Esmark Europe BV dorëzoi të vetmen ofertë të vlefshme nga dy tenderët për 80% të Zelezara Smederevo doo, tha për gazetarët ministri i Financave, Dushan Vujoviç. Prodhuesi i çelikut është një nga 500 kompanitë që vendi ka nevojë të shesë apo të mbyllë këtë vit në mënyrë që të përmirësojë financat e shtetit.
“Unë pres që ne të arrijmë një marrëveshje bazuar në ofertën e Esmark përgjatë janarit dhe të nënshkruajmë kontratën”, tha Vujoviç. “Fakti se ne kemi vetëm një ofertues nuk flet për mungesë interesi, por për 100% respekt për procedurat e tenderit”. Serbia po bashkohet me kombet e tjera të Ballkanit në përpjekje ‘për të eliminuar’ kompanitë shtetërore me humbje, teksa qeveritë janë nën presion nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për të mbushur hendeqet e buxhetit dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja. Sllovenia ka për qëllim të shesë bankat shtetërore për të rimbursuar paratë e shpenzuara në shpëtimin e industrisë financiare dhe Kroacia planifikon të kërkojë blerës për aktivet përfshirë Portin Luka Vukovarit dhe linjat ajrore kombëtare.
Kryeministrit Aleksandar Vuçiç i duhet të bindë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore se ai mund të shesë bizneset shtetërore, të cilat kanë “boshatisur” rreth 1 miliard dollarë nga paratë e taksapaguesve nga arkat e shtetit në vit, për të përmbushur kushtet e kredisë së rënë në dakord në nëntor dhe pret konfirmimin e FMN-së.
Qeveria u zotua të ngushtojë deficitin buxhetor në më pak se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2017, nga rreth 8% vitin e kaluar dhe dëshiron të reduktojë papunësinë në një vend ku një në pesë persona është i papunë. Kabineti po përpiqet të nxisë rritjen, pasi përmbytjet pranverën e kaluar e shtynë ekonominë drejt recesionit të tretë në pesë vjet.
Serbia gjithashtu ka nevojë të bindë Bashkimin Europian se ndihma e planifikuar e shtetit për të ristrukturuar Zelezara nuk do ta shtrembërojë konkurrencën dhe do ta bëjë kompaninë të aftë të mbijetojë, në bazë të marrëveshjes së paraanëtarësimit të Serbisë me bllokun 28 anëtarësh.
Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, po kërkon një konsulent për të vlerësuar çdo formë të ndihmës që Serbia planifikon për Zelezara, përfshirë eliminimin e taksave, faljen e borxheve, energjinë e lirë dhe transportin, sipas tenderit të publikuar më 18 dhjetor.
“Ne kemi disa probleme sipas Protokollit 5 të marrëveshjes së paraanëtarësimit me BE-në dhe të gjithë në qeveri po punojnë për t’i zgjidhur ato “, – deklaroi Bojan Bojkoviç, shefi ekzekutiv i Zelezara.
Serbia bleu sërish Zelezara për 1 dollar nga United States Steel Corp. në janar 2012, pasi kompania kufizoi operacionet teksa kriza ekonomike në Europë reduktoi kërkesën. Qeveria e ka subvencionuar kompaninë me gati 10 milionë euro (11.9 milionë dollarë) në muaj. Kushtet e tenderit kërkojnë një investitor që t’i mbajë aksionet e Zelezara për 10 vjet, të disponojë një furrë të dytë shkrirje deri në 2016, të sigurojë 50% shfrytëzim të kapaciteteve për furrën e dytë të shkrirjes dhe kapacitet të plotë të furrës së parë.
Me 5,000 punëtorë, Zelezara kishte një humbje prej 186 milionë dollarësh dhe kapital prej 21 milionë dollarësh në fund të 2013-s, sipas të dhënave të Agjencisë për Privatizim. Ajo i ka borxh rreth 260 milionë euro bankave, 120 milionë euro furnizuesve dhe 145 milionë euro për lëndën e parë. Qeveria planifikon të marrë përsipër borxhin që Zelzara u detyrohet kompanive të tjera shtetërore duke filluar që nga 31 dhjetor i vitit 2013, sipas kushteve të tenderit.