Arritja e kulmit të industrisë së makinave paraqet një kërcënim të madh për këtë shtyllë të rëndësishme të ekonomisë gjermane
Kalimi në makinat elektrike dhe ato me vetëdrejtim paraqet një sfidë të rëndësishme për kampionët kombëtarë të automjeteve si BMW, Daimler dhe Volkswagen, shkruan Bloomberg.
Gjermania është vendlindja e Karl Benz, krijuesit të automobilit të parë me motor me benzinë. Gjermania është edhe vendi ku prodhohen disa prej markave më të njohura të makinave në mbarë botën, si Volkswagen, BMW, Mercedes, Audi, dhe Porsche, që përbëjnë 80% të shitjeve globale të automjeteve luksoze.
Dhe me rreth 835,000 punëtorë, industria e automjeteve është punëdhënësi më i madh i Gjermanisë, përgjegjës njëkohësisht për një të pestën e eksporteve të vendit. Sindikata IG Metall parashikon se punësimi në industrinë e automjeteve do të shënojë rënie gjatë këtij viti. Gjermania mund të ketë arritur kulmin e industrisë së makinave, duke paraqitur kërcënim për një prej shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë së saj.
“Ne jemi duke u përgatitur për një kohë kur më pak njerëz do të punojnë në këtë industri në rajonin tonë”, thotë Rüdiger Schneidewind, kryebashkiaku i Homburgut, në Gjermaninë Perëndimore. Në këtë qytet prej 42,000 banorësh, rreth 30,000 prej tyre janë punësuar në katër fabrikat e mëdha që merren me prodhimin e automjeteve. Më shumë se gjysma e prosperitetit të këtij rajoni varet nga industria e prodhimit të automjeteve.
Ndikimi që ka pasur industria e automjeteve në kulturën gjermane ka qenë shumë i madh. Autostradat pa limit shpejtësie dhe makinat që ecin në to janë mrekulli teknologjike që mbështesin një ekosistem të gjerë furnizuesish dhe zhvilluesish. Por, duke qenë se një numër i madh njerëzish po zhvendosen drejt makinave elektrike me vetëdrejtim, taksive të cilat mund t’i rezervojnë nëpërmjet aplikacioneve që kanë në celularët e tyre, pritet që kjo industri kaq e rëndësishme së bashku me avantazhet e saj, të zbehet.
“Të tre tiparet kryesore të lëvizshmërisë në shekullin e 20 po shpërbëhen: makinat që kanë nevojë për një shofer, janë në pronësi private dhe lëvizin me anë të një motori me djegie”, shprehet Stephan Rammler, një konsulent i industrisë së automjeteve dhe profesor i dizenjimit të mjeteve të transportit në Universitetin e Artit në Braunschweig. “Gjermania rrezikon të mbetet prapa gjigantëve të rinj që po krijohen në Kinë dhe në SHBA”, tha ai më tej.
Një ndër shqetësimet më të mëdha të gjermanëve është se fitimet do të shkojnë gjithnjë e më shumë ndaj kompanive të reja, si Waymo, Apple apo Uber Technologies. Makinat me bateri nuk kanë nevojë për një saktësi të lartë inxhinierike saç kishin modelet tradicionale dhe rrjedhimisht ato do të kërkojnë një numër më të vogël punëtorësh.
“Më shumë se një e treta e 210,000 vendeve të punës në Gjermani në sektorin e prodhimit të motorëve dhe të transmisionit do të jenë zhdukur deri në vitin 2030. Prodhuesit e makinave mund të mbijetojnë vetëm si ofrues të shërbimeve të lëvizjes, jo më si prodhues të makinave”, shprehet, Horst Lischka, kreu i sindikatës IG Metall për Mynihun dhe anëtar i bordit mbikëqyrës të BMW-së.
