Serbi / Porta lidhëse e Turqisë me BE-në dhe Rusinë

20/04/2018 10:05 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Tanju Bilgiç

Ambasadori i Turqisë në Beograd, Tanju Bilgiç, u shpreh në një intervistë se kompanitë turke që investojnë në Serbi kanë akses si në tregjet e BE-së ashtu edhe në tregjet e Rusisë, shkruan Hürriyet Daily News.

Ai tha më tej se edhe vizita dyditore në Serbi e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe marrëveshjet e nënshkruara gjatë saj, janë padyshim një hap i rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve. Një marrëveshje dypalëshe e tregtisë së lirë u nënshkrua përbri 12 marrëveshjeve të tjera (në tetor 2017) në praninë e Presidentit Erdogan dhe homologut serb, Aleksandar Vuçiç.

Ambasadori theksoi se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” për kompanitë turke që të investojnë në Serbi për të arritur objektivin e vëllimit të tregtisë prej 2 miliardë dollarësh.
“Objektivi i vëllimit tregtar prej 2 miliardë dollarësh nuk është një ëndërr, por një objektiv real dhe që ne mendojmë se do ta arrijmë”.
Vitin e kaluar, arritëm një vëllim tregtar prej 1.1 miliardë dollarësh, dhe me zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, kjo shifër padyshim që do të rritet, tha më tej z. Bilgiç.

Duke ritheksuar faktin se Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë, z. Bilgiç tha se kompanitë turke që investojnë këtu mund të kenë akses më të lehtë si në tregjet e BE-së edhe në tregjet e Rusisë.
“Marrëveshja e Bashkimit Doganor midis Serbisë dhe BE-së ofron mundësi të rëndësishme për investitorët turq, sepse BE-ja është një nga tregjet kryesore për eksportet turke”, tha Bilgiç. Ndërkohë, drejtori i Halkbank në Serbi, Kenan Bozkurt, tha se Serbia është një “portë lidhëse si me Lindjen, edhe me Perëndimin”.

“Qëllimi ynë është që të jemi një urë lidhëse ndërmjet Serbisë dhe Turqisë dhe për të lehtësuar qasjen në tregun e BE-së. Halkbank është një nga bankat më të mëdha të Turqisë dhe njëkohësisht një prej huadhënësve më të mëdhenj shtetërorë, që në maj të 2015, bleu 76.76% të aksioneve të bankës serbe Cacanska.

Banka hapi degën e saj të parë në Serbi në tetor 2015. Z. Bozkurt vuri në dukje se Halkbank dëshiron të investojë edhe në bujqësinë e Serbisë. Halkbank ka marrë pjesë për dy herë radhazi edhe në forumin agrar, por ne duam që ajo të investojë edhe në fusha të tjera.
Aktualisht, banka ka më shumë se 400 punonjës dhe 32 degë në të gjithë Serbinë. Disa degë të reja pritet të hapen në fund të këtij viti. Halkbank është huadhënësi i dytë më i madh pas Ziraat Bank në Turqi me 900 degë dhe 19,000 punonjës. Gati gjysma e aksioneve të Halkbank tregtohen në bursën kryesore të Turqisë, në Borsa Istanbul.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz