Faqja e internetit serbe, Insajder ka zbuluar detaje financiare nga kontrata e menaxhimit për uzinën e çelikut në Smederevo, të cilën qeveria serbe e ka mbajtur sekrete që nga fillimi i vitit 2015.
Insajder publikoi ditën e djeshme se Serbia ka rënë dakord të paguajë 340,000 euro në muaj, plus shpërblime të tjera ndaj kompanisë menaxhuese HPK Engineering BV me bazë në Hollandë, sipas një kontrate që qeveria nënshkroi në mars të 2015 dhe që ka refuzuar ta bëjë publike që prej asaj kohe. Sipas Insajder, HPK gjithashtu do t’i jepeshin edhe 25 deri 35 për qind të të ardhurave totale të uzinës së çelikut të Smederevës gjatë çdo tremujori fiskal.
Kompania menaxhuese gjithashtu kishte të drejtën e një shpërblimi prej 800,000 euro nëse uzina e çelikut dilte me fitim për dy muaj rradhazi dhe 700,000 euro shtesë nëse prodhimi i çelikut do të kalonte pragun prej 375,000 ton. Nëse fabrika e çelikut do të privatizohej gjatë pesë viteve pas nënshkrimit të kontratës, HPK do të merrte edhe një shpërblim të barabartë me 30 për qind të çmimit të shitjes, por jo më pak se 10 milionë dollarë.
Kompania HPK Engineering e menaxhonte uzinën e çelikut të Smederevës derisa ajo iu shit në prill të 2016, kompanisë kineze, Hesteel, menjëherë pas së cilës qeveria serbe anulloi kontratën me HPK-në. Kompania me bazë në Holandë pretendonte se anullimi ishte i paligjshëm. Në maj të vitit 2018, një gjykatë e arbitrazhit në Londër tha se uzina e çelikut duhet t’i paguante kompanisë HPK, 12.4 milionë dollarë si dëmshpërblim. Kjo uzinë,e cila më përpara njihej me emrin Zelezara Smederevo, është një nga eksportuesit më të mëdhenj në Serbi, dhe që ka punësuar disa mijëra njerëz.