Shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e një shëtitore pranë kompleksit Mak Albania në Durrës, e cila do të kushtojë 567 milionë lekë (4.1 mln euro).
Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka hapur garën për ndërtimin e pedonales nëpërmjet një thirrje në Agjencinë e Prokurimit Publik. Në specifikat e garës nuk janë njoftuar kilometrat e shëtitores, porse kohëzgjatja e punimeve do të vijojë 14 muaj.
Këtë vit do të jepen vetëm 113 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër është programuar në vitin 2018.
Vlera e lartë e investimit tenton të zbukurojë zonën e Golemit në të cilën po bëhen disa investime për shërbime turizmi.
Së fundmi ka pasur interes të lartë për të investuar në turizëm. Hotelet shqiptare, që në fund të vitit të kaluar, janë përballur me prenotime jo të zakonshme për pushimet e verës 2017. Turistët çekë, polakë dhe sllovakë duket se janë shtuar dukshëm për verën e 2017.
Disa investitorë të sektorit të ndërtimit, po orientohen në shërbimet e turizmit për t’u përshtatur me kërkesat e kohës, sidomos në zonën e Malit të Robit, ku ka ende sipërfaqe me pyje dhe që janë atraktive për ndërtim.
“Hysenbelliu Group” do ta kthejë Mak Albanian në Durrës në një resort turistik të standardeve luksoze, të ngjashme me modelet turke të këtyre niveleve. Instinktet e biznesit për mundësi të reja fitimi shkojnë gjithnjë para qeverisë, por më pas këto të fundit e krijojnë infrastrukturën e nevojshme për t’i mbështetur ato.
Presidenti i grupit, Irfan Hysenbelliu ka shpjeguar më parë për Monitor, se kërkimet e tregut treguan për një kërkesë në rritje për shërbimet turistike në Shqipëri. Ky fakt dhe perspektiva që ka sektori për t’u shndërruar në industri i kanë orientuar investimet e kompanisë drejt turizmit, tha zoti Hysenbelliu.
Dikur njihej me emrin Mak Albania, por tashmë është bërë pjesë e Hysenbelliu Group dhe mban emrin Prestige Holiday Resort, me vendndodhje në Golem, buzë detit Adriatik. Shtrihet në një nga plazhet më të bukur në Shqipëri. Ky kompleks turistik u përurua në vitin 1998. Për shumë vite, ky resort turistik, i konceptuar me vila të vogla, ka qenë destinacioni më i frekuentuar në vend. Në vitin 2014, kompleksi u ble nga grupi Hysenbelliu Group. Pas një rikonstruksioni total të ambienteve të mëparshme dhe pas një rikonceptimi modern, Prestige Holiday Resort synon të jetë destinacioni turistik më i frekuentuar në rajon.
Hysenbelliu tha se në verën e vitit 2017, hoteli do të funksionojë me një kapacitet akomodues me 150 dhoma, me perspektivë zgjerimi në 700 dhoma. Synimi është për tërhequr turistët elitarë me paketa gjithëpërfshirëse. Teksa rikonstruksioni i hotelit është drejt fundit bashkë me një park të madh ujor, po diskutohet mënyra se si do të veprohet. Hysenbelliu thotë se gjasat janë që edhe menaxhimi i resortit të bëhet nga grupi i tij.
Edhe Vas Tours, një nga agjencitë më të mëdha në vend për turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, është duke ndërtuar një hotel në plazhin e Adriatikut, i cili do të operohet në kuadër të kërkesave në rritje për të pushuar vitin tjetër në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.