Serbia e prekur nga ndryshimet ekstreme klimatike

11/11/2017 8:09 AM 0 komente

Një valë e fortë dhe e zgjatur nxehtësie mbylli stinën e verës në pjesën më të madhe të Europës Qendrore, duke shtrembëruar shinat e trenave në Serbi dhe duke detyruar të paktën 10 vende të shpallin gjendjen e alarmit për shqetësimet shëndetësore dhe kursimin e ujit.

Dikur një ndër shqetësimet më të rralla, situatat ekstreme të motit si kjo e mësipërmja po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në të gjithë rajonin dhe madje edhe më të rrezikshme

Ekstremet e klimës. Një normalitet i ri?

Sistemi ekstrem i klimës, i pagëzuar me emrin “Luçiferr” për temperaturat e nxehta mbi 40 gradë Celsius, nxiti zhvillimin e një hetimi të veçantë nga shkencëtarët ndërkombëtarë më të rëndësishëm të klimës. Ekspertët gjetën një lidhje të qartë mes temperaturave të larta dhe efekteve të ndryshimeve klimatike.

Ndërsa një studim tjetër paralajmëroi se 350 milionë europianë në vit mund të jenë të ekspozuar ndaj ekstremeve të ngjashme deri në fund të këtij shekulli, veçanërisht në zonat jugore si Ballkani. Fatkeqësisht, tituj si këta nuk konsiderohen si lajme të reja për partnerët e zhvillimit që punojnë në rajon.

Një raport i fundit i Bankës Botërore zbuloi se temperatura e verës në rajonin e Ballkanit mund të ishte mesatarisht 7.5 ° C më e lartë se në kohët paraindustriale, me mungesa të theksuara të ujit dhe me ngjarjet ekstreme të motit shumë herë më të shpeshta dhe më të rënda.

Ky rrezik në rritje i klimës tashmë po kërcënon progresin e fundit social-ekonomik të Serbisë. Në vitin 2014, vendi pësoi përmbytjet më të rënda në më shumë se një shekull, duke çuar më shumë se 125.000 njerëz në varfëri dhe duke shkaktuar më shumë nga 1.7 miliardë euro dëme që duheshin dëmshpërblyer.

Masat e ndërmarra nga qeveria serbe

Këto sfida e kanë nxitur qeverinë e Serbisë të marrë masa për të qenë sa më të mbrojtur ndaj rreziqeve klimatike dhe fatkeqësive që e kanë përfshirë atë gjatë këtyre viteve të fundit. Pesë, janë nismat më të rëndësishme të këtyre përpjekjeve kolektive:

Institucionalizimi i menaxhimit të riskut për fatkeqësitë. Disa vende në Ballkan janë shpeshherë të ekspozuara ndaj rreziqeve dhe jo domosdoshmërisht përfitojnë nga kapaciteti kritik i menaxhimit të riskut, duke rezultuar të papërgatitura për të përballuar situata të tilla dhe me një rikuperim të ngadaltë nga fatkeqësitë.

Në fund të vitit 2014, Serbia u bë vendi i parë në Ballkan që përqafoi një kornizë gjithëpërfshirëse të Menaxhimit të Riskut për Fatkeqësitë, duke krijuar Programin Kombëtar të Menaxhimit të Riskut nga Fatkeqësitë dhe duke grumbulluar më shumë se 70 milionë dollarë për të ndërtuar kapacitetet për reduktimin e riskut nga fatkeqësitë e vendit dhe sistemet e menaxhimit të krizave.

Për të vlerësuar riskun, nevojat për rimëkëmbje dhe për të vlerësuar me saktësi pasojat nga përmbytjet e mëdha në vitin 2014, qeveria kërkoi mbështetje nga Banka Botërore, Bashkimi Europian (BE-ja) dhe Kombet e Bashkuara për të kryer një vlerësim më të detajuar për të përmirësuar rimëkëmbjen dhe rindërtimin.

Kjo përpjekje dha një informacion më të detajuar në lidhje me probabilitetin e rrezikut të situatave të tilla për të gjithë rajonin, njëkohësisht duke i drejtuat vendimmarrësit në zonat prioritare.

Sigurimi i mbrojtjes financiare, dhe këtu mund të përmendim huanë prej 66.1 milionë dollarësh që siguroi Serbia për procesin e rimëkëmbjes, pas përjetimit të një katastrofe të madhe. Kjo kredi (Catastrophe Deferred Drawdown Option), e para e këtij lloji në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, i jep qeverisë fleksibilitetin për të investuar në planifikimin strategjik dhe afatgjatë dhe është e informuar nga një strategji gjithëpërfshirëse e mbrojtjes financiare.

Ndërtimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për rimëkëmbjen. Politikëbërësit kuptuan se për të pasur një Menaxhim të Riskut për Fatkeqësitë sa më të qëndrueshëm, investimet afatgjata në sektorë të ndryshëm dhe që kanë objektiva shumë mirë të përcaktuara, janë të rëndësishme.

Në vitin 2017, qeveria filloi Planin Kombëtar të Veprimit për Menaxhimin e Riskut nga Fatkeqësitë, duke paraqitur një plan katërvjeçar për të përmirësuar procesin e rindërtimit dhe rimëkëmbjes, për të shmangur dhe për të zvogëluar rrezikun dhe për t’u përgjigjur në mënyrë sa më efikase ndaj fatkeqësive.

Shpërndarja e teknologjisë

Krahas ndërtimit të kapaciteteve për shfrytëzimin e burimeve dhe njohurive brenda Serbisë, qeveria u bashkua me Bashkimin Europian për të përfituar nga teknologjia e avancuar LiDAR në zhvillimin e modeleve të detajuara Dixhitale të Terrenit, që janë të prira për të qenë pjesë e fatkeqësive të tilla.

Mbështetur nga Banka Botërore dhe Global Facility për Minimizimin dhe Rimëkëmbjen ndaj Fatkeqësive, kjo përpjekje do të jetë edhe pikënisja për fillimin e prodhimit të hartave me zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat mund të integrohen në sistemet kombëtare të informacionit dhe do të përafrohen duke ecur në të njëjtën linjë me Direktivat e Përmbytjeve të BE-së, si një prej kushteve për të plotësuar sa më mirë kërkesat e pranimit.

Së bashku me forcimin e rrjetit kombëtar të monitorimit hidrometeorologjik, këto modele të terrenit do të ndihmojnë vendin për të planifikuar më mirë ndikimet klimatike dhe që do të përmirësojnë kapacitetet parashikuese. Kjo qasje e shumëfishtë ndaj menaxhimit të riskut nga fatkeqësitë mund të ndihmojë Serbinë në uljen e rrezikut në mënyra që asnjë program i vetëm nuk mund të arrijë.

Nga sigurimi i rimëkëmbjes efektive nga fatkeqësitë për t’u bërë ballë goditjeve të ardhshme, Serbia tani përfiton nga një nga strategjitë më të plota të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë të ndërmarra nga një qeveri deri më sot.

Ajo çka është më e rëndësishmja është se Serbia po punon ngushtë me një numër partnerësh për ta ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve, duke përfshirë këtu BE-në, GFDRR, Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore.

Partneritete si këto do të jenë vendimtare në menaxhimin e riskut mbi fatkeqësitë në qytete ku rritja po ndodh me shpejtësi dhe ku klima është në ndryshim të vazhdueshëm. Për Serbinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit, tani është koha që të jenë sa më mirë të përgatitura për të përballuar goditjet e mundshme klimatike. Shumë jetë njerëzish, si dhe perspektiva për një të ardhme më të mirë, varen prej saj.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz