Flet Ingrid Postoli, specialiste pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit
Sezoni turistik veror do ta gjejë Shqipërinë me komitete rajonale për turizmin, Task Forcë rajonale të dedikuar për disiplinimin e zhurmave dhe kontrollin e ushqimeve me një plan masash të urdhëruar nga Kryeministri, si dhe gatishmërinë për parandalimin e zjarreve.
Ingrid Postoli, specialiste pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, shprehet se tashmë pjesa më e madhe e strukturave janë ngritur, ndërkohë që ka një dakordësi me Policinë e Shtetit për të shtuar patrullat në zonat bregdetare dhe malore, numrin e mjeteve të urgjencës nga Shëndetësia si dhe një koordinim me të gjitha ministritë e tjera për përgjegjësitë që kanë.
Maji është muaji kur vijnë turistët e parë të organizuar. Çfarë masash po merren nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për mbarëvajtjen e këtij sezoni?
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe vendore, kanë hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik, i cili është miratuar me Urdhër të Kryeministrit, nr. 39, 28.02.2018.
Është ngritur Task-Forca me përfaqësues nga institucionet qendrore dhe vendore, për të koordinuar dhe për të zbatuar planin e masave, me qëllim mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Janë ngritur Komitetet Rajonale të Turizmit, të cilat drejtohen nga prefektët.Mendimet dhe sugjerimet e dhëna nga operatorët turistikë, të huaj dhe vendas, përfaqësues të hotelerisë dhe udhërrëfyesit janë bërë pjesë e planit të punës për çdo institucion vendor.
Në kuadër të aksionit kombëtar të pastrimit, një nismë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, së cilës iu bashkuan institucionet qendrore dhe vendore, shoqatat mjedisore dhe turistike, qytetarë dhe të rinj, janë kryer pastrime në plazhin e Divjakës, Velipojës, Kepin e Rodonit.
Në qendër të aksionit kombëtar të pastrimit janë dhe shtretërit lumorë ku, në bashkëpunim me Prefekturën e Elbasanit dhe bashkitë ku kalon lumi Shkumbin, janë bërë pastrime nga mbetjet e ndryshme të cilat ndodheshin në brigjet e lumenjve.
Bashkëpunimi me institucionet qendrore dhe vendore është në vazhdimësi, për të menaxhuar dhe për të monitoruar sezonin.
Cilat janë sfidat që hasen këtë vit, a keni ndonjë feedback nga operatorët, qoftë hotele, restorante, agjenci?
Është përmendur dhe më lart që pjesë e planeve të punës janë mendimet, sugjerimet e operatorëve turistikë, përfaqësuesit e hoteleve, Shoqata e Kulinarisë dhe është forcuar bashkëpunimi me ta edhe në nivel rajonal. Shqetësimet më të mëdha nga operatorët kanë të bëjnë me problemin e zhurmave, tërheqja e mbetjeve të krijuara, rojet bregdetare, sinjalistka informuese, vendosja e sinjalistikës bregdetare dhe monitorimi i saj.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është duke informuar të gjitha bashkitë për zbatimin e akteve ligjore për zhurmat, si një nga shqetësimet e ngritura nga operatorët turistikë. Brenda muajit në vazhdim do të ngrihet dhe Task-Forca rajonale, e cila do të ketë objektiv të punës së saj shqetësimet e përmendura më lart.
Task-Forca rajonale do të përbëhet nga Inspektorati i Mjedisit, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe aktorë të tjerë rajonalë. Në vijim të takimeve me njësitë pushtetit vendor është dhe problemi i mbetjeve, vendosja e sinjalistikës informuese turistike dhe stacionet e plazheve private dhe ato publike.
A ka një koordinim ndërinstitucional me ministri të tjera të linjës si ajo e Brendshme, e Shëndetësisë apo e Infrastrukturës dhe Energjisë?
Në urdhrin e Kryeministrit, nr. 39, datë 28.02.2018 për ngritjen e Task-Forcës, dhe miratimin e planit të masave që përcakton detyrat për çdo institucion qendror dhe vendor, përcaktohen dhe detyrat për Ministrinë Shëndetësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, si dhe një sërë përfaqësuesish të institucioneve të tjera dhe ato të qeverisjes vendore.
Janë bërë gati planet e punës nga të gjitha institucionet e lartpërmendur, si dhe një pjesë e tyre kanë miratuar shtimin e personelit në fushat që mbulojnë dhe pajisen me infrastrukturën e nevojshme. Konkretisht, Policia e Shtetit do të shtojë shërbimin e saj në plazhin e Talës të Prefekturës së Lezhës, duke hapur poste policie me shërbime 24-orësh.
Po merren masa të forta monitoruese dhe për anijet shëtitëse me turistë si dhe mjetet e tjera lundruese. Është parashikuar shtimi i patrullave policore në të gjithë vijën bregdetare dhe në zonat malore, të cilat janë më të frekuentuara nga turistët. Do të shtohen sportelet e përpunimit të pasaportave nëpër pikat kufitare për të lehtësuar lëvizjen e lirë të turistëve.
Është hartuar dhe plani i shërbimit të urgjencës, duke rritur numrin e makinave për transportin e të sëmurëve në raste urgjencash. Së bashku dhe me ministri të tjera, jemi duke organizuar planet sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, duke angazhuar dhe institucionet e varësisë.
Kujdes të veçantë do t’i kushtohet dhe mbrojtjes nga zjarret. Në bashkëpunim me emergjencat civile dhe strukturat e shërbimit pyjor të bashkive po punohet në hartimin e planeve të përbashkëta për të rritur sigurinë nga zjarret.
Ministria e Kulturës ka marrë vendim shtyrjen e orareve për të vizituar qendrat e kulturore dhe muzeore, të cilat janë në juridiksionin e saj të administrimit. Gjithashtu do t’u jepet mundësia turistëve për të vizituar qendrat muzeore e kulturore dhe ditën e shtunë dhe të diel.
Po pushteti vendor në zonat bregdetare, Shkodër, Durrës, Vlorë etj., si paraqitett në masa?
Përqendrimi më i madh i pushueseve dhe për këtë vit do të jetë në bashkitë me vijë bregdetare, pasi i referohemi dhe numrit të kontratave të vendosura nga operatorët dhe hotelet. Për një mbarëvajtje sa më të mirë të sezonit turistik janë ngritur Komitetet Rajonale të Turizmit, të cilat do të luajnë rol koordinues midis institucioneve qendrore dhe vendore. Pjesë e këtyre komiteteve janë përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit.
Kjo ministri po zhvillon takime në të gjitha bashkitë që shtrihen në vijën bregdetare, me qëllim zgjidhjen e problemeve, nga ndotja akustike, ndotjet nga mbetjet, rojet bregdetare, caktimi i plazheve publike, sinjalistika turistike, përcaktimi i vendparkimit për autobusët e turistëve si dhe problemeve të tjera. Rëndësi e veçantë do t’i vihet dhe abuzimit me çmimet nga subjekte të ndryshme, të cilat do të jenë objekt kontrolli nga Task Forca rajonale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.