Flet Enton Duro, kreu i Drejtorisë së sapokrijuar të Taksës së Pronës dhe Pasurisë
Shqipëria do të ketë gati një kadastër fiskale për të gjithë ndërtesat në territorin e saj në fund të vitit 2020. Ky do të jetë regjistri i parë i këtij formati dhe procesin e ndërtimit do ta udhëheqë Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që po asiston Drejtorinë e sapokrijuar të Taksës së Pronës dhe Pasurisë.
Kreu i këtij institucioni, Enton Duro, në një intervistë për “Monitor”, dha në detaje se çfarë do të ndodhë hap pas hapi me ndërtimin e kadastrës fiskale, synimin për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave nga taksa mbi ndërtesën, si dhe hartimin e kuadrit ligjor për mënyrën sesi do të regjistrohen dhe taksohen trualli dhe toka bujqësore.
Taksa e pasurisë është reformuar tërësisht në metodologji. Ku jemi sot, duke qenë se taksa ka hyrë në fuqi nga data 1 prill 2018?
Ashtu si dhe ju shpreheni, nga 1 prilli ka ndryshuar metodologjia, duke iu referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave. Ky vendim ka bërë një ndryshim rrënjësor nga pikëpamja metodologjike për llogaritjen e taksës së pasurisë nga një taksë, e cila ishte e bazuar mbi sipërfaqen dhe mbi një shumë fikse, ndërsa tashmë kemi një orientim gjithmonë e më shumë drejt një takse, e cila do të shkojë dhe do të bazohet në vlerën e tregut të banesave.
Aktualisht, bashkitë janë njohur gjerësisht me metodologjinë. Falë USAID, ne kemi organizuar tre takime pune, në një hark të shkurtë kohor dhe kemi ndarë me to të gjitha çështjet metodologjike që kanë pasur nevojë për sqarim të mëtejshëm. Pra, bashkitë janë shumë më të informuara se më parë, për sa i përket zbatimit të metodologjisë së re të taksës së pasurisë.
Ne presim që në ditët në vijim, të gjitha bashkitë të jenë korrekte në zbatimin e kuadrit metodologjik dhe ligjor, ndërkohë që komunikimi që ne kemi pasur dhe kemi, është i përditshëm, duke u ndalur tek të gjitha çështjet teknike që kërkonin dhe një referencë ligjore apo interpretim. Presim që taksa e pasurisë tashmë të jetë e llogaritur korrektësisht me metodologjinë e re dhe mënyra sesi është proceduar nga pikëpamja e mbledhjes para datës 1 prill të vazhdojë të jetë edhe në vijim, deri në një moment të dytë.
Fillimisht u fol për një agjent tatimor që do ta zgjidhte qeveria, por deri më tani nuk ka një të tillë. Çfarë opsionesh kanë bashkitë sot për të mbledhur taksën, si po veprohet konkretisht?
Referuar ligjit për sistemin e taksave vendore, kemi një hapësirë ligjore, që qeveria mund të përcaktojë një agjent tatimor për mbledhjen e taksës së pasurisë. Aktualisht, paralelisht me implementimin e ndryshimeve ligjore, ne po analizojë dhe vlerësojmë gjithë procesin e marrjes së një agjenti. Do të fillojmë të bëjmë analizën e kosto-përfitimit të këtij agjenti, por për momentin nuk kemi marrë asnjë vendim. Jemi në fazat e para të analizës. Për momentin, agjenti tatimor aktual është ai që ka qenë më parë.
Ka bashki që kanë përdorur ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe që do të vijojnë të përdorin po këtë agjent. Ka të tjera që taksën e kanë mbledhur në zyrat e tyre dhe njëlloj do të veprojnë, derisa të marrim një vendim për agjentin nëse analiza do të na sugjerojë se duhet të përzgjedhim një të tillë. Sigurisht, procesi do të shoqërohet edhe me ndërtimin e kadastrës fiskale. Pra, në momentin që do kemi fazën e parë të funksionimit të saj, do të jetë më e lehtë të flasim për një agjent që mund të unifikojë procesin e mbledhjes së taksës së pasurisë.
