Serbi, përfundon marrëveshja 3-vjeçare me FMN-në

09/03/2018 10:20 PM 0 komente

Serbia ka përfunduar me sukses një program trevjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por sipas FMN, ajo duhet të përmirësojë klimën e biznesit dhe infrastrukturën e dobët për të ecur me të njëjtin ritëm me shtetet e tjera të Europës Perëndimore.

Marrëveshja, e nënshkruar në shkurt të vitit 2015, i vuri kusht Serbisë zbatimin e një sërë reformash, duke përfshirë këtu marrjen e masave të nevojshme për të ulur borxhin publik dhe deficitin buxhetor, si dhe duke përfshirë uljen e pagave dhe pensioneve në sektorin publik.

Sipas FMN-së, këto ndryshime e kanë bërë ekonominë e Serbisë më tërheqëse në sytë e investitorëve.
Llogaritë fiskale, me deficitin e dytë më të madh në Europë në 2014, kaluan në suficit gjatë vitit 2017. Besimi në ekonominë e vendit ka rritur investimet jo vetëm nga brenda vendit, por edhe ato nga jashtë. FMN-ja tha më tej se Serbia, e cila synon që të jetë pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2025, duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm në zbatimin e reformave edhe në të ardhmen, pavarësisht përfundimit të marrëveshjes.

Ajo tha më tej se Beogradi duhet të reformojë institucionet për të mbështetur më shumë rritjen e udhëhequr nga sektori privat dhe modernizimin e administratës tatimore. Serbia duhet të përmirësojë edhe klimën e biznesit për të tërhequr investitorët dhe për të investuar në infrastrukturë, telekomunikacion dhe energji. Gjatë muajit të kaluar, ministri serb i Financave, DushanVujoviç, deklaroi se Beogradi duhet të kërkojë një formë të re marrëveshje bashkëpunimi me FMN-në, duke theksuar faktin se bashkëpunimi nuk duhet të përfshinte paratë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz