James Hogan, president dhe CEO i “Etihad Airways”, si dhe zëvendëskryetar i “Air Serbia”, ka mbrojtur vendimin e kompanisë së tij për të investuar në linjat ajrore në të gjithë botën, duke thënë se shoqëri si “Air Serbia” dhe “Alitalia” do të kishin falimentuar nëse nuk do të kishte ndërhyrë “Etihad”. Në fjalimin e mbajtur në një konferencë të Bashkimit Europian për konkurrencën e transportit ajror në Vjenë, z. Hogan sfidoi “Lufthansa”-n dhe ofensivën e saj kundër investimeve të kompanisë së tij.
Ai përmendi shembuj të ndihmës direkte shtetërore europiane që arrijnë në 14.2 miliardë euro, duke përfshirë një pagesë prej 800 milionë eurosh nga qeveria gjermane për “Lufthansa”-n, me qëllim që të mbështesë hendekun e fondit të pensioneve, ndihmë shtetërore prej 1.1 miliardë eurosh për “Swiss International Air Lines”, pas rënies së paraardhësit të tij, “Swissair”, dhe “absorbimit” të 500 milionë eurove të borxhit të qeverisë austriake të grumbulluara nga “Austrian Airlines”. Të dy linjat ajrore janë tanimë filiale të “Lufthansa”-s.
Deklaratat vijnë pasi blerja e “JAT Airways” nga “Etihad” dhe lançimi i “Air Serbia” gati një vit më parë, janë sërish në qendër të vëmendjes, pas arrestimit të CEO-s së Aeroportit të Beogradit së fundmi, me akuzën se ka i ofruar përfitime linjës ajrore me kosto të ulët “Wizz Air”, në kundërshtim me ligjet e shtetit. Politikanët, sindikatat dhe anëtarët e industrisë, kanë akuzuar qeverinë serbe për proteksionizëm, ndërsa ish-kryeministri i vendit, Zoran Zhivkoviç, tha se shteti do të subvencionojë “Air Serbia” deri në fund të vitit 2016.
Megjithatë, zoti Hogan tha se industria e linjave ajrore europiane është ndërtuar në dekadat e pronësisë dhe mbështetjes së qeverisë, dhe se edhe pas privatizimit ose privatizimit të pjesshëm, ndihmat qeveritare, refuzimet e borxhit dhe subvencionet e tjera vazhduan. “Konsolidimi i linjave ajrore është kritik për shërbime të qëndrueshme ajrore. Investimet e jashtme nuk përbëjnë kërcënim”, – shtoi ai.
Pa aksionet e “Etihad Airways”, z. Hogan tha se do të kishte një humbje të investimeve financiare dhe përfitimeve në sinergji për “Air Serbia”, “Air Berlin”, “AER Lingus” dhe “Darwin Airline”, si dhe një humbje të një “investitori shpëtimtar” për “Alitalia”, që kushton mijëra vende pune dhe çon në mbylljen e rrugëve ajrore, reduktime të fluturimit, çmime më të larta dhe humbje të të ardhurave nga taksat për qeveritë europiane. “Ka përfitime të forta ekonomike dhe sociale nga linja të qëndrueshme dhe të lidhura ajrore”, tha z. Hogan. “Etihad Airways” dëshiron që të angazhohet me Europën.