Nga tregu i sigurimeve, letrat me vlerë te fondet e investimeve…
Nga Pajtim Melani*
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, së bashku me Bankën e Shqipërisë janë dy institucionet rregullatore dhe mbikëqyrëse të sistemit financiar shqiptar. Sfidat dhe prioritetet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, nën drejtimin e Bordit të ri të konceptuar sipas parimeve të “kontrollit dhe balancës” me kryetarin dhe dy anëtarë part-time dhe me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv dhe zv.drejtorin full-time dhe anëtarë të Bordit shtrohen në një plan të ri të funksionimit të institucionit të mbikëqyrjes financiare.
Në paraqitjen e prioriteteve janë mbajtur parasysh kryesisht, por jo vetëm rezoluta e Kuvendit për Veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2015, raporti i progresit për Shqipërinë për vitin 2014, kapitulli 9 – Shërbimet financiare, raportin e Stabilitetit të FMN-së për Shqipërinë, rishikimin e dytë dhe të tretë (IMF country report no 15/48, February 2015) si dhe impiantin ligjor dhe nënligjor të funksionimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Prioritetet janë paraqitur në dy plane: rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut, si dhe organizimin dhe rritjen e kapaciteteve të mbikëqyrjes të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Rregullimi dhe mbikëqyrja e tregjeve
Sipas ligjit organik, në tregjet e rregulluara dhe që mbikëqyren nga AMF përfshihen: (a) tregu i titujve (Letrave me vlerë), (b) tregu i sigurimeve, risigurimit, ndërmjetësimit, (c) tregu i pensioneve vullnetare si dhe (ç) tregjet e veprimtarive të tjera financiare jobankare.
Nga tregjet e rregulluara dhe të mbikëqyrura nga AMF, tregu kryesor për nga zhvillimi dhe dinamikat mbetet tregu i sigurimeve, i dominuar nga tregu i sigurimeve të detyrueshme të mjeteve motorike dhe në fazat e para të zhvillimit për sigurimet vullnetare (në total tregu i sigurimeve është sa 1.6% e PPB-së).
Ndër sfidat dhe prioritetet kryesore të këtij tregu do të jenë:
a)Zhvillimi dhe zgjerimi i tregut të sigurimeve të detyrueshme dhe sidomos atyre vullnetare, nëpërmjet diskutimit me palët e interesuara mbi ndryshimin e formave të marketimit të produkteve, rritjen e informacionit mbi tregjet financiare jobankare, rritjen e ndërgjegjësimit për sigurimin dhe risigurimin p.sh., të cash (rasti i Thesarit të BSH-së), risqet e dukurive natyrore etj.
b)Zgjidhja e problematikës së dëmeve të papaguara nëpërmjet financimit të fondit të kompensimit për të përshpejtuar procesin e nisur vitin e kaluar dhe duke kërkuar nga shoqëritë e sigurimit të financojnë detyrimet e papaguara.
c)Realizimin dhe funksionimin në praktikë të sistemit Bonus-Malus[1], i cili do të diferenconte tarifat e sigurimit motorik sipas karakteristikave të të siguruarit dhe mjetit. Ky sistem i standardeve më të mira ndërkombëtare dhe me asistencën e BB-së pritet të vendoset sa më shpejt në funksion lidhur me sigurimet e detyrueshme motorike, pasi tashmë AMF ka testuar sistemin dhe janë realizuar amendimet e Kodit Rrugor (patenta me pikë) si dhe është krijuar database e informacionit nga drejtoritë e qarkullimit rrugor, Byroja e Sigurimeve, shoqëritë e sigurimit dhe AMF.
d)Mbikëqyrja e tregut me fokus riskun, sipas akteve nënligjore të miratuara nga AMF, si dhe duke pasur në vëmendje ndryshimet dhe dinamikat e tregut, bashkime dhe përqendrime, pasi dy grupet financiare të Vjenës, si VIG dhe Uniqa, zotërojnë shoqëri me peshë të rëndësishme në treg. Për Shqipërinë, është faktor i rëndësishëm dhe i vlerësueshëm prania e shoqërive të njohura ndërkombëtare nga vendet anëtare të BE-së.
