Misioni i FMN-së dhe qeveria serbe kanë rënë dakord se rishikimi i parë i marrëveshjes në dispozicion mes dy palëve do të kryhet pas miratimit të buxhetit të rishikuar të vitit 2012,
që do të jetë pas zgjedhjeve parlamentare dhe krijimit të qeverisë së re. Duke theksuar se statusi i marrëveshjes mbetet i pandryshuar, përfaqësuesit e qeverisë thanë se politikat ekonomike që do të ndiqen,
do të jenë në përputhje me marrëveshjen. Ekonomistët, gjithsesi, paralajmërojnë se “ngrirja” e marrëveshjes mund të çojë në ulje të vlerësimit të kredisë së vendit, që mund të vështirësojë aksesin në burimet e financimit.
Misioni i FMN-së, i kryesuar nga Zuzana Murgasova, qëndroi në Beograd në gjysmën e parë të shkurtit. Në fund të bisedimeve, u arrit në konkluzionin se rishikimi i parë i marrëveshjes do të ndodhë pas miratimit të buxhetit të rishikuar.
Duke qenë se Serbia do të zhvillojë së shpejti zgjedhje parlamentare, rishikimi i buxhetit mund të ndodhë vetëm pas formimit të një qeverie të re, çka nënkupton mesin e vitit 2012, kur misioni i FMN-së do të vizitojë sërish Beogradin.
Sipas deklaratës së qeverisë në fund të bisedimeve, statusi i marrëveshjes së Serbisë me FMN-në do të qëndrojë i pandryshuar.
Qeveria do të vazhdojë të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, çka nënkupton që niveli i deficitit buxhetor nuk duhet të kalojë 4.25% të PBB-së dhe borxhi publik nuk duhet të kalojë nivelin e aktual me ligj prej 45% të PBB-së.
Pagat publike do të rriten, siç përcaktohet me ligj, në prill dhe tetor, po ashtu dhe përfitimet sociale. Nxitësit për bujqësinë dhe ringjalljen e aktivitetit ekonomik do të vazhdojnë të jepen, çka do të kontribuojë në rritjen ekonomike.
Megjithëse FMN fillimisht parashikoi se Serbia do të arrijë një rritje ekonomike prej 1.5% në 2012-n, zhvillimet globale kanë çuar në uljen e parashikimit dhe tashmë pritet që shifra të jetë 0.5%,
si rrjedhojë e ngadalësimit të ekonomisë globale dhe recesionit të Eurozonës. Kjo është ajo që i shqetëson më shumë ekonomistët dhe biznesmenët, pasi situata pritet të ndikojë në uljen e të ardhurave në buxhet dhe të çojë në rritje të deficitit.
Për të shmangur këtë, duhet të shkurtohen kostot, në mënyrë që borxhi i ri të mos rrisë kufirin e borxhit publik mbi nivelin e miratuar.
Marrëveshja në dispozicion përfshin një fond prej 1.1 miliardë eurosh që mund të tërhiqet në rast se do të jetë e nevojshme, në mënyrë që të fuqizohen rezervat valutore.
Fondet nuk janë për mbulimin e deficitit të buxhetit. Duke pasur parasysh se rezervat aktuale valutore arritën një nivel rekord prej rreth 12 miliardë eurosh,
qeveria beson se “ngrirja” e marrëveshjes për njëfarë periudhe nuk do të çojë në një dobësim të stabilitetit makroekonomik.