Ndryshe nga SHBA-ja, ku industria e prodhimit të makinave është e përqendruar në një pjesë të vogël të fortesave rajonale, industria e prodhimit të makinave në Gjermani shtrihet pothuajse në të gjithë Gjermaninë. Volkswagen e ka selinë qendrore në Wolfsburg, 225 kilometra në perëndim të Berlinit. BMW-ja dhe Audi kanë zyra dhe fabrika në të gjithë shtetin jugor të Bavarisë. Daimler AG dhe Porsche janë të vendosura në Shtutgart, në jugperëndim.
Pak më larg në veri, në Këln, ndodhet kompania Ford Motor Co., e cila punëson rreth 17.500 punëtorë. Dhe rreth Homburgut, pranë kufirit francez, furnizuesit si Bosch, ZF Friedrichshafen dhe Schaeffler bëjnë gjithçka nga transmisionet në injektorët e naftës e deri te pistonat. Punëtorët zakonisht paguhen mirë, ku ata që punojnë në industrinë e prodhimit paguhen rreth 20% më shumë se ata që punojnë në industrinë e shërbimeve, duke i dhënë kështu mundësinë qindra mijë njerëzve me diplomë vetëm të shkollës së mesme të gjejnë një punë me pagesë të kënaqshme.
Edhe vendet të cilat nuk kanë një histori të zhvilluar të industrisë së prodhimit të automjeteve e kanë përqafuar këtë sektor. Në Saksoni, për shembull, nuk u prodhua asnjë automjet modern përpara rënies së Murit të Berlinit. Pastaj në vitin 1991, VW filloi të prodhonte modelin Golf në qytetin Zwickau, tre orë në jug të kryeqytetit. Në vitin 1999, Porsche hapi një fabrikë pranë Lajpcigut, ku ajo prodhonte modelet SUV dhe Panamera.
Në vitin 2005, BMW përuroi njësinë e saj më të re afër Lajpcigut nga arkitektja shumë e njohur irakeno-britanike Zaha Hadid, e cila u cilësua në atë kohë si një prej fabrikave më të avancuara në botë. Sot, tre kompanitë dhe furnizuesit e tyre punësojnë rreth 95,000 njerëz në Saksoni dhe përbëjnë një të katërtën e prodhimit industrial të shtetit.
Edhe pse prodhuesit gjermanë të makinave kanë prezantuar programe ambicioze të prodhimit të automjeteve elektrike për të përballuar këtë situatë ndryshimesh, gjithsesi klima që mbizotëron në këtë industri nuk është aspak e qetë. VW do të shpenzojë 1.2 miliardë euro (1.4 miliardë dollarë amerikanë) për të pajisur fabrikën e saj në Zwickaun me pajisje dhe makineri të reja, për të prodhuar rreth gjysmë duzinë të modeleve të reja të automjeteve elektrike deri në vitin 2021, por ka lajmëruar edhe se numri i punëtorëve fatkeqësisht do të shkurtohet.
Këtu mund të përmendim edhe faktin se rreth tre vjet më parë, ajo krijoi edhe markën Moia, minibusin elektrik që pritet të revolucionojë transportin urban nëpërmjet sistemit të qarkullimit tërësisht të dixhitalizuar. BMW-ja dhe Daimler krijuan secila njësi për shërbimin “car sharing”, por pasi u përpoqën shumë për të rritur fitimet e tyre në këtë sektor, fatkeqësisht pa rezultat, ato i shkrinë këto njësi me njëra-tjetrën. Marka e re, Share Now, do të mbikëqyrë operacionet e përbashkëta të shërbimit “car-sharing”, si dhe nismat për furnizimin e automjeteve elektrike dhe aplikacioneve që do t’i vijnë në ndihmë shofereve për të gjetur parking.
“Mundësitë janë të shumta dhe këto ndryshime të fundit janë të rëndësishme sidomos në drejtim të biznesit tonë kryesor”, tha CEO-ja i BMW-së, Harald Krüger për Bloomberg TV.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.