Ligjvënësit në Serbi dhanë dritën e gjelbër për projektin e zhvillimit përgjatë lumit në Beograd, financuar nga një investitor nga Abu Dhabia, por që ka prodhuar përçarje të thellë në mesin e banorëve të kryeqytetit.
Ndërtuesit shpresojnë të fillojnë punën në Beograd Waterfront këtë vit, duke e transformuar djerrinën e zymtë në bregun lindor të lumit Sava në të paktën 10 vitet e ardhshme në një pyll që shkëlqen nga metali dhe të qelqit me një kosto prej të paktën 3 miliardë eurosh (3.25 miliardë dollarë). Qeveria konservatore e Kryeministrit Aleksandar Vuçiç thotë se projekti do të gjenerojë 20,000 vende pune dhe do ta stimulojë ekonominë anemike të Serbisë. Kritikët thonë se kjo është një lojë e shtrenjtë, për të cilën konsultimi publik ka qenë “i ligsht” dhe nuk është treguar kujdes i mjaftueshëm ndaj karakterit të qytetit shekullor.
Ai është projekti i kurorëzuar i një aleance të pamundur mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Serbisë nën autoritetin e Vuçiç, që përfshin mbrojtjen, bujqësinë dhe financimin e lirë.
Parlamenti prej 250 vendesh i Serbisë votoi me 176 vota pro ndaj 9 kundër miratimin e një ligji të veçantë të interesit publik, që lejon shpronësimin e tokës dhe dhënien e lejeve të ndërtimit për projektin. Pjesa tjetër e ligjvënësve nuk ishin të pranishëm në votim pas tri ditë debatesh shpesh të hidhura. Sipas planeve, në 1.8 milionë metra katrorë tokë do të ndërtohen 5,700 apartamente, 2,200 dhoma hoteli, zyra për 12,700 persona, një qendër tregtare dhe një kullë prej 200 metrash sipas stilit të Dubait.
“Qytetet e mëdha janë ndërtuar nga ëndrra të mëdha”, tha Vuçiç në propozimin e projektligjit në Parlament.
“Unë nuk prisja një rezistencë të tillë ndaj modernizimit, progresit, ndaj diçkaje kaq të bukur për të cilën ne nuk kishim para; por tani ne i kemi paratë”, – tha Vuçiç, duke e krahasuar kundërshtinë me atë që u përballën arkitektët e Kullës Eifel në Paris dhe Shard në Londër.
Projekti shënon përpjekjet e para në Europën Qendrore dhe Lindore të Eagle Hills me bazë në Abu Dhabi dhe manjatit të pasurive të patundshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar.
Ky projekt siguron qasjen e UAE – ndërsa skontot mbeten relativisht të ulëta – në një vend që ka të ngjarë të bashkohet me BE, tregu më i madh i vetëm në botë, gjatë dekadës së ardhshme. Ai mund të shmangë rregullat e ashpra të prokurimit publik, transparencën dhe rregulloren e kërkuar nga anëtarët e BE-së, por që kapërcehen më lehtë në Serbi. Megjithatë kundërshtarët thonë se projekti, përgjatë bregut të lumit të njohur si amfiteatri Sava, ka shumë rrezik.
“Ky ligj u vjedh qytetarëve të Serbisë dinjitetin e tyre”, – tha deputeti i Partisë Demokratike, Balsa Bozovic, teksa ata perceptojnë se amfiteatri Sava po i dorëzohet një investitori; kryeministri dhe kryetari i komunës shqetësohen më shumë për interesat e investitorëve se ato të popullit të tyre”/ Reuters.