Si pritet ecuria e sektorit të naftës, tregtisë me pakicë, mineraleve, ndërtimit, tendencat e konsumit. Bizneset kërkojnë përmirësim të klimës së investimeve dhe ulje të taksave…
Nga Blerina Hoxha
Elona Bedalli
Për përfaqësuesit e sipërmarrjes, viti 2017 pritet të jetë një vit pozitiv për ekonominë shqiptare, duke qenë se do të jetë edhe një vit elektoral, ku pritet të ketë më shumë investime. Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, pritet që klima e biznesit të ketë përmirësim gjatë këtij viti. Sipas tij, në ekonomi do të injektohet më shumë para duke qenë se është vit elektoral dhe do të ketë një rritje të investimeve dhe të parasë që do të hidhet në qarkullim. Sipas z. Jaka, është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë me reformat dhe të sigurojë një mjedis konkurrues e sa më të qetë për biznesin.
Nxjerrja dhe përpunimi i naftës, ndërtimi, prodhimi i materialeve të ndërtimit, tregtia me pakicë kanë parashikime më optimiste këtë vit. Në të njëjtën linjë janë dhe shërbimet, të udhëhequra nga turizmi.
Nafta pritet t’i rikthehet rritjes, Bankers do rifillojë të hapë puse të reja
2016-a ishte një vit i vështirë për industrinë e naftës në Shqipëri, që vuajti jo vetëm çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare por edhe rënien e interesit për këtë produkt, që ka cilësi të rëndë. Eksportet ranw mbi 30% pwr 11 mujorin.
Por, 2017, pritet të jetë më pozitive. Burime zyrtare nga Bankers Petroleum, që ka me koncesion fushën më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, dhe që është eksportuesi më i madh në vend, pohojnë se prodhimi do të rritet, sepse ka rifilluar shpimi i puseve, ndërkohë që dhe çmimi në tregjet ndërkombëtare pritet të jetë më favorizues.
Në shtator 2016 kompania kineze Geo -Jade Petroleum Corporation mori miratimin përfundimtar të Administratës Shtetërore Kineze të Këmbimit Valutor (SAFE) për blerjen e aksioneve të Bankers Petroleum. Burimet zyrtare të kompanisë pohojnë se blerësit e rinj kanë plane ambicioze për rritjen e prodhimit dhe investimeve.
Panajot Soko, analist i tregjeve të naftës në Transoil, thotë se viti 2017 pritet që të jetë viti i rikthimit të industrisë në kurs rekuperimi. Investimet pritet të rikthehen në nivelet e 2015-ës. Praktikisht, parashikohen të shpohen rreth 85 puse të reja (75 Bankers dhe 10 Transoil), me një vlerë prej 170 milionë USD. Gjithashtu jane parashikuar dhe investime të tjera dytësore në infrastrukturë dhe depozitim.
Albchrome: Sinjale pozitive pas një 2016 të vështirë
Në vitin 2015, Albchrome, e përqendruar në prodhimin dhe eksportin e bakrit, ishte eksportuesja e tretë më e madhe në vend, pas Bankers Petroleum dhe Kurum International (kjo e fundit shpalli falimentin për arsye ristrukturimi në shkurt 2016).
2016-a ishte i vështirë për kushtet e tregut. Në 6-mujorin e parë, çmimet ishin më të ulëtat në 7-8 vitet e fundit. Burime nga kompania pohojnë se gjithsesi, Albchrome dhe në 2016-n u mbajt me intensitetin e investimeve dhe shitjet ishin në nivel të kënaqshëm, duke bërë që xhiro të rezultojë me rritje. Shpresat janë se ky vit do të jetë më i mbarë.
“Pas një viti të vështirë që kaluam, 2017-a pritet të jetë një vit më pozitiv, më i mbarë, veçanërisht 6-mujori i parë do të vazhdojë të ketë ngritje si në aspektin e sasisë dhe çmimeve të tregut”, thotë z. Luan Saliaj, drejtori ekzekutiv i kompanisë Albchrome.
Ai shton se perspektiva është që tremujori i parë të shënojë rritje, tremujori i dytë mund të ketë një aktivitet të pandryshuar, ndërsa 6-mujori i dytë mund të ketë një rënie të lehtë.
Në vitin 2017, për Albchrome do të shënohet piku i investimeve. “Në njësinë e Bulqizës përfundon pusi i Bulqizës. Një surprizë në këtë industri do të jetë nisja në janar dhe përfundimi brenda 2017-s i furrës së dytë në Burrel, që nuk mendohej se do të arrihej të bëhej brenda një viti”, thotë Saliaj.
Paralelisht me këto dy investime thelbësore do të vazhdojnë dhe përpjekjet në aspektin e mekanizmit dhe modernizimit të njësive aktuale. Në njësinë e Elbasanit, procesi i përpunimit të skorjes do të automatizohet, duke eliminuar rreziqet e faktorit njerëzor.
Në njësinë e Bulqizës vazhdon mekanizimi i përgatitjes dhe shfrytëzimit të minierës. Saliaj përmend fort faktin që në dhjetor, furrës së Burrelit i përfundoi remonti i thellë kapital, i cili nuk i bëhej që nga viti 1994, gjë që ka çuar në një zgjatje të jetës së furrës jo më pak se 20 vjet.
Tregu i çimentos, ‘shpresë’ te zgjedhjet
Prej disa vitesh tregu i çimentos në Shqipëri përballet me vështirësi, për shkak të rënies së ndjeshme të ndërtimeve. Në vend aktualisht tri fabrika arrijnë të prodhojnë, përkatësisht Seament Albania (Elbasani dhe Fushë – Kruja), si dhe Titan (Fushë – Krujë), por me kapacitete të reduktuara. Shkak është mungesa e tregut të brendshëm.
Mbijetesa e këtyre fabrikave më së shumti i dedikohet eksportit, kryesisht në tregjet e afërta, si në Maqedoni e pjesërisht në Kosovë. Ndikim ka dhënë edhe projekti i ndërtimit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline i cili furnizohet me çimento nga fabrikat që prodhojnë në vend.
Peter Russell, që prej dhjetë vjetësh është administrator i fabrikës së çimentos në Elbasan (ECF) thotë për “Monitor” se tregu i brendshëm është reduktuar me rreth 50% që nga viti 2007. Sipas tij problemet me aplikimet e planifikimit dhe më kryesorja mungesa e likuiditetit ka ndikuar negativisht te shitjet.
Russell, thotë se pjesa më e madhe e shitjeve, rreth 60%, realizohet në eksport, kryesisht në Maqedoni.
Ai thotë se shitjet rifuxho (me çisterna) janë rritur, ndërsa shitjet vendore me thasë (paketim 50kg) janë ulur. “Në total shitjet gjatë vitit 2016 u llogaritën pak a shumë në nivelet që ne kishin planifikuar. Ndërsa konkurrenca vazhdon të ushtrojë presion sa i përket çmimeve”, thotë z.Russell.
Por, teksa sektori i ndërtimit është në krizë për shkak të mbingopjes, cilat janë format që këto kompani gjejnë për të siguruar vazhdueshmëri? Sipas administratorit të ECF-së, mbijetesa sigurohet përmes shitjes për projekte të vogla infrastrukturore, ndërtesa tregtare, që arrijnë të sigurojnë një kërkesë të arsyeshme, ndërsa vazhdohet të përfitohet nga eksportet “besnike’ për kompanitë shqiptare.
Sipas z.Russell gjatë 2017-s pritet që kërkesa të jetë në nivele të ngjashme me vitin 2016, duke shpresuar për një rritje falë fondeve shtesë që mund të disbursohen për investime në periudhën parazgjedhore.
Ndërtimi pritet në rritje
Sektori i ndërtimit pritet të ketë zhvillime pozitive këtë vit. Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, do të nxisin fondin publik të investimeve qysh në gjashtëmujorin e parë, ndërsa në pjesën e dytë të vitit do të aktivizohen lejet e ndërtimit sidomos në Tiranë, për shkak të Planit të Ri Rregullues. Fondi i investimeve publike prej rreth 76 miliardë lekësh do të orientohet për ndërtimin e ujësjellësve, mirëmbajtjes dhe sigurisë në rrugë, se sa ndërtimit të autostradave të reja. Ndërsa investimet private do të jenë më të larta për objekte banimi dhe HEC-e.
Ndërtuesit janë optimistë sidomos për sektorin e banesave, ku si oferta dhe kërkesa janë në rritje. Arben Dervishi, Sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve pohon se, miratimi i planit të ri Rregullues në Tiranë pritet t’i japë një hov ndërtimit në Kryeqytet. “Janë shumë projekte gati që kanë mbyllur marrëveshjet me pronarët e trojeve dhe janë në pritje të miratimit të planit të ri rregullues nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Presim që puna në terren për ndërtimin e këtyre objekteve të jetë në gjysmën e dytë të vitit tha Dervishi”. Ai pohoi se pjesa më e madhe e kërkesës i dedikohet objekteve të banimit dhe më pak zyrave të biznesit dhe dyqaneve. Madje në periferi shumë objekte që po ndërtohen i kanë dedikuar edhe katin e parë banimit, dhe jo shërbimeve. Ai pohoi gjithashtu se ka një kërkese në rritje për standarde. Blerësit gjithnjë e më shumë kërkojnë që shtëpia e re të respektoje standardet e sigurisë dhe hapësirat publike. Preferohen blloqet e banimit, ku brenda të tyre të jenë të organizuara hapësirat e pushimit dhe njësite e shërbimeve, tha Dervishi.
