Banka Qendrore e Serbisë ka befasuar tregjet duke ulur normën e saj të interesit me 25 pikë bazë në 3.75%, në mënyrë që të rrisë huadhënien, e cila do të ndikojë në rritjen ekonomike, duke lënë njëkohësisht pas një periudhë 13-mujore gjatë së cilës ajo u mbajt në nivele të qëndrueshme.
Të 10 prej analistëve dhe tregtarëve të anketuar nga Reuters, u shprehën se Banka Qendrore nuk do t’i ndryshonte menjëherë normat, por do t’i mbante të gjithë në pritje.
Sipas deklaratës së lëshuar nga banka muajin e kaluar, pasiguritë në tregjet ndërkombëtare e motivuan atë për të mbajtur në nivele të qëndrueshme normën e interesit.
Rritja e dobët duket të jetë zgjidhja e ndërmarrë nga banka, veçanërisht pas vërejtjeve të kryeministres, Ana Brnabiç, se ekonomia mund të zgjerohet me vetëm 2.5% këtë vit, poshtë normës së parashikuar prej 3%.
Znj. Brnabiç tha gjithashtu se Serbia nuk mund të kërkojë një hua të re nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas skadimit të marrëveshjes prej 1.2 miliardë eurosh (1.4 miliardë dollarësh) në vitin 2018. Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore tha se inflacioni i ulët dhe performanca e mirë fiskale ishin dy prej faktorëve më të rëndësishëm që ndikuan në uljen e normës.
Duke ulur normën bazë të interesit, Banka Qendrore serbe mbështet aktivitetin e kreditimit dhe rritjen ekonomike.
Banka tha gjithashtu se çmimet më të ulëta të importit dhe një rënie e primit të riskut të vendit kanë ndikuar në uljen e presioneve inflacioniste. Banka ka thënë në mënyrë të vazhdueshme se pret që inflacioni të mbetet brenda objektivit të saj të vitit 2017 prej 3%. Inflacioni i korrikut ishte në 3.2%, nga 3.6% një muaj më parë.
Por sipas ish-guvernatorit të bankës dhe lektorit të ekonomisë në Universitetin e Beogradit, Dejan Soskic, ulja e normës erdhi me shumë vonesë dhe ndikimi i saj në rritjen e 2017 do të jetë shumë i ulët. Marrja e kësaj mase nuk i dërgon një mesazh qëndrueshmërie dhe besueshmërie tregjeve financiare, tha ai për Reuters.
“Nga ana tjetër, nëse investitorët afatshkurtër e shohin këtë masë si një njoftim të uljeve të mundshme të normave në të ardhmen, atëherë kjo mund të ketë ndikim në lëvizjet në tregun e monedhës”. Dinari ka mbetur i fortë kundrejt euros që nga lëvizja e fundit e politikave të bankës, e mbështetur edhe nga hyrjet në valutë të huaj për investime dhe remitanca, por sipas tregtarëve monedha ka gjasa të dobësohet më vonë gjatë vitit.
Pas vendimit të qeverisë për të ulur normën, dinari humbi pikë kundrejt euros. Ai ra me 0.2% dhe u tregtua me 119.60 dinarë për euro dhe pritet që ai të dobësohet edhe më shumë në ditët në vazhdim.