Marrëveshja e gazit që Serbia ka nënshkruar me Rusinë gjatë vizitës së Presidentit, Aleksandar Vuçiç, në Moskë, do ta shndërrojë Serbinë edhe në një vend eksportues të gazit.
Sipas ekspertes dhe gazetares Radojka Nikolic, kjo gjë do të thotë se Serbia do t’u vendosë taksa shteteve të tjera, ashtu siç kanë vepruar në të kaluarën edhe vendet e tjera, si për shembull Hungaria.
“Deri më tani, Serbia ka qenë pjesë e nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme për të importuar gaz, ndërsa shumë shpejt ajo do të kthehet në eksportuese të gazit, që njëkohësisht do të thotë edhe përfshirjen e Serbisë në gazsjellësin e ri turk”, u shpreh znj. Nikoliç për Tanjug. Ajo theksoi faktin se gazsjellësi turk duhet të hyjë në Serbi nga Bullgaria dhe gjashtë muaj më parë, u vendosën tuba nën Detin e Zi, duke shënuar fillimin e ndërtimit të këtij gazsjellësi.
Gjithashtu, në fillim të korrikut të vitit të kaluar u nënshkrua një marrëveshje me Hungarinë, që i lejonte asaj të importonte gazin rus nga Serbia, marrëveshje e rëndësishme dhe domethënëse për Serbinë, sepse e bën atë një vend tranzit, tha znj. Nikoliç.
Ajo shpjegoi se tarifat që në të kaluarën i mblidhte Hungaria, në të ardhmen do të mblidhen nga Serbia, pasi do të jetë pikërisht ky shtet ai që do ta furnizojë Hungarinë me gaz. Por sipas kësaj marrëveshjeve nuk bëhet fjalë vetëm për eksportin e gazit në Hungari nga Serbia, por edhe për ndërtimin e dy tubacioneve të tjera gazsjellëse për të eksportuar gaz në Republikën Serbe dhe në Kroaci dhe që prej andej, ndoshta në ndonjë destinacion tjetër europian, tha znj. Nikoliç.
Ajo theksoi se ky ishte një prej investimeve më të mëdha dhe se pjesa e parë e tubacionit duhet të përfundojë brenda një periudhe tre ose katërmujore. Ndërsa përfundimi i të gjithë tubacionit të gazit turk do të dojë kohë më të gjatë. Dhe kjo pjesë, e cila është pikërisht edhe ajo që na shqetëson ne, do të përfundojë deri në fund të vitit 2019, periudhë gjatë së cilës do të përfundojë edhe marrëveshja ekzistuese midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në këtë drejtim, kjo është një mundësi shumë e madhe për Serbinë, shndërrimi në një vend tranzit për eksportin e gazit rus në vende të tjera, tha znj. Nikoliç më tej.
Përveç kësaj, shtoi ajo, është shumë e rëndësishme që Serbia gjatë kësaj kohe ka rritur konsumin e saj të gazit, një pasojë krejtësisht logjike e rritjes ekonomike të vendit.
Kjo rritje është ende minimale, me rreth 2% gjatë vitit 2017, ndërkohë që për 2018, ajo pritet të shkojë në 3.5%.
Dhe ne të gjithë kemi shpresën se kjo gjë do të arrihet. Pastaj ne me bindje do ta rendisim vendin tonë ndër vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike, ndoshta më të shpejtën në rajon. Edhe pse tani për tani, ne gjithsesi jemi mbrapa progresit të rajonit, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për eksportin e gazit do të thotë se rritja ekonomike e vendit, e cila edhe pse po rritet në mënyrë të ngadaltë, po merret në konsideratë.
Dhe kështu, së bashku me Serbinë që shndërrohet në një vend tranzit për eksportin e gazit rus, edhe tregtia me vetë Rusinë është e rëndësishme, theksoi ajo. Në nëntë muajt e këtij viti, eksportet shënuan një vlerë rreth 2 miliardë dollarë, ndërsa importet rreth 1.1 miliardë dollarë.
Znj. Nikoliç tha se edhe importet kanë shënuar rritje, megjithatë kjo rritje e tyre nuk mund të krahasohet me atë të eksporteve, e cila ka shënuar rritje me 27-28%.
Znj. Nikoliç gjithashtu vuri në dukje se të gjitha marrëveshjet që Serbia ka me Rusinë lidhur me eksportin e lirë dhe tranzitin e gazit përfundojnë në vitin 2021, periudhë kur Serbia do të duhet të harmonizojë rregulloren e saj me rregulloren e BE-së, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.