Efektet e krizës në tregun e shërbimeve të teknologjisë së informacionit në rajonin e Adriatikut do të fillojnë të lehtësohen në gjysmën e dytë të vitit 2011, kur tregu të fillojë të rigjallërohet. Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon për sa i përket tregut të shërbimeve të IT-së
Tregu i shërbimeve të teknologjisë së informacionit (IT) në rajonin e Adriatikut (përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Slloveninë) ra 8.8% me bazë vjetore në 968.03 milionë dollarë në vitin 2009, bëhet e ditur në një studim të fundit, përmbledhja e të cilit është publikuar nga kompania kërkimore IDC. Sipas këtij raporti, një rënie e mëtejshme pritet në vitin 2010, për shkak të ndikimit të ashpër të krizës financiare dhe recesionit global në shpenzimet për shërbimet e IT-së në rajon. Sipas studimit, efektet e krizës në tregun e shërbimeve të teknologjisë së informacionit do të fillojnë të lehtësohen në vitin 2011, kur tregu të fillojë të rigjallërohet.
“Pas vitesh zgjerimi të biznesit dhe investimeve të mëdha në sektorin e IT-së në përgjithësi dhe shërbimeve të IT-së në veçanti, mbijetesa dhe reduktimi i kostove u bënë realitet në vitin 2009 në shumë sektorë, teksa kriza ekonomike u thellua”, tha Dalibor Suboticanec, analist i lartë kërkimesh, në “IDC Adriatics”. “Në fillim të vitit 2010, sipërmarrjet në rajonin e Adriatikut ende hezitonin të investonin në IT dhe ne besojmë se kjo tendencë do të fillojë të lehtësohet vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2011”.
Kroacia kryeson
Kroacia mbetet tregu më i madh në rajon, duke u llogaritur në 40.7% të shpenzimeve totale, i ndjekur nga Sllovenia, me 35.3% dhe Serbia me 12.6%. Maqedonia llogaritet në 4.3% dhe Bosnjë Hercegovina për 3.9%, ndërsa Shqipëria zinte 1.3% dhe Kosova e Mali i Zi llogaritet të zënë 1.9% të shpenzimeve për shërbimet e IT-së në rajonin e Adriatikut në vitin e kaluar.
Kategoria e sistemeve të integruara llogaritet të ketë zënë pjesën më të madhe të shërbimeve të IT-së në 2009-n prej 15.9%, e ndjekur nga mbështetja e pajisjeve dhe instalimi me 14.5% dhe zhvillimi i aplikimeve për klientët me 13.9%. Pavarësisht krizës, tregu rajonal vazhdon të maturohet, me një zhvendosje të dukshme nga mbështetja bazë dhe instalimi i shërbimeve drejt shërbimeve fundore më të sofistikuara, si sistemet e integruara, specifikimet personale dhe kalimi i shërbimeve te të tretët.
Grupi “S&T” ishte shitësi numër një në rajonin e Adriatikut në vitin 2009, i ndjekur nga “IBM” dhe “HP”. Ndër shitësit e tjerë të mëdhenj ishin “Combis” dhe “SRC”.
Industritë e prodhimit dhe ndërtimit u goditën rëndë, ndërsa sektorët e produkteve të domosdoshme dhe ato të mbështetura në buxhetet publike (veçanërisht kujdesi shëndetësor, edukimi dhe qeveria qendrore) mbetën më të qëndrueshëm.
Sektori financiar ishte shpenzuesi më i madh i shërbimeve IT në rajonin e Adriatikut, duke përbërë 20.2% të tregut. Sektori i qeverisë renditej i dyti me një pjesë prej 19.7%, i ndjekur nga telekomunikacionet me 18.8% dhe sektori i prodhimit, i cili llogaritej të zinte një peshë prej 8.4% vitin e kaluar.
“IDC” pret që tregu i shërbimeve IT në rajonin e Adriatikut të bjerë më tej në vitin 2010, por të rikapë ritmin në 2011-n dhe të vazhdojë të rritet me 7% çdo vit për të arritur mesatarisht 1.36 miliardë dollarë në 2014-n.
“Në momentin që mjedisi ekonomik do të marrë një kthesë pozitive, kompanitë do të fillojnë të ripërqendrojnë vëmendjen e tyre nga mbijetesa e thjeshtë në arritjen e një avantazhi konkurrues ndaj rivalëve të tyre në treg”, tha Suboticanec. “Kjo do të detyrojë rritjen e kërkesës për zgjidhje specifike të industrive, por ashtu për një biznes inteligjent dhe mjete analitike që ndihmojnë klientët të zgjerojnë operacionet e tyre dhe të fitojnë avantazh në tregun që po rigjallërohet”.
IDC
“International Data Corporation” (IDC) është një ofrues global i shërbimeve inteligjente të tregut, shërbimeve këshilluese dhe eventeve për teknologjinë e informacionit, telekomunikacioneve dhe tregjeve të teknologjisë së konsumatorit
VEC
Tendenca
IDC pret që tregu i shërbimeve IT në rajonin e Adriatikut të bjerë më tej në vitin 2010, por të rikapë ritmin në 2011-n dhe të vazhdojë të rritet me 7% çdo vit, për të arritur mesatarisht 1.36 miliardë dollarë në 2014-n
Shqipëria
Ka nivelin më të ulët në rajon të shpenzimeve për shërbime të IT-së në rajonin e Adriatikut, duke zënë 1.3% të totalit, apo rreth 12.5 milionë dollarë në vit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.