Serbi/ Thatësira po ndikon negativisht në rritjen ekonomike

09/09/2017 8:00 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Sipas EURACTIV.rs, Serbia po planifikon të kompensojë rritjen më të ulët të PBB-së në vitin 2017. Edhe pse sipas zyrtarëve, treguesit ekonomikë janë të mirë, thatësira e tejzgjatur po ndikon negativisht dhe po e detyron qeverinë të ndryshojë vlerësimet e saj.

Më 21 gusht, qeveria serbe pranoi atë që kishin paralajmëruar ekonomistët dhe analistët, se rritja e PBB-së në vitin 2017 nuk do të arrinte 3% e parashikuar, pas rritjes prej 2.8% që shënoi në vitin 2016.

Kryeministrja Ana Brnabić shpreson se gjatë këtij viti, rritja do të shkojë në 2.5%, ndërsa Presidenti Aleksandar Vuçiç është pak më shumë optimist dhe pret që kjo rritje të shkojë në 2,6-2,7%.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në fillim të këtij viti, vlerësuan se rritja e PBB-së së Serbisë në vitin 2017 do të shkonte në 3%, ndërsa sipas vlerësimit të Komisionit Europian, ajo do të shkonte në 3.2%. Sipas Kryeministres së vendit, masat afatshkurtra që qeveria ka planifikuar për të kompensuar humbjet e shkaktuara nga thatësira mund të nxisin rritje shtesë deri në fund të vitit

“Masat afatshkurtra mund të sjellin rritje shtesë të PBB-së, nga 0.2 në 0.3%. Një gjë tjetër mjaft pozitive është se të gjithë treguesit e tjerë ekonomikë janë të mirë. Eksportet po rriten me 10-12%, ndërsa industria përpunuese me 6.8%. Në këtë aspekt dhe referuar këtyre treguesve, ne kemi një ekonomi në rritje dhe dinamike për më tepër, deklaroi Kryeministrja serbe përpara gazetarëve.

Znj. Brnabić theksoi se masat afatshkurtra ishin të gatshme, duke përfshirë pastrimin e kanaleve dhe subvencionimin e blerjes së traktorëve të rinj, makinerive dhe pajisjeve të tjera të nevojshme.

“Duke qenë se buxheti ynë është në gjendje të shkëlqyer, me disiplinë shumë të mirë fiskale dhe një suficit, ne mund të investojmë në masa afatshkurtra që do të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe që janë të mira në aspektin e investimeve kapitale. Sidomos ne do të përqendrohemi në projektet që janë gati për t’u realizuar gjatë kësaj kohe. Ne do të investojmë më shumë se sa menduam të investonim gjatë vitit 2017”, u shpreh Kryeministrja.

Megjithatë, ekonomistët nuk janë të bindur se masat do të japin rezultate serioze dhe nuk mendojnë se është e mundur të kompensohen vetëm në gjysmën e dytë të vitit rezultatet e dobëta të arritura në gjashtë muajt e parë të tij.

“Rezultatet e arritura në ekonominë serbe në gjysmën e parë të vitit ishin zhgënjyese dhe nuk ka pothuajse asnjë mundësi për t’i ndryshuar ato në rezultate pozitive në gjysmën e dytë të vitit, sidomos duke pasur parasysh thatësirën e madhe”, u shpreh për N1 TV, profesori i Ekonomisë Milojko Arsiç nga Universiteti i Beogradit, duke shtuar se nuk pret që ekonomia serbe të rritet më shumë se 2% deri në fund të vitit.

Ndërkohë, Presidenti serb u është drejtuar qytetarëve duke i thënë se ata nuk duhet të shqetësohen sepse prodhimi po rritet, rritja e eksporteve ndaj importeve është më e madhja në rajon, buxheti ka një suficit dhe borxhi publik po zvogëlohet. Ai gjithashtu vuri në dukje se Serbia e ka bazuar rritjen në sektorin e investimeve, e cila, sipas fjalëve të tij, është “një prej mënyrave më të shëndetshme të rritjes”.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz