Ministrja serbe e Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç, tha në një deklaratë se qeveria ka rënë dakord për të marrë një financim të ri prej 500 milionë eurosh (588.9 milionë dollarë) nga Banka Europiane e Investimeve. Financim do të shkojë kryesisht për projektet e infrastrukturës.
Serbia do të nënshkruajë në dhjetor një marrëveshje për një kredi prej 250 milionë eurosh nga Banka e Investimeve Europiane, për elektrifikimin e linjës hekurudhore Nis-Dimitrovgrad dhe ndërtimin e një unaze në Nish, tha ministrja Mihajloviç, në deklaratën për shtyp.
Për më tepër, qeveria do të marrë 212 milionë euro nga Banka Euopiane e Investimeve për ndërtimin e pjesës së parë të autostradës që lidh Nishin me Merdaren, tha znj. Mihajloviç gjatë inspektimit të punimeve ndërtimore të një ure përgjatë lumit Sava në Ostruznicë, pjesë e unazës së Beogradit.
Banka Europiane e Investimeve ka investuar 100 milionë euro në ndërtimin e unazës së Beogradit, deklaroi gjatë inspektimit të vendit të ndërtimit, kreu i përfaqësimit rajonal të BEI për Ballkanin Perëndimor, Dubravka Negre.
Ura e Ostruznicës po ndërtohet nga një konsorcium i udhëhequr nga grupi austriak i inxhinierëve civilë, Strabag, dhe pritet të përfundojë në prill 2018. Investimi i përgjithshëm në këtë projekt do të jetë 3.57 miliardë dinarë (35.5 milionë dollarë / 30.1 milionë euro).
Edhe më parë gjatë këtij muaji, z. Negre deklaroi se BEI do të dyfishojë investimet e saj në Ballkanin Perëndimor në tre vitet e ardhshme, nga 1.5 miliardë në 3 miliardë euro.