Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë (NBS) votoi për të mbajtur normën bazë në 3.5%. Banka njoftoi se në marrjen e vendimit, Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare, kishte parasysh projeksionin e inflacionit të nëntorit dhe lëvizjen në faktorët e inflacionit, efektet e pritshme të lehtësimit të politikës monetare të së kaluarës, një performancë më të mirë ekonomike në tremujorin e tretë dhe një këndvështrim më të favorshëm për periudhën në vazhdim.
Ashtu siç u vlerësua edhe nga Bordi i kësaj Banke, presionet inflacioniste vazhdojnë të mbeten të ulëta, siç konfirmohet edhe nga ngadalësimi nga viti në vit dhe inflacioni bazë gjatë muajve të fundit, nga 2.8% dhe 1.4% në muajin tetor. Fakti që presionet inflacioniste janë ulur tregohet edhe nga mënyra sesi pritjet inflacioniste të sektorëve financiarë dhe të korporatave vazhdojnë të lëvizin brenda objektivit të tolerancës së synuar nga Banka, u tha gjatë deklaratës për shtyp të vetë Bankës.
Po sipas së njëjtës deklaratë, që nga fillimi i vitit 2017, trendet fiskale kanë qenë më të favorshme se sa pritej dhe prirja e rrezikut ka rënë në një nivel të ulët, duke shënuar rekord të ri për Serbinë, si dhe duke u reflektuar jo vetëm tek faktorët globalë, por edhe te forcimi i bazave të brendshme makroekonomike, si dhe duke pasqyruar një pikëpamje më të favorshme për periudhën përpara.
Një tjetër faktor që ka reduktuar inflacionin kanë qenë çmimet e ulëta të importit në dinar.
Bordi Ekzekutiv i NBS-së pret që inflacioni të vazhdojë të lëvizë brenda intervalit të tolerancës së synuar prej 3.0 ± 1.5%, gjatë gjysmës së parë të vitit 2018. Por inflacioni ka gjasa të lëvizë nën mesataren e synuar, duke reflektuar mbi bazën e ulët të çmimet për produktet e naftës dhe produkteve të tjera që regjistruan rritje të njëhershme në fillim të këtij viti, ndërkohë që rritja e pritshme e kërkesës së brendshme do të funksionojë në drejtim të kundërt, tha më tej zyra e shtypit e NBS-së.
Bordi ekzekutiv i Bankës i monitoron me kujdes zhvillimet në mjedisin ndërkombëtar, kryesisht në tregun global financiar dhe në çmimet botërore të mallrave primare, duke shtuar se “pasiguria në tregun financiar ndërkombëtar mbi divergjencën e politikave monetare të bankave qendrore kryesore, Fed dhe Banka Qendrore Europiane, ende mbizotëron, gjë që mund të ndikojë fluksin global të kapitalit drejt ekonomive në zhvillim, duke përfshirë edhe Serbinë”.
Përveç kësaj, pasiguria ka përfshirë edhe lëvizjet e çmimeve botërore të mallrave primare, veçanërisht çmimet botërore të naftës, të cilat shënuan rritje të moderuar në muajt e mëparshëm. Megjithatë, Bordi ekzekutiv thekson se qëndrueshmëria e ekonomisë ndaj ndikimeve të mundshme negative nga mjedisi ndërkombëtar është rritur kryesisht për shkak të forcimit të bazave të brendshme makroekonomike dhe të një perspektive më të favorshme për periudhën e ardhshme.