Kompanitë ruse që përdorin teknologjitë më të avancuara janë të interesuara për krijimin e zonave të posaçme ekonomike në Serbi, përveç atyre që tashmë ekzistojnë, u shpreh ministri serb i Ekonomisë, Goran Knežević, gjatë Forumit Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petërburgut.
Ministri u shpreh në një deklaratë për shtyp se Moska dhe Beogradi zhvilluan bisedime të nivelit të lartë në forum, të cilat u përqendruan kryesisht rreth krijimit të zonave të posaçme ekonomike në Serbi.
“Kompanitë ruse që përdorin teknologjitë më të avancuara janë të interesuara në krijimin e zonave ekonomike, për shembull, Zona (si ato) që tashmë ekzistojnë në Serbi”, tha z. Knežević.
Sipas ministrit, disa kompani ruse mund të grupohen së bashku për të promovuar produktet e tyre si në tregjet serbe ashtu edhe ato ruse dhe koncepti i krijimit të zonave të posaçme ekonomike ofron mundësi të shumta për të dyja vendet.
Knežević tha se si pala ruse, ashtu edhe ajo serbe, ranë dakord gjatë bisedimeve se marrëdhëniet dypalëshe duhej të zhvillohen edhe më tej, gjë që nënkupton investimet ruse në Serbi dhe anasjelltas, duke formuar sipërmarrje të përbashkëta dhe duke hyrë në tregjet e palëve të treta së bashku.
Forumi Ndërkombëtar Ekonomik i Shën Petërburgut, i mbajtur në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, është një platformë e madhe globale për përfaqësuesit e komunitetit të biznesit për të bashkëpunuar dhe për të diskutuar çështje thelbësore ekonomike me të cilat ballafaqohet Rusia dhe bota në përgjithësi.