Kur një baywatch i ri shqiptar shpëtoi nga mbytja një pushues në bregdet, lajmin me seriozitetin dhe peshën e një rezultati madhor për shqiptarët e dha qeveria. Por, kur banorët e zonës diku në Golem shpëtuan një pushues të huaj, pasi ra në një pusetë të hapur, në një rrugë të paasfaltuar pranë hotelit ku kishte bujtur, askush nuk foli.
Të dyja këto ngjarje mund të ndodhin rastësisht edhe në një vend tjetër me turizëm më të afirmuar dhe mund të ishin ngjarje lokale, fare periferike.
Por, në Shqipëri, të dyja këto ngjarje groteske marrin përmasa kombëtare, pasi palët, as qeveria dhe as biznesi, nuk shikojnë punët e tyre. Gjithçka ngatërrohet prej qeverisë, e cila i turbullon ujërat, duke kërkuar një fitore sa të vogël të saj që, me mjeshtëri di ta shumëfishojë si fitore kombëtare. Ajo ende nuk e ka kuptuar se rritja me hov e numrit të turistëve në Shqipëri u diktua më shumë nga ngjarje që e kanë fillin jashtë vendit tonë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, në vitin 2017, mbërritën për pushime 2.7 milionë persona, më i madhi në vite. Por ky rezultat erdhi duke u rritur, kur në Turqi nisën protestë studentët. Më pas, pati ngjarje të tjera më të mëdha, si grushti i shtetit, konflikti me Rusinë, aktet terroriste. Analistët thanë se këto ishin konfliktet më të mëdha që kishte pasur vendi dhe se Turqia, vetëm në 2017-n, humbi 12% të tregut europian të turizmit, me humbje nga viti në vit, që varion nga 2-8 miliardë dollarë.
Në këtë kontekst, ishte e pritshme që Shqipëria të përfitonte nga shansi. Siç tregojnë të dhënat zyrtare, pas këtij momenti, rritja e turistëve të huaj në Shqipëri ka qenë me luhatje: me rënie -67% në vitin 2013 krahasuar me një vit më parë, rritje 160% në 2014 dhe më pas 15%, 26% dhe 21% deri në 2017. Edhe të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria, ritmin më të lartë të rritjes (pavarësisht numrit të vogël) së treguesve të turizmit e pati deri në 2008. Më shumë sesa vitet e fundit. Lehtësisht e kuptueshme që rritja është e paqëndrueshme.
Ashtu siç pushuesit e huaj po tregojnë, hotelet janë të bukur brenda, por jashtë pamja në infrastrukturë, shërbime, hapësira urbane janë e kundërta e bukurisë (lexo në brendësi). Megjithëse infrastruktura rrugore dhe shërbimet e tjera publike renditen pas infrastrukturës hoteliere, vlerësohen si instrumente më të rëndësishme që një qeveri duhet të bëjë për të rritur turizmin e qëndrueshëm.
Sot në Shqipëri ka pak rrugë kryesore dhe ndërlidhëse me zonat turistike që e plotësojnë dhe shpejtësia e lëvizjes drejt destinacioneve është e ulët. Kompanitë më të mëdha të turizmit ndërkombëtar kanë kalkuluar se trendi i turistëve të sotëm janë vizitat dhe shëtitjet në qendra historike (rritje 125%, raporton TripAdvisor), udhëtimet me anije, turet gastronomike dhe muzetë. Por a kemi rrugët dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme që t’i çojmë ne aty turistët e bashkë me ta, edhe paranë. Godina të ngjyrosura e bunkerë të pikturuar “Po”. Por kujdes, koka duhet mbajtur poshtë, për të parë ku hedhim këmbën.
Ndërkohë, Turqia po rikuperon humbjen dhe nuk mund të hyjë në luftë për ne…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.