Këshilli Këshillues Fiskal i Serbisë i kërkoi qeverisë që të fillojë të investojë 1.3% të PBB-së për të trajtuar problemet “shkatërruese” mjedisore, duke përfshirë këtu ndotjen e ajrit dhe mungesën akute të trajtimit të ujërave të zeza.
Serbia përpunon më pak se 10% të ujërave të zeza dhe ka një problem të vazhdueshëm me landfillet e parregulluara, tha Këshilli Fiskal i emëruar nga qeveria. Dy prej qyteteve më të mëdha, Beogradi dhe Novi Sad, i derdhin ujërat e zeza direkt në lumenjtë e Danubit dhe të Savës. Këshilli tha se një rritje në financat publike i krijoi mundësinë Serbisë për të shpenzuar rreth 500 milionë euro në vit për pastrimin e mjedisit.
Serbia doli me një suficit publik në vitin 2017 dhe pret të arrijë të njëjtat rezultate edhe gjatë këtij viti, me parashikimin të rritjes ekonomike me 3.5%. Ajo e ka ulur borxhin e saj publik në 57% të PBB-së nga 75% që para dy vitesh. Aktualisht, ajo investon vetëm 0.7% të prodhimit ekonomik në çështjet mjedisore, ndërkohë që shumë vende në Europën Qendrore dhe Lindore shpenzojnë rreth 2%.
Kreu i Këshillit Fiskal, Pavle Petroviç, u tha gazetarëve në Beograd se situata shkatërruese në këtë fushë kërkon rreth 500 milionë euro në vit ose rreth 1.3% të PBB-së. “Kushtet janë tepër kritike, të paktën një e treta e popullsisë është e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit”, thotë ai më tej. Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE deri në vitin 2025.
Sipas Këshillit Fiskal, masat e nevojshme që duhen për të përmbushur plotësisht Kapitullin 27, fushën e negociatave të anëtarësimit që mbulon mjedisin dhe ndryshimet klimatike, shkojnë në një vlerë rreth 12 miliardë euro. Muajin e kaluar, ministri i Mjedisit, Goran Trivan, tha se Serbia do të ketë nevojë për afate më të gjata se kolegët e saj për të përfunduar pastrimin e mjedisit dhe për të përmbushur rregulloret e caktuara nga BE-ja. Sipas ekspertëve, procesi mund të kërkojë disa dekada./ Reuters