Ka një vendim që krijoi drejtorinë e Taksës së Pronës dhe Pasurisë. Mund të themi shkurtimisht se cilat janë përgjegjësitë e kësaj drejtorie në këtë proces?
Vendimi nr.171, datë 28 mars 2018 përcakton përgjegjësitë, organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, ku fokusi kryesor bie tek udhëheqja nga pikëpamja metodologjike e gjithë kësaj reforme, lidhur me taksën e pasurisë. Roli kryesor i drejtorisë do të jetë asistues, orientues dhe mbështetës për nevojat që kanë bashkitë për të menaxhuar dhe për të çuar përpara këtë proces.
Flasim për kadastrën fiskale, por çfarë është në fakt kjo kadastër që do të kemi nesër gati për taksimin e pronës?
Perceptimi kur dëgjojmë për një kadastër është për një regjistër. Në fakt, kadastra fiskale nuk do të jetë vetëm një regjistër. Pika e saj e fortë është mundësia për të pasur informacion në kohë reale, përpunimi i të dhënave dhe rifreskimi në kohë reale i këtyre të dhënave, si dhe thjeshtësia e saj në përdorim. Dëshiroj ta quaj një instrument teknologjik shumë eficent në mbështetje të reformës. Kadastra fiskale do të ndërtohet falë një marrëveshje granti që ne kemi tashmë me SIDA-n (Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim).
Jemi në ditët e para të këtij projekti. Kemi filluar rekrutimin e stafit për ndërtimin e kadastrës fiskale që do të shërbejë si një instrument në ndihmë të bashkive për të llogaritur, për të kontrolluar dhe për të pasur gjithë informacionin e nevojshëm sa i përket taksës së pasurisë. Akses në kadastër do të kenë edhe të gjithë taksapaguesit. Pra në momentin e funksionimit të saj çdo individ apo subjekt, nëpërmjet një numri identifikues ID, do të ketë mundësinë për t’u përditësuar dhe për të marrë informacion për detyrimin që ka për taksën e pasurisë, por jo vetëm kjo. Taksapaguesi mund të nxjerrë informacion edhe për vlerën e pasurisë së tij, etj.
Çfarë elementesh do të përfshijë identifikimi i pronës në kadastër?
Pasuria do të ketë një numër unik identifikues, pra flasim për njësi pronësore si apartamenti, banesa, dyqani, njësi tregtare. Të gjitha këto do të kenë një numër identifikues unik në kadastër dhe më pas gjithë elementet e tjera shtesë, siç vendndodhja gjeografike, adresa ku ndodhet pasuria, subjekti që e zotëron, përdor apo e ka në pronësi dhe elemente të tjera plotësuese të identifikimit të ndërtesës.
Kuadri ligjor ju ka lënë mundësi që të shkëmbeni informacion me institucione të tjera të lidhura drejtpërdrejt me pronat si Hipotekat, ALUIZNI? A e keni nisur shkëmbimin e informacionit me to?
Ne jemi ende në fazë komunikimi për të marrë të dhëna nga këto institucione dhe këto më pas t’i vëmë në shfrytëzim të kadastrës fiskale. Ligji mbi sistemin e taksave vendore ju jep mundësi bashkive që të shkojnë dhe të adresohen te Zyrat Rajonale të Regjistrimit të Pasurive për të marrë të dhënat që më pas i aplikojnë te taksa e pasurisë. Është një proces i vazhdueshëm që do të na shërbejë në fazën e parë të ndërtimit të bazës së të dhënave për nisjen e kadastrës fiskale. Kjo, më pas, do të hyjë në një cikël periodik përditësimi që do të zgjidhin problematikat që mund të kenë të dhënat e marra në fazën e parë.
Ku konsiston asistenca e SIDA-s lidhur me projektin e kadastrës?
Asistenca e SIDA-s në ndërtimin e kadastrës fiskale është thelbësore. Ajo do të sjellë gjithë “know how” (njohuritë), stafin e vet që ka ekspertizën e duhur për të ndërtuar kadastrën. Ne do të jemi gjysma që do të marrë dhe përcjellë të gjitha njohuritë e nevojshme për të vazhduar pastaj operimin e kadastrës fiskale, por projekti fillon nga A-ja tek Zh-ja me ekspertët e SIDA-s. Ata do të sjellin software, personat IT që ndërtojnë algoritmin, vlerësuesit që do të merren me mënyrën e përmirësimit të metodologjisë, për të arritur te vlerat reale të tregut të një ndërtese, si dhe ekspertë ligjorë për të asistuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis taksapaguesit dhe
bashkive.
Në fund të vitit 2020 do të kemi një kadastër fiskale që do të përfshijë vetëm pjesën e ndërtesave, apo edhe regjistrimin e pronave të tjera, shtetërore, servitute, tokë bujqësore?
Një nga detyrat që kemi ne si Drejtori e Përgjithshme e Taksës dhe Pasurisë, sipas ligjit, është edhe hartimi i kuadrit ligjor për pjesën e taksimit të tokës. Për momentin, ne do të nisim vetëm me taksën e ndërtesës, duke kaluar ndoshta në një fazë të dytë tek trualli dhe toka bujqësore. Projekti i Kadastrës Fiskale do të vazhdojë deri në dhjetor 2020. Deri në këtë periudhë, do të ketë përfunduar regjistrimi i të gjitha ndërtesave në Republikën e Shqipërisë. Kapaciteti do të jetë për të regjistruar 4 milionë prona, megjithatë, pasi të kalojë kjo fazë, procesi bëhet më i thjeshtë, pasi në hartë mund të integrosh edhe informacionin mbi truallin dhe tokën bujqësore.
Keni marrë ndonjë reagim nga pushteti vendor lidhur me çmimet e referencës që janë caktuar?
U kemi nisur një kërkesë bashkive, së bashku me një formular me disa pyetje, ku pjesa e çmimeve të referencës është e përfshirë. U kërkuam se çfarë veprimesh vendimmarrëse kanë pasur në funksion të metodologjisë, duke shfrytëzuar të gjithë hapësirat që u lihen bashkive për të rritur fleksibilietin në vlerën e taksueshme të ndërtesës.
Në këtë kontekst janë dy elemente kryesore që parashikon ligji, që është reduktimi apo rritja e shkallës së taksës (+) (-)30% që është në kompetencat e Këshillit Bashkiak, dhe e dyta reduktimi deri në 35% për zonat që në vitin 2015 ju bashkuan qyteteve në formën e njësive administrative territoriale. Për Tiranën, kjo është 30%. Janë dy vendime që rrisin fleksibilitetin e çmimeve referuese ose vlerës së pasurisë nisur nga çmimet referuese që kemi përfshirë në metodologji. Presim përgjigjet nga ana e tyre, për të pasur një hartë të plotë, mbi procedurat dhe vendimet e marra.
A i ka ezauruar kuadri ligjor të gjitha hallkat e zgjidhjes së problemeve që lidhen me mbivendosjet, çështjet e sipërfaqeve, ndarjen e qartë të territoreve?
Për herë të parë, në metodologjinë që është kaluar me vendim të Këshillit të Ministrave përfshihet edhe elementi i korrigjimit. Është një element efikas, që i jep mundësi individit në çdo kohë që mendon se taksa është e devijuar nga vlera e pronësisë që ka, të shkojë dhe të kërkojë korrigjimin pranë zyrave të taksave në bashki.
