Asambleja Kombëtare Serbe miratoi projektligjin e buxhetit 2018, i cili parashikon të ardhura prej 1,178 miliardë dinarësh dhe shpenzime prej 1,207 miliardësh.
Deficiti fiskal kombëtar i planifikuar për 2018 është 0.6% e PBB-së, ose 28.4 miliardë dinarë, që është 40.7 miliardë poshtë deficitit të planifikuar në buxhetin e 2017-s. Projektligji u miratua me 150 vota pro, 12 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa dy anëtarë të Asamblesë nuk votuan.
Për vitin 2018, parashikohet rritje e pagave me 10% në sektorin publik dhe 5% në administratë, ndërsa rritja e pensioneve pritet të jetë me 5%.
Përveç buxhetit të planifikuar për rritje të rrogave dhe pensioneve, është planifikuar edhe një pjesë për rritje të investimeve. Buxheti i vitit të ardhshëm është planifikuar në bazë të parashikimeve që rritja ekonomike në vitin e ardhshëm do të jetë 3.5% e PBB-së, me deflacion të PBB-së prej 2.8% dhe një indeks të çmimeve të konsumit prej 2.7%.
Një buxhet total prej 128.3 miliardë dinarësh është planifikuar vetëm për investime kapitale, nga të cilat pjesën më të madhe prej 54 miliardë dinarësh e ka infrastruktura. Në krahasim me investimet e këtij viti, ato të vitit të ardhshëm do të jenë rreth 30% më të mëdha dhe do të arrijnë në më shumë se 180 miliardë dinarë në nivel të qeverisë së përgjithshme, ose 128 miliardë dinarë në nivel të Republikës.