditit nuk japin më shumë se 300 mijë lekë, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar as 30% të kostove që kërkon një dynymë serë, thotë Iliri. Po të ecë mbarë investimi, kthehet për pesë vite, shton Albani.
Bujqësia nuk është konkurruese
Bujqësia në Shqipëri, avantazhin e vetëm konkurrues ka klimën e ngrohtë që mundëson nxjerrjen e prodhimeve në treg një muaj para rajonit dhe kjo nuk është pak. Subvencioni nuk po funksionin dhe nafta nuk rimbursohet. Në Maqedoni, nafta e kuqe për bujqësinë jepet me 50 lekë, ndërsa në Shqipëri, fermerët e blejnë njësoj si linjat e tjera të biznesit me çmimin e tregut, me 150-160 lekë, pa asnjë diferencë. Në Greqi dhe Maqedoni, fermerët subvencionohen direkt mbi prodhimin dhe fondet publike e mbulojnë riskun që mund të vijë nga ndryshimi i klimës ose mungesa e tregut. Por në Shqipëri mungojnë politikat mbrojtëse, edhe pse vendi po shkon me hapa të shpejtë drejt hapjes së tregjeve për shkak të integrimit në BE. Të mbjella në ngastra të vogla dhe në këtë mënyrë të pastandardizuara, prodhimet shqiptare e kanë të pamundur të marrin certifikatën e cilësisë dhe për rrjedhojë të eksportohen lirshëm në tregjet e BE–së.
Zbulohet shkaku i plehrave të dobët…
Të dhënat e INSTAT-it konfirmojnë përdorimin më të madh të pesticideve gjatë vitit të kaluar. Sipas statistikave, importet e plehrave organike dhe inorganike kanë shënuar rritje të ndjeshme me 31% gjatë vitit 2015, duke arritur në 3.36 miliardë lekë.
Plehrat organike kanë shënuar hovin më të madh, duke u zgjeruar me 75%, duke zënë 67% të totalit të kësaj kategorie.
Rritja është shoqëruar me një ndryshim të ndjeshëm të gjeografisë së vendeve nga të cilët importojmë. Nga hiçi janë shfaqur dy shtete, Indonezia dhe Argjentina, që janë bërë furnizuesit kryesorë të fermerëve me pesticide. Ekspertët e tregut pohojnë se këto lëvizje shpjegohen me rendjen drejt çmimeve më të favorshme, ndërkohë që përqendrimi i tregut në pak duar mundëson ndryshimin drastik të gjeografisë së importeve brenda një kohe të shkurtër.
Edhe për plehrat joorganike, tregu ka ndryshuar tërësisht. Nga Maqedonia, që deri në 2014-n ishte tregu kryesor, me 25% të totalit, importet në 2015-n ishin zero. Vendin e saj e ka zënë Italia, nga ku importuam 27% të totalit të plehrave joorganike në 2015-n. Shqipëria dhe Maqedonia, në 2015-n e kanë thelluar luftën tregtare, teksa shteti fqinjë ka bllokuar në jo pak raste produktet që vinin nga Shqipëria, me argumentin se kanë përmbajtje të lartë kimikatesh.
Pak kompani ushtrojnë aktivitet në importin e plehrave organikë dhe joorganikë në një treg që vlerësohet se qarkullon rreth 40 milionë euro në vit, sipas të dhënave nga importet dhe xhirot e kompanive. Agroblend dhe MBM janë dy aktorët kryesorë në këtë treg, që së bashku zënë gati 80% të tij. Agroblend është operatori më i madh, me një qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë lekësh, në 2014-n (të dhënat e fundit të disponueshme), me një rënie prej gati 12% me bazë vjetore. Kompania ka parë rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 215 milionë lekë në 60 milionë lekë, me një normë fitimi prej vetëm 3% në 2014-n (nga 8% vitin e mëparshëm).
Rriten eksportet, por jo të ardhurat e bizneseve bujqësore
Teksa eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur më shumë se 40% vitin që shkoi dhe nga ana tjetër, shumë sektorë po diversifikojnë investimet në fusha dhe në blegtori, bujqësia në totalin e saj ka pësuar rënien më të fortë në tremujorin fundit të 2015-s për pestin tremujor radhazi.
Ritmet e rritjes së sektorit kanë nisur të ngadalësohen qysh në vitin 2013. Në tremujorin e fundit, prodhimi në bujqësi ra me 1.9%. Kështu kontributi negativ i bujqësisë në rritjen ekonomike për tremujorin e fundit të 2015 ka qenë 0.37%.
Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave. Pas shkëlqimit në dukje të rritjes së eksporteve me 25% më 2015 dhe gati 40% në katërmujorin e parë të 2016-s, totali i prodhimit bujqësor ka pësuar një rënie me 0.93% më 2015-s, sipas të dhënave të INSTAT.