Kemi lënë një hapësirë 30-ditore që bashkitë t’ju përgjigjen. Kuptohet që me gjithë kapacitetet që kanë bashkitë, do të ishte pak e vështirë që të përgjigjeshin në një kohë më të shkurtër, ndaj 30 ditë duket një kohë e mjaftueshme për t’i dhënë një përgjigje qytetarit dhe për të verifikuar nëse korrigjimi duhet bërë ose jo. Një mënyrë tjetër është ankimi. Te ky proces kemi dy hapa. Ankimi administrativ, i cili ka një kohë 30 ditë nga momenti i marrjes së njoftimit të detyrimit të taksës për t’u ankuar, dhe më pas, nëse nuk merret një përgjigje pozitive, qytetari ka të drejtë të bëjë ankim gjyqësor. Kështu që kemi të paktën dy qasje paralele korrigjimi dhe ankimi dhe qytetari zgjedh vetë kë do përdorë.
Risi e ligjit ka qenë përfshirja e atyre objekteve për të cilat është marrë leje ndërtimi dhe nuk është respektuar afati? Si e kanë parë bashkitë këtë pikë? A e kanë kuptuar? Po ndonjë problem kanë hasur?
Ne nuk kemi gjetur asnjë problem madhor sa i përket metodologjisë. Ka ende pjesë që duhen folur dhe trajtuar, pasi metodologjia është shumë dinamike dhe ka një gamë të gjerë mendimi për ta absorbuar dhe për ta zbatuar. Besoj që bashkitë e kanë kuptuar si do të zbatohet, pasi edhe është trajtuar në takimet që kemi pasur me to. Gjithsesi, dua të theksoj se ky është një element nxitës për tregun e banesave. Godinat që rrinë pa u shfrytëzuar dhe nuk kanë nxitës të tjerë për t’i çuar drejt përfundimit, me vendosjen e taksës mbi këto ndërtesa, patjetër që do të kenë një nxitje më shumë për të shpejtuar përfundimin dhe për ti orientuar në treg.
Edhe pse taksa ka nisur më 1 prill me metodologjinë e re, bashkitë kanë kohë që ta arkëtojnë qoftë me një pagesë të vetme, qoftë me disa këste. Në dijeninë tuaj, sa bashki kanë nisur ta aplikojnë këtë taksë të re?
Flasim për dy grupe, familjet dhe bizneset. Ky është një informacion i kërkuar me anë të formularëve për bashkitë. Por bashkitë që kanë pasur një formë mujore të arkëtimit tek familjet do të vazhdojnë ta bëjnë atë. Dimë që Tirana, Durrësi, Korça përdorin Ujësjellës-Kanalizimet dhe e bëjnë çdo muaj këtë ndarje pagese për taksën e pasurisë. Ka bashki që e kanë bërë arkëtimin në frekuencë 3-mujore apo 6-mujore. Sa u përket bizneseve, pagesat kanë pasur frekuencë më të ulët (gjashtëmujore ose vjetore) dhe duhet të pranojmë se bashkitë janë më të sigurta tek ky grup.
Taksa e pronës, edhe pse ekzistuese, nuk është paguar në nivele të kënaqshme.
Fakti që kemi një reformim të saj për shumë individë mund të jetë konfuz. A ka një plan për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për pagesën e kësaj takse?
Patjetër. Ne kemi përfshirë në metodologji informimin e bashkive, të cilat së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë kemi marrë masa sensibilizuese dhe për informim të gjerë të publikut. U kemi rekomanduar bashkive të marrin hapa komunikimi me taksapaguesit, për ta kuptuar më mirë këtë taksë dhe të komunikohet që në fakt ajo u kthehet banorëve, me një përfitim direkt tek investimet që bëhen në territorin e tyre, çka rrit vlerën e pronës, por edhe përmirëson cilësinë e jetesës në komunitet. Por, duke ju falënderuar, edhe nëpërmjet jush ne po informojmë publikun mbi ndryshimet e fundit për taksën e pasurisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.