e)Ndryshimi i praktikës së pagesës së dëmeve me pagesën e drejtpërdrejtë, duke lidhur të siguruarin me shoqërinë ku është siguruar dhe marrëdhëniet mes shoqërive të rregullohen sipas parashikimeve të ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, do të nxiste konkurrencën mes shoqërive të sigurimit dhe do të vendoste të siguruarin në pozita më mbrojtëse sipas kontratës. Aktualisht nuk ka rëndësi ku je siguruar, pasi për dëmin që mund të shkaktohet duhet të marrësh policën e sigurimit të shkaktarit të dëmit/ose duhet t’i drejtohesh Byrosë, në rast se shkaktari është i pasiguruar. Kjo praktikë ka çuar në çmime shumë të ulëta që nuk justifikojnë mbulimin e dëmeve ose çmime të ngjashme, pavarësisht nga shoqëria e sigurimit dhe të dhënat e mjetit motorik apo të siguruarit.
f)Do të nxisja transparencën nga shoqata e siguruesve dhe BSHS të të dhënave financiare të shoqërive të sigurimit, dëmeve të paguara, dëmeve të mbartura dhe treguesve kryesorë financiarë sipas modelit të Shoqatës së Bankave.
Në tregun e letrave me vlerë, mendohet zhvillimi i tregut sekondar nëpërmjet nxitjes së transaksioneve për ta kthyer në një minibursë me rritjen e vëllimit dhe numrit të transaksioneve, si dhe bashkëpunimin me Autoritetin Europian të Tregjeve të Letrave me Vlerë, duke kërkuar asistencë ligjore për zbatimin e standardeve të direktivës së investimeve në tregjet financiare.
Zhvillimi i tregut financiar për obligacionet e shoqërive aksionere dhe të qeverisë vendore për të realizuar nevojat për likuiditet si dhe zhvillimi dhe mbikëqyrja e titujve[2], duke dhënë hapësirë, por dhe duke rritur mbikëqyrjen për të gjitha llojet e titujve që emetohen janë aspekte të domosdoshme të veprimtarisë së Autoritetit.
Në tregun e pensioneve vullnetare, ende në fazat e para me rreth 421 milionë lekë total investimesh në tre shoqëri të administrimit të pensioneve private, me një numër relativisht të ulët kontribuesish, priten zhvillime në drejtim të ndryshimit të pronësisë së fondeve. Në këtë sektor kërkohet mbështetja e reformës në pensione dhe zhvillimi i tregut të pensioneve private[3], administrimin me efektivitet të fondeve të pensionit vullnetar, nëpërmjet diversifikimit të investimeve, me synim rritjen e kontributeve të bëra në fondin e pensionit.
Ashtu siç nënvizon rezoluta e Kuvendit dhe raporti i vlerësimit të FMN-së, mbikëqyrja e sektorit financiar jobankar ka nevojë të forcohet veçanërisht në kushtet e një rritjeje të fortë të aseteve të Fondeve të Investimeve.
Kuadri i përditësuar ligjor parësor për fondet e investimeve dhe plotësimi i kuadrit ligjor sekondar me rregullore të posaçme për likuiditetin dhe vlerësimin e aseteve, sipas këshillave të FMN dhe BB, mbetet prioritet absolut për AMF-në.
Në konkluzion, do të veçoja nxitjen e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare që mbikëqyren si objekt parësor i ligjit, nëpërmjet një roli më proaktiv në Stabilitetin Financiar të vendit si pjesë e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (bashkë me ministrin e Financave dhe guvernatorin e Bankës qendrore).
Nxitja dhe ndërmarrja e reformave për zhvillimin e një tregu financiar të qëndrueshëm, me rezultate pozitive dhe që garanton stabilitetin e sistemit financiar dhe përqasjen drejt parimeve të një tregu eficient, të zhvilluar sipas praktikave më të mira të BE-së duke përmirësuar raportimin dhe vlerësimin e raporteve të progresit për kapitullin 9 (Shërbimet financiare) për pjesën që i takon AMF-së.
Prioritetet në planin e funksionimit të Autoritetit
Sa i përket zhvillimit institucional, prioritet mbetet zbatimi i spektrit ligjor dhe nënligjor (ligjit të amenduar), rritja e pavarësisë, transparencës[4], përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies[5] së institucionit të mbikëqyrjes financiare si parime bazë; Ligji është i përputhur me acqui-commutaire, por sfidë mbetet zbatimi i tij[6].
