Hiqet limiti për borxhin publik, në vitin 2013 parashikohet të arrijë në rreth 9 miliardë dollarë, kurse buxheti do të jetë 4 miliardë dollarë. Bode i druhet fushatës elektorale, por qetëson me skenarët e rritjes
Prezantimi i buxhetit të shtetit krijoi eufori në opinionin publik, pasi u paraqit nga qeveria si më i madhi në histori. Parashikimet janë për një buxhet që arrin në 409 miliardë lekë (afro 4 miliardë dollarë), ku në raport me buxhetet faktike, pra ato të realizuara, është më i madhi, por në raport me atë çfarë ka miratuar më parë qeveria, është më i vogli i tre viteve të fundit.
Përvoja tregon se buxheti e nis vitin me një super faturë shpenzimesh të programuara, por e mbyll të shfryrë, me të paktën 10 deri në 15% më pak, si rrjedhojë e mungesës së të ardhurave sipas planit