Serbia ka konfirmuar interesin për një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar që do të përqendrohet në reformat për të nxitur rritjen ekonomike, deklaroi javën e kaluar huadhënësi ndërkombëtar, pas takimit që pati me zyrtarë të lartë serbë në Beograd.
Gjatë muajit të kaluar, Serbia përfundoi me sukses një program huamarrje trevjeçare prej 1.2 miliardë eurosh (1.48 miliardë dollarësh amerikanë) me FMN-në. Marrëveshja e re nuk do të përfshijë dhënien e fondeve të reja, por do të sigurojë mbështetje për zhvillimin dhe realizimin e një programi reformash.
Ky program pritet të ketë mbështetje edhe nga një Instrument për Koordinimin e Politikave, një marrëveshje jofinancuese, e bërë pjesë e FMN-së gjatë kohëve të fundit, për të siguruar një strukturë për dhënien e këshillave dhe monitorimin e politikave në vendet që nuk kanë nevojë për mbështetjen financiare të FMN-së.
Sipas tij, Serbia duhet të merret me ekonominë e saj gri, të rrisë investimet publike dhe private, të forcojë institucionet fiskale dhe të sigurojë mbështetjen e sektorit financiar.
FMN-ja tha se misioni i saj, i udhëhequr nga James Roaf, kishte takuar zyrtarët më të lartë të qeverisë serbe, duke përfshirë Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministren Ana Brnabiç, ku u diskutua mbi objektivat makroekonomike dhe prioritetet e politikave të vendit. Në një intervistë të dhënë për Reuters muajin e kaluar, znj. Brnabiç tha se qeveria pritet të fillojë negociatat me FMN-në mbi marrëveshjen e re në muajin mars dhe prill, ndërsa në mesin e këtij viti, kjo marrëveshje parashikohet të jetë nënshkruar. Vuçiç tha pas takimit me Roaf se Beogradi donte të ruante stabilitetin në financat publike.
“Më e rëndësishmja (ajo që ne duam) është që të kemi një rritje më të madhe ekonomike”, tha ai më tej.
Prodhimi ekonomik i Serbisë shënoi rritje të moderuar, vetëm prej 2% vitin e kaluar, i shoqëruar edhe nga një rënie në prodhimin e energjisë elektrike. Ekonomia parashikohet të rritet me 3.5% gjatë këtij viti.
Serbia dhe FMN-ja do të vazhdojnë bisedimet në maj mbi masat specifike të politikave që do të përfshihen në program. Vetëm në sajë të marrëveshjes së mëparshme të nënshkruar me FMN-në në shkurt të 2015-s, Serbia arriti që reduktojë borxhin publik dhe deficitin buxhetor, duke përfshirë shkurtimet e pagave në sektorin publik dhe shkurtimet e pensioneve.