Rreth 30,000 serbë largohen çdo vit jashtë vendit. Filip Uzelac nuk dëshiron të jetë një prej tyre, shkruan Radio Europa e Lirë.
Por studenti i shkencave organizative është shumë i shqetësuar për të ardhmen e tij, sepse mendon se ajo mund të krijohet vetëm përtej kufijve. Kjo ka qenë një nga arsyet që e ka shtyrë atë që të mos e braktisë për asnjë sekondë protestën e madhe në pritje të fitores së Aleksandar Vuçiç si president i vendit, gjatë zgjedhjeve që u zhvilluan më 2 prill. Ai vazhdon më tej duke thënë se nuk është i sigurt nëse do të vijë ndonjë ndryshim si pasojë e këtyre protestave, vetëm se në ditën e dhjetë të protestës, ai së bashku me mijëra protestues të tjerë shpresojnë se do të ndodhë diçka ndryshe, sepse në të kundërt “ne i kemi pasaportat në xhepat tanë dhe do të largohemi, shprehet ai.
Fitorja i siguroi 46-vjeçarit Vuçiç dhe partisë së tij progresive, e cila ka shumicën në Parlament, kontroll mbi të gjithë procesin ligjvënës dhe qeverisës në vend. Në lidhje me këtë fitore, disa të tjerë janë shprehur se i druhen faktit se ky mund të jetë fillimi i një epoke të ngjashme me autokracinë e vendosur gjatë sundimit të Slobodan Milosevic.
Dikur një ultranacionalist, Vuçiç ka fituar pikë që nga momenti kur ai u vetëshpall një reformator i bindur për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në BE. Ai i ka fituar këto zgjedhje me dinakëri, sepse më parë ka qenë pikërisht Vuçiç ai që ishte kundër integrimit të vendit në BE, ndërsa gjatë këtyre zgjedhjeve ai loboi fort, duke u zotuar se do ta përgatisë kombin prej 7.3 milionë banorësh drejt rrugës së bllokut europian, duke shpresuar anëtarësimin në vitin 2019.
Por protestuesit që kanë mbushur rrugët e Beogradit pretendojnë se Vuçiç, i cili fitoi me 55% të votave që në raundin e parë të zgjedhjeve dhe se Partia e tij Progresiste është e korruptuar nuk i kanë fituar këto zgjedhje me ndershmëri, por u kanë vjedhur votat e qytetarëve. Këtu mund të përmendim pohimet e shumë të rinjve që votuan për herë të parë, si p.sh., atë të studentit të historisë Marko Stricevic, të cilët shpresonin se me anë të këtyre zgjedhjeve do të ndodhte ndryshimi i shumëpritur në udhëheqjen e vendit. Por kjo nuk ndodhi dhe në vend të saj, mijëra të rinj protestues u mblodhën përpara godinës së Asamblesë Kombëtare në qendër të Beogradit.
Ai thotë më tej se do të qëndronte me shumë kënaqësi në Serbi, por vetëm nëse sistemi do të funksiononte në të mirë të qytetarëve të tij. Ky sistem funksionon vetëm për ata që janë në pushtet dhe për korporatat e mëdha si të huaja, ashtu edhe vendase, por jo për njerëzit e zakonshëm, për njerëzit e thjeshtë, të cilët nuk mund të ngrenë kokë dhe nuk mund ta kapërcejnë gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen, sepse rrogat me të cilat ata paguhen janë qesharake dhe mbi të gjitha, kushtet e punës në të cilat ata punojnë, i detyrojnë që ta shohin largimin nga ky vend si një rrugë drejt shpëtimit, si një shpresë për të ardhmen, përfundon Stricevic.