Në tremujorin e katërt, forca e punës në bujqësi u tkurr me -3.1%, ndikuar nga emigracioni masiv i vitit të kaluar.
Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE-së, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.
Kjo ecuri tregon se vendi ndodhet ende në inercinë e trashëgimisë së para viteve ‘90, pa mundur të modernizojë dhe të përshtatë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut. Përkundrazi, masat e marra në vitet 1991 me “masakrën” në copëzimin e tokës për frymë, financimet me pikatore dhe politikat fragmentare të zhvillimit e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Riorientimi i rrezikshëm i investimeve drejt fermave
Kriza e vitit 2008 e ka bërë një ndarje si me thikë, në kushtet e të bërit biznes, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes financiare të konsumatorëve dhe rrudhjes së stimujve fiskalë në ekonomi. Përkrah këtyre zhvillimeve qëlloi që sektori i ndërtimit konsumoi bumin para vitit 2008 dhe u gjend para një flluske, shfryrja e së cilës la pa punë mijëra persona dhe nxori nga tregu qindra kompani duke dhënë efekte negative zinxhir në ekonomi edhe sot e kësaj dite. E zakonshmja në këto zhvillime lidhet me ciklin e biznesit në ekonominë e tregut, ku investimet riorientohen të udhëhequra nga kërkesa.
Në këto kushte vlen shprehja që biznesi ecën një hap para qeverisë, pasi në dy vitet e fundit, gati somnambul kanë transferuar aktivitetin 180 gradë, duke zhvendosur investimet nga ndërtimi te bujqësia.
Duke marrë përsipër riskun nga mungesa e përvojës, ndërtuesit kanë vërshuar në transferimin e investimeve në bujqësi dhe në prodhimin e energjisë, teksa institucionet publike i kanë lënë vetëm në një eksperiment të rrezikshëm.
Problemet me pronësinë, mungesën e njohurive (know how) dhe financimet e pasigurta, plus risku që vjen nga kushtet e klimës i bëjnë të brishta investimet e reja pavarësisht se, nisja shihet të jetë pozitive.
Ngutja për zhvendosjen masive drejt fermave dhe stallave, turizmit dhe HEC-eve, në jo pak raste, është shoqëruar me gabime fatale.
Në një anketim të bërë nga Konfindustria ka rezultuar se brenda Unazës së Re të Tiranës janë gjetur vetëm 1800 kërkesa për shtëpi në bazë të referimeve në agjencitë imobilare, të cilave iu përgjigjën 3000 firma ndërtimi. Presidenti i Konfindustrisë, Hajredin Fratari, pohon se, ende firma të tjera do të dalin nga tregu, për shkak se, sektori i ndërtimit është maturuar gjithsesi dhe tregu është bërë më i vështirë për t’u ndjekur. Ai pohoi se, kohët e fundit, dy të njohurit e tij që merreshin me biznesin e ndërtimit kanë transferuar gati tërësisht aktivitetin në bujqësi. Njëri me një fermë buajsh dhe tjetri me një fermë delesh.
I përhapur si një virus, bujqësia po përthith qindra investitorë të rinj në vit, të cilët, duke parë njëri-tjetrin, po rrezikojnë investimin, pasi më parë nuk zhvillojnë konsulenca me ekspertë të fushës.
Ndër alternativat që ata zgjedhin janë kryesisht fusha e bujqësisë, kryesisht investime në perime, vreshta e pemëtore dhe mbajtje të blegtorisë, përfshirë edhe investime në industritë përpunuese të ushqime.
Panariti: Serat nuk janë investim i gabuar
Kjo është koha e bujqësisë dhe këtë e kanë kuptuar, për fat të mirë edhe investues, të cilët, deri tani, nuk kanë qenë të lidhur me sektorin – ka pohuar më parë në një intervistë të posaçme për “Monitor” ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Ai garantoi investitorët se nëse do të ndjekin prioritetet e qeverisë, suksesi është i garantuar, sepse tregu për këto investime është i garantuar.
Ndryshe nga perceptimi i fermerëve, ministri Panariti, ka sqaruar se, formalizimi në bujqësi nuk po aplikohet si një element shtrëngues. Përkundrazi, mosregjistrimi dhe mosidentifikimi i tyre si prodhues punon në dëm të interesave të tyre.
Këtë vit, përparësi në investimet dhe mbështetjen me subvencione do të jetë ndërtimi i serave. Ne synojmë dhe do t’ia arrijmë që brenda 2017-s të çojmë sipërfaqen e serave nga 1000 në 3000 hektarë, tha ministri.
Kjo është koha e bujqësisë dhe këtë e kanë kuptuar për fat të mirë, edhe investues, të cilët deri tani nuk kanë qenë të lidhur me bujqësinë. Nëse investuesit do të ndjekin prioritetet tona, suksesi është i garantuar, sepse tregu për këto investime është i garantuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.