Qeveria e Serbisë po planifikon të propozojë një ulje të normës së tatimit mbi të ardhurat personale, bëri të ditur ministri i financave Sinisa Mali, gjatë një takimi me ekipin e FMN-së.
Ministria ka në plan të propozojë një paketë masash stimuluese në shtator, duke përfshirë një ulje të taksës mbi të ardhurat personale, e cila do të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë së vendit, sipas ministrit, raporton SEE News.
Serbia aktualisht ka një taksë të sheshtë mbi të ardhurat prej 10% në burim, ndërkohë që një taksë shtesë deri në 15% zbatohet mbi të ardhurat vjetore bruto në fund të vitit. Që nga janari 2018, të ardhurat mujore jo të tatueshme në Serbi arrijnë në 15,000 dinarë (148.5 dollarë ose 127.1 euro)
Për më tepër, qeveria do të marrë vendimin përfundimtar për rritjen e planifikuar të pensioneve dhe pagave në sektorin publik në shtator, sipas Ministrit Mali.
“Negociatat do të jenë të vështira, meqë vendimi përfundimtar për rritjen e pagave dhe pensioneve pritet, por unë jam i sigurt se do të jemi në gjendje t’i bindim ata, sepse ka mjaft para në buxhet”, tha Mali.
Në maj, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç tha se heqja e ligjit për uljen e pensioneve u propozua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë bisedimeve me qeverinë, për përfundimin e një marrëveshjeje të re jo financiare me vendin. Serbia ka dalë në shkurt nga një program i suksesshëm shpëtimi trevjeçar prej 1.32 miliardë dollarë (1.13 miliardë euro) me FMN-në, që tejkalonte shumë nga synimet e saj makroekonomike.