Pasiguria në Turqi, hotelet shqiptare pohojnë rritje të kërkeses për vitin 2017
Pasiguritë që ofroi Turqia si pasojë e sulmeve terroriste dhe përpjekjes për grusht shteti këtë vit e kanë riorientuar ofertën turistike drejt rajonit tonë, ku përfituese është edhe Shqipëria. Hotelet e mëdha në zonat kryesore turistike në vend pohojnë se kanë mbyllur prenotimet për verën e 2017-s, teksa investitorë të rinj po tentojnë të kapin momentin dhe investimet në hotele po kthehen në tendencën e momentit.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Zak Topuzi, thotë se me kapacitetet aktuale, Shqipëria është totalisht e paaftë t’i përgjigjet një oferte surprizë. Hotelet shqiptare nuk po i bëjnë dot ballë edhe kërkesave normale, jo më një fluksi të papritur. Nga ana tjetër, disa biznese shqiptare kanë nuhatur zhvillimet në sektor dhe po mundohen individualisht të përfitojnë. VasTours, një nga agjencitë më të mëdha në vend për turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, është duke ndërtuar një hotel në plazhin e Adriatikut, i cili do të operohet në kuadër të kërkesave në rritje për të pushuar vitin tjetër në Shqipëri. Gjithashtu, disa investitorë të sektorit të ndërtimit, po orientohen në shërbimet e turizmit për t’u përshtatur me kërkesat e kohës. IrfanHysenbelliu do ta kthejë MakAlbanian në Durrës në një resort turistik të standardeve luksoze, të ngjashme me modelet turke të këtyre niveleve. Instinktet e biznesit për mundësi të reja fitimi shkojnë gjithnjë para qeverisë, por më pas këto të fundit e krijojnë infrastrukturën e nevojshme për t’i mbështetur ato.
Flet Julian Mane, zëvendëspresident i Balfin Group – Retail & Real Estate Management
Për vitin 2017, besoj se tregu do të këtë një rritje të lehtë, por jo diçka jashtë normales.
Duke qenë se është një vit elektoral mund të këtë një tkurrje të lehtë në tremujorin e dytë, por kjo rënie pritet të rikuperohet në muajt e fundit të vitit.
Si ka qenë ecuria e shitjeve me pakicë në vitin 2016?
Ecuria në përgjithësi këtë vit ka qenë pozitive. Vihet re një tendencë e konsumatorit për të shpenzuar më tepër në rrjetet e organizuara, gjë e cila tregon se dalëngadalë retail-i i organizuar po e fiton besimin e konsumatorit shqiptar. Më duhet të them që jo i gjithë segmenti i retail-it po zhvillohet me të njëjtin ritëm. Për vitin 2016, për shembull, ka pasur zhvillime pozitive për sa u përket prirjeve për të frekuentuar qendrat tregtare dhe për t’i kanalizuar blerjet në dyqane që ofrojnë jo vetëm mall cilësor, por edhe shërbim dhe komoditet. Gjithashtu edhe sektori i elektroshtëpiakeve, si një nga më të organizuarit në treg, po zhvillohet me ritme të kënaqshme dhe ka pasur rritje të ndjeshme. Në këtë sektor, konsumatori shqiptar e ka krijuar besimin në atë që ofrohet dhe ecuria parashikohet pozitive edhe për vitet e ardhshme.
Ndërsa në fushën e tregtisë së veshjeve, rritja këtë vit ka qenë më se e kënaqshme, kjo edhe për shkak të asaj që ofrohet në treg nga kompanitë ndërkombëtare, si: Zara, Lc Waikiki, Mango, Geox etj. Ky është një sektor që po zhvillohet me ritëm të shpejtë dhe ku potenciali është i madh.
Një sektor interesant, i cili duhet thënë se është në fillimet e veta në tregun shqiptar është ai i tregtisë me pakicë i produkteve ushqimore. Për vitin 2016, Grupi Balfin ka lidhur një kontratë me rrjetin ndërkombëtar të supermarketeve Spar dhe aktualisht është në zhvillim. Pritet që të krijohet një atmosferë më pozitive në këtë sektor duke qenë se konkurrenca do të rritet dhe kjo në vetvete sjell zhvillim të tregut.
Gjithsesi duhet thënë se ky sektor është shumë informal dhe konkurrenca e vërtetë është në fakt me informalitetin dhe jo ndërmjet rrjeteve të organizuara të supermarketeve.
Vitet e fundit po shoqërohen me disa ndryshime demografike të rëndësishme si ulja e popullsisë, plakja, rënia e numrit të lindjeve dhe rigjallërimi i ciklit të emigracionit. Si pritet të ndikojnë këta faktorë në tregun e retail dhe në konsum?
Mendoj se zonat me potencialin më të madh të shitjeve nuk i ndiejnë këto ndryshime, por më të prekura nga ulja e numrit të popullsisë janë zonat e largëta ose ato që kanë pasur historikisht emigracion.
Është e vërtetë që ka një tendencë në rënie të popullsisë, por efektet e saj, nëse do të ketë, do të ndihen në një periudhë më të vonshme.
Nga ana tjetër, emigracioni ka edhe një efekt pozitiv që janë remitancat, pra paratë që dërgohen në Shqipëri nga emigrantët. Dhe ato ngelen burim shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për vitin 2017?
Për vitin 2017 besoj se tregu do të këtë një rritje të lehtë, por jo diçka jashtë normales.
Duke qenë se është një vit elektoral mund të këtë një tkurrje të lehtë në tremujorin e dytë, por kjo rënie pritet të rikuperohet në muajt e fundit të vitit.
Zhvillimet më të mëdha pritet të ndodhin në sektorin e tregtisë së produkteve ushqimore, ku siç e përmenda konkurrenca e shëndetshme do t’i shtyjë të gjithë lojtarët për t’u bërë më të mirë.
Konsumatori shqiptar është i prirë të shpenzojë në produkte që kanë një raport të mirë çmim/cilësi dhe kjo tendencë do të vazhdojë të zhvillohet në vitin 2017.
Pengesa më e madhe për zhvillimin e tregut në Shqipëri ngelet informaliteti i lartë në ekonomi dhe nëse do të shohim zhvillime pozitive në këtë drejtim, atëherë unë besoj se rritja do të jetë e ndjeshme.
Cilat janë planet tuaja të investimeve?
Me gjithë vështirësitë në treg, Grupi Balfin do të vazhdoje të investojë në fushën e tregtisë me pakicë. Rrjeti i dyqaneve Spar do të vazhdojë të shtohet me ritëm të shpejtë, pasi ne shohim potencial në këtë sektor dhe do të jetë fokusi ynë për vitet në vazhdim.
Një projekt interesant do të jetë edhe prezantimi në treg i një rrjeti të ri që do të merret me shitjen e dedikuar të celularëve, aksesorëve dhe shërbimeve të ndryshme të lidhura me to.
Rrjeti i quajtur ‘Smart point’ do të fillojë operimin me një dyqan në Tiranë që do të hapet në tremujorin e parë të vitit 2017 dhe pritet të sjellë një risi në mënyrën e tregtimit të celularëve. Rrjeti do të zhvillohet më tej me shumë dyqane në Tiranë dhe në qytete të tjera.
Gjithashtu, Neptun do të vazhdojë të shtohet duke përdorur mënyrën që njihet si ‘franchise’ apo partneritet me tregtarë të fushës së elektroshtëpiakeve në të gjithë Shqipërinë.
Jumbo, një koncept i suksesshëm tashmë, në vitin 2017 do të dalë për herë të parë jashtë Tiranës dhe me koncepte pak më të vogla dyqanesh, ku pritet të ketë hapje të reja në qytete si Shkodra, Fieri, Vlora, Elbasani etj.
Projektet për vitin 2017 në fakt janë të mëdha dhe një prej tyre është prezantimi i një koncepti të quajtur “Retail Park” që do të jetë prezent në qytete jashtë Tiranës dhe do të ofrojë një zgjidhje të përshtatshme për konsumatorin jashtë kryeqytetit.
Ai do të vendoset kryesisht në periferi të qyteteve dhe u ofron mundësi markave të njohura që kërkojnë sipërfaqe të mëdha dhe me qira të ulët të jenë të pranishme në këto qytete dhe t’u shërbejnë klientëve duke qenë sa më afër.
Pra, do të jetë një vit interesant i mbushur me projekte të reja të cilat kanë gjithmonë në fokus përmirësimin e përvojës së blerjes për konsumatorin shqiptar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.