Në kushtet e pavarësisë financiare të buxhetit të institucionit, sipas parashikimeve të ligjit, llogaridhënia dhe parimi i kontrollit dhe balancës marrin rëndësi të jashtëzakonshme, prandaj dhe roli i anëtarit/kryetar të Bordit do të jetë garantimi i përgjegjshmërisë, eficencës dhe transparencës e llogaridhënies para Kuvendit (Komisionit për Ekonomi dhe Financa) në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm në raportimin periodik vjetor.
Rritja e bashkëpunimit me FMN, Bankën Botërore, FSVC dhe USAID për zbatimin me sukses të projekteve në fushën e sigurimit dhe zhvillimit të tregut financiar, në mënyrë të veçantë për funksionimin e Komitetit të Kontrollit (tre anëtarët me kohë të pjesshme) i cili do të ushtrojë kontroll mbi organet ekzekutive.
Sa i përket rregullimit dhe mbikëqyrjes më të afërt të këtyre tregjeve, prioritet mbetet rritja e kapaciteteve të AMF-së për mbikëqyrjen, duke e ndarë mbikëqyrjen sipas tregjeve specifike të rregulluara nga ligji “Për AMF”.
Rritja e bashkëpunimit me entet e tjera publike për vendosjen e tregut në parametrat bashkëkohore të një tregu të zhvilluar, stabël dhe që gjeneron konkurrencë dhe pjesë tregu mbi bazën e meritës në të gjithë segmentet e tij, shoqëritë e sigurimit dhe risigurimit, brokerat dhe agjentet.
Rritja e bashkëpunimit me autoritetet homologe në vendet e BE-së dhe rajonit ku kanë aktiviteteve të përbashkëta subjektet e licencuara dhe ka pikëprerje të tregjeve të rregulluara (p.sh. janë disa shoqëri sigurimesh, fondet e investimeve etj).
Prioritetet afatshkurtra janë miratimi i kuadrit nënligjor/rregullore/udhëzues dhe propozimi i legjislacionit primar në tregun e kapitaleve (fondet e investimit) dhe pensioneve private, si projektligji “Për sigurimin nga katastrofat” me asistencën e ndërkombëtarëve, etj., si dhe realizimin e detyrave të lëna në rezolutën e Kuvendit mbi hartimin e një strategjie për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë dhe në veçanti tregut të aksioneve etj.
________________________
*) Kryetari i Bordit të AMF. Përshtatje e prezantimit në Komisionin për Ekonomi dhe Financa para votimit nga Kuvendi në seancën e datës 12.3.2015. Qëndrimet janë personale të autorit.
[1] Sistemi është testuar në muajin gusht 2014 dhe pritet që së shpejti të jetë operacional
[2] Në termin “tituj” përfshihen pa kufizim aksionet, obligacionet e shoqërive tregtare dhe të pushtetit vendor, bonot e thesarit dhe obligacionet e emetuara nga shteti shqiptar, titujt e emetuar nga Banka e Shqipërisë, dëftesat tregtare, aksionet ose kuotat e fondeve të investimit, si dhe instrumente të tjera financiare, të krahasueshme me aksionet dhe obligacionet dhe që vlerësohen dhe miratohen si të tilla nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që më poshtë do të quhet Autoriteti.
[3] administrimin me efektivitet të fondeve të pensionit vullnetar, nëpërmjet diversifikimit të investimeve, me synim rritjen e kontributeve të bëra në fondin e pensionit
b) mbikëqyrjen e biznesit të fondit të pensionit vullnetar me kontribute të përcaktuara, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit
c) nxitjen e qëndrueshmërisë, sigurisë dhe mirëqeverisjes së aseteve të fondit të pensionit;
ç) licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërisë administruese të fondit të pensionit dhe planit të pensionit profesional, të depozitarit të aseteve të fondeve të pensionit dhe të të gjitha çështjeve të lidhura me to
[4] Regjistrimi i mbledhjeve të Bordit, vënia në dispozicion të palëve të interesuara dhe publikut të minutave të mbledhjes duke përjashtuar rastet e konfidencialitetit
[5] Në kushtet e pavarësisë financiare të buxhetit të institucionit, sipas parashikimeve të ligjit, llogaridhënia dhe parimi i kontrollit dhe balancës marrin një rëndësi të jashtëzakonshme
[6] Raporti progresit i Komisionit Europian: In the field of insurances and occupational pensions, the Law on Insurance and Reinsurance was adopted in May, with a view to further alignment with the EU acquis)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.