Serbi: Presidenti serb kërkon garancinë e anëtarësisë së BE-së

06/10/2018 10:10 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se do të kërkonte një garanci se vendi i tij do të bëhej pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2025, nëse Serbia do të arrijë të nënshkruajë ndonjë marrëveshje me Kosovën fqinje, lëvizje e cila do të hapë rrugën për të dyja shtetet për të hyrë në bllok.

Serbia dhe Kosova u angazhuan për të zhvilluar një dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2013, për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura mes tyre, por që prej asaj kohe është bërë shumë pak përparim.

“Përpara se ne të nënshkruajmë një marrëveshje me Prishtinën, Serbia duhet të garantohet se do të bëhet një shtet i Bashkimit Europian në vitin 2025, tha Presidenti Vuçiç për Reuters në një intervistë. Takimi që u zhvillua gjatë këtij muaji në Bruksel është i pari në të cilin Presidenti serb Vuçiç, së bashku me Presidentin Thaçi, u takuan ballë për ballë dhe biseduan në lidhje me shkëmbimin e tokës. Ata pritet të takohen edhe një herë tjetër gjatë këtij muaji.

Z. Vuçiç tha se mund të zgjasë deri në 10 vjet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë në një marrëveshje, për shkak të dallimeve të shumta që kanë vendet e tyre. “Ndonjëherë më vjen të qesh kur dëgjoj njerëzit që i thjeshtojnë gjërat aq shumë, saqë madje i kanë vënë edhe një datë të caktuar nënshkrimit të marrëveshjes. Madje thonë edhe se tre fshatra do të këmbehen me tre”, tha Presidenti i Serbisë.

“Nëse ne do të arrijmë ndonjëherë në një marrëveshje me Prishtinën, ajo do të ishte një marrëveshje e përgjithshme që do të përfshinte jo vetëm marrëdhëniet midis nesh dhe shqiptarëve në Kosovë, por do të duhej të përfshinte edhe një rezolutë për avancimin tonë drejt BE-së dhe më tej për zhvillimin ekonomik”, vazhdoi Vuçiç.

Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën në vitin 1999 pas një fushate bombardimi të NATO-s për të ndalur forcat serbe që të vrisnin dhe të dëbonin shqiptarët gjatë luftës dyvjeçare. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe që nga ajo kohë është njohur nga më shumë se 110 shtete, por jo nga pesë anëtarë të BE-së dhe as nga Rusia dhe Serbia. Marrëveshja e propozuar për shkëmbimin e tokës, e cila diskutohet veçmas si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, do t’i jepte Serbisë kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës, territor i populluar kryesisht nga serbët. Në këmbim, Prishtina do të fitonte kontrollin e komunave jugore serbe të populluara kryesisht nga shqiptarët.

Shtetet e Bashkuara dhe disa zyrtarë të BE-së kanë thënë se nuk do të kundërshtojnë asnjë marrëveshje për të cilën do të bien dakord fillimisht liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ndryshe nga ata, Gjermania e ka kundërshtuar idenë, duke u shprehur se ajo mund të ringjallte armiqësitë e vjetra të luftërave etnike të viteve 1990. Vuçiç tha se “është e pamundur që ne të arrijmë nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare pa mbështetjen e Gjermanisë, Rusisë, SHBA-së apo Francës|.

Ai tha se fushata për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian në majin e ardhshëm dhe rritja e popullaritetit të partive politike të krahut të djathtë në Europë mund të zvogëlojnë perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës. “A mendoni se qytetarët e këtyre vendeve (BE-së) do të dëshironin të dëgjonin për perspektivat e anëtarësimit të Serbisë (gjatë fushatës së BE-se), tha ai më tej.

“Tani për tani, ne nuk e dimë se ku janë kufijtë tanë”, tha Vuçiç duke shtuar se arritja e një marrëveshjeje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të kontribuonte në stabilitetin në rajon. “Askush në rajon nuk duhet të ketë frikë nga asnjë marrëveshje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, rajoni do të jetë më i qëndrueshëm, më i fortë dhe ekonomikisht më tërheqës për syrin e investitorëve”, tha ai më tej. Një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do t’i mundësojë Kosovës që të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. / Reuters

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz