Bizneset e vogla dhe të mesme janë motori i zhvillimit për ekonomitë si Shqipëria dhe vendet e rajonit.
Në tremujorin e parë të vitit 2015, Shqipëria zinte vetëm 2% të peshës në portofolin e investimeve sipas shteteve të Fondit Europian për Europën Juglindore, një ndër institucionet më të mëdha në botë për sa i përket mikrofinancës.
Dy vite më pas, Shqipëria ka përkeqësuar pozitat e saj, duke e ulur peshën e saj në portofolin e investimeve vetëm në 1%, pavarësisht se vendi është donator direkt në fond…
Nga Ledina Loga
Shime Zhura në vitin 2013 mori në drejtim restorantin Marina, biznes familjar që nga 1983, në Split të Kroacisë. Restoranti, i ndodhur në një nga zonat turistike më tërheqëse të Kroacisë, në Parkun Kombëtar të Skradinit, mund të operonte vetëm gjatë sezonit nga prilli në nëntor, duke i krijuar vështirësi Shimas me forcën punëtorë të kualifikuar. “Askush nuk do të punojë vetëm gjashtë muaj”, – tha ai për gazetarët e ftuar nga i gjithë rajoni në konferencën e 10 vjetore të Fondit Europian për Europën Juglindore në Split të Kroacisë.
Shumë shpejt, me anë të mbështetjes financiare, Shime do të niste një projekt bujqësor, për prodhimin e produkteve bio në Skradin të Kroacisë, falë të cilit do të merrte zgjidhje dhe problemi i tij për të punësuar stafin e kualifikuar gjatë gjithë vitit.
Në nëntor, kur përfundon sezoni turistik, punëtorët kthehen në fermë dhe merren me prodhimin e vajit të ullirit, perimeve dhe të tjera produkteve. Ky model mund të përshtatet edhe në Shqipëri.
“Ne jemi si një familje e madhe”, shtoi ai.
Duke shfrytëzuar natyrën në Kroaci, e cila numëron më shumë se 1200 ishuj, edhe Zeljko Zanki bleu një anije me kapacitet prej 70 personash dhe filloi të organizonte ture në arkipelagun e Zadarit. Shumë shpejt ai do të zgjeronte flotën me dy anije të tjera dhe do të punësonte më shumë se 20 persona. Për blerjen e anijeve, Zeljko kishte marrë një kredi 100 mijë euro nga fondet e EFSE-së për 10 vjet me interes 6.5%.
Fondi Europian për Europën Juglindore (EFSE) zhvilloi këtë vit mbledhjen e 10 në Split të Kroacisë, ku si moto ishte krijimi i mundësive në përfshirjet financiare, nisma start-up dhe sipërmarrje. Në këtë mbledhje merrnin pjesë guvernatorë të bankave qendrore, ndër ta edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, si dhe drejtues të lartë bankash qendrore, përfaqësues nga Fondi Europian për Europën Juglindore, drejtues bankash dhe institucionesh mikrofinanciare, përfaqësues nga bota e biznesit dhe asaj të medias. Motoja e takimit të këtij viti ishte një zgjerim i natyrshëm i fokusit të fondit në bizneset e vogla, krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike e vendeve të rajonit.
Segmenti i bizneseve të vogla dhe të mesme, ku bëjnë pjesë Shima, Vito dhe Zeljko, i përgjigjet 61% të vlerës së shtuar në ekonomi në të gjithë rajonin, në një mjedis gjithnjë e më shumë të pafavorshëm biznesi.
Sipas studimeve të kryera nga Finance in Motion, grup mbështetës në menaxhimin e EFSE-së, rreth 50% e të intervistuarve u përgjigjën se e shikojnë shumë të vështirë, pothuajse të pamundur, që të nisin një biznes dhe vetëm 16% e tyre do të merrnin hua nga një institucion financiar për ta nisur atë.
Që prej fillimit të tij, EFSE, një prej fondeve më të mëdha të mikrofinancës në botë numëron 876 mijë kredi të dhëna, me një volum mesatar prej 6,930 euro dhe me më shumë se 700 mijë vende të reja pune të krijuara. 95% e totalit të kredive ka shkuar për financimin e ndërmarrjeve të mikro dhe të mesme dhe vetëm 5% kanë qenë kredi për individë.
Një ndër sfidat më të mëdha me të cilat po hasen institucionet financiare është kërkesa e ulët për kredi.
Sipas Christoph Tiskens, kryetar i Bordit Drejtues të EFSE, kredia po ulet gjithnjë e më shumë, ndërsa likuiditetet po rriten. Megjithatë, ai u shpreh optimist për sa u përket kredive të dhëna nga institucionet partnere të EFSE, ku për tre muajt e parë të 2017-s, ishin disbursuar 138.2 milionë euro kredi dhe për muajt në vazhdim parashikohej disbursimi i 200 milionë eurove.
“Njerëzit e kanë të vështirë të investojnë, ekonomitë e rajonit janë në depresion dhe për herë të parë ka lindur nevoja që EFSE të vendosë kontakte direkte me investitorët.
Megjithëse i gjithë rajoni ka pasur tepricë në likuiditet duhet thënë se fatkeqësisht ky likuiditet nuk është përkthyer në rritje të kreditimit. Ne besojmë se kjo është një situatë e përkohshme”.
Gjatë konferencës për shtyp, ku drejtues të EFSE-së iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve, për sa i përket normave të interesit, Sylvia Wisniwski, drejtore manaxhuese e Finance in Motion, tha se ky institucion bazohet mbi rregullat e tregut dhe se nuk është një institucion subvencionues. Normat e larta të interesit sipas zonjës Wisniwski janë një qasje ndaj financimit të qëndrueshëm. Megjithatë pavarësisht normave, financimi i NVM-ve ka kosto të larta, të cilat ne po përpiqemi që t’i ulim, tha ajo.
Edhe Christoph Tiskens, kryetar i Bordit Drejtues, tha se EFSE po punon që të ulë në maksimum këto kosto dhe se ishin duke krijuar një bazë të dhënash për të lehtësuar punën në të ardhmen. Mbase ka ardhur koha që të vendosim kontakt të drejtpërdrejtë me klientët.
Lidhur me fondet e EFSE-s, ku Shqipëria ka ulur peshën e saj në portofolin e investimeve, nga 2 në 1%, guvernatori Gent Sejko u shpreh se kredia e dhënë nga EFSE është e shtrenjtë me interes 7.5%. Bankat nuk janë të interesuara. Ndërsa si shkak për uljen e peshës në portofolin e investimeve është dalja e Bankës Kombëtare Tregtare, e cila për shkak se kishte likuiditet të mjaftueshëm, nuk absorboi më fonde nga EFSE.
Krizat politike, shkak për absorbimin e ulët të fondeve në rajon
I gjithë rajoni i Ballkanit është përfshirë së fundmi nga krizat politike, faktor që sipas Sylvia Wisniwski ka ndikuar drejtpërdrejt te kërkesa për kredi.
“Nuk ka kërkesë, u shpreh ajo, jemi në dialog të vazhdueshëm me institucionet financiare për të promovuar dhënien e kredisë. Nuk është se nuk duam të japim kredi, por mjedisi është i vështirë. Kriza politike ka stepur investimet”.
Për sa i përket krizës politike në Shqipëri, i intervistuar për “Monitor”, guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh optimist për sa i përket zgjidhjes së ngërçit politik, duke shtuar se shtyrja e zgjedhjeve për një periudhë të mëvonshme (shtator apo dhjetor do të frenonte investimet dhe do të paralizonte ekonominë).
Për ndikimin e krizës në ekonomi, ai u shpreh se nuk janë përpunuar ende të dhënat për tremujorin ku mund të shtrihen efektet e krizës, por që ka pasur ndikim tek investimet dhe te konsumi, të cilat do të prekin PBB-në për tremujorin e dytë. “Presim që të dalë treguesi i ndjeshmërisë ekonomike, që ka në përbërje një sërë komponentësh si besimi konsumator, etj”.
Kalimi i periudhës zgjedhore do të sjellë nxitje të ekonomisë, rritje të kredisë, pasi shumë projekte janë të lidhura me qeverinë.
Në Shqipëri, fokusi te bujqësia
65% e kredive të disbursuara në rajon nga partnerët e fondit kanë shkuar për sektorin e bujqësisë.
Sylvia Wisniwski e Finance in Motion tha se EFSE po mbështet partnerët e tyre financiarë për të zhvilluar më tej sektorin në Shqipëri, një prej tyre edhe FED Invest, partner që nga 2013. Tradicionalisht këto institucione financiare, partnere me ne, u kanë shërbyer fermerëve, të cilët kanë pasur bazën e tyre të klientëve. Për sa i përket Fed Invest, EFSE po përpiqet që të mbështesë në transformimin e këtij institucioni në një bankë, në mënyrë që të ofrojnë më shumë shërbime dhe produkte, si dhe të shtrijnë praninë gjeografike në treg.
Në lidhje me krijimin e bankave të reja në treg, guvernatori u tregua skeptik. Ai u shpreh se nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për krijimin e ndonjë banke të re. Për sa i përket FED Invest mund të hyjë në treg si bankë, vetëm në rast se blen ndonjë nga bankat ekzistuese.
Mirë po, bankat në Shqipëri, por jo vetëm, kanë hyrë në një krizë për sa i përket kreditimit dhe niveleve të larta të depozitave.
Edhe Sylvia Wisniwski tha se shqiptarët janë të nxitur për të depozituar, që do të thotë se kanë besim te bankat dhe kjo është diçka pozitive. “Por, nga ana tjetër, ne synojmë që të nxisim zhvillimin e sipërmarrjes dhe sjelljes në jetë të bizneseve të reja. E theksoj që nuk është çështje e vullnetit të bankave për të dhënë kredi, por është mungesa e kërkesës. Prandaj ne po bëjmë shumë që të mbështesim zhvillimin e biznesit. Në Kosovë, për shembull, ka pasur një nismë me qendrën e biznesit atje ku po mbështeten bizneset e reja. Një gjë të tillë duam që ta vendosim edhe në vendet e tjera të rajonit”, shtoi ajo.
Sipas të dhënave nga Fondi Europian për Europën Juglindore, 55% e totalit të kredive të dhëna nga institucionet partnere ishin dhënë në monedhën vendase. Drejtues të fondit e vunë theksin te rreziku që përballen klientët nga kursi i këmbimit.
Aktualisht pesha e kredisë në euro në Shqipëri është në nivelet e 52.4% ndaj totalit të kredisë, 13 pikë më pak se në vitin 2011, kur niveli i kredisë në valutë ishte 65%. Por bankat nuk kanë mundur të kontrollojnë kahun e ofertës, atë të kursimeve në valutë. Ndonëse interesat e depozitave në euro janë afër zeros dhe monedha e përbashkët është zhvlerësuar ndjeshëm vitet e fundit, kjo nuk i pengon shqiptarët të mbajnë kursimet në euro. Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në 52.4% të totalit në fund të shkurtit 2017.
Euroizimi ka qenë një problem në të gjithë rajonin ku operon EFSE.
Për të frenuar euroizimin e mëtejshëm të ekonomisë, Banka e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje së bashku me institucione të tjera financiare.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se kanë një plan të detajuar për zvogëlimin e përdorimit të euros në ekonomi. Memorandumi i përbashkët ka një plan pune të detajuar për institucionet që e kanë nënshkruar.
Bankat e nivelit të dytë janë njoftuar në lidhje me kushtet e reja për sa i përket heqjes së renumerimit të rezervës së detyrueshme. Bankat do të jenë të detyruara të njohin klientët me pasojat e marrjes së kredisë në valutë. Gjithashtu bankat janë njohur edhe me afatet që do të zgjasin këto kushte. Çdo institucion ka planin e vet të detajuar. Megjithatë, guvernatori tha se synojnë që të frenojnë përdorimin e euros, por nuk duhet të harrojmë që partnerët tanë tregtarë janë pjesë e Eurozonës.
————–
Fondi Europian për Europën Juglindore
Fondi Europian për Europën Juglindore (EFSE) u themelua nga Banka për Zhvillim, KfW, me mbështetjen financiare të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe të Komisionit Europian. Ai synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin në Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Bosnjë e Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Kosovë, Gjeorgji, Moldavi, Malin e Zi, Rumani, Serbi, Ukrainë dhe Turqi. Duke qenë se aksesi në burime financiare është një faktor kyç suksesi në zhvillimin e segmenteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, EFSE fokusohet në ofrimin e ndihmës për sektorët financiarë vendas për forcimin e mundësive të tyre për të siguruar financime të mjaftueshme dhe të qëndrueshme. Financimet që siguron EFSE-ja si financim afatgjatë kryesisht për ndërmarrjet mikro dhe të vogla (NMV-të), por edhe për familjet në formë kredie për rikonstruksionin e shtëpive, kanalizohen drejt këtyre klientëve të kredisë përmes institucioneve partnere huadhënëse vendase. Në mbështetje të aktiviteteve të investimit të EFSE-së është Mekanizmi i Zhvillimit i EFSE-së, i cili u siguron institucioneve partnere huadhënëse asistencë teknike, shërbime konsultimi dhe trajnimi për të ndërtuar kapacitetet operacionale dhe menaxhimin profesional.
E themeluar nga Banka për Zhvillim KfW (KfW) më 15 dhjetor 2005 nga katër programe, me shumë donatorë nën menaxhimin e saj, EFSE-ja është partneriteti i parë publiko-privat i këtij lloji dhe fondi i parë me menaxhim privat në financën e zhvillimit që shfrytëzoi fondet private për financimin e NMV-ve në rajonin e synuar. Kapitali sigurohet nga agjenci donatore, institucione financiare ndërkombëtare dhe investitorë privatë institucionalë, përfshirë Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Komisionin Europian (KE), Qeverinë e Shqipërisë, Mbështetjen e Kreditit për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm (SMBCS), një filial i Bankës Qendrore të Armenisë, Bankën për Zhvillim të Austrisë (Oesterreichische Entëicklungsbank – OeEB), Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencinë Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (Danida), KfW si investitorin kryesor, Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), Kompaninë Holandeze të Financës (FMO), Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankën Europiane të Investimeve (BEI), Sal. Oppenheim dhe Deutsche Bank.
Oppenheim Asset Management Services S.àr.l., Luksemburg dhe Finance in Motion GmbH, Gjermani, janë përkatësisht Menaxhuesi i Fondit dhe Këshilluesi i Fondit i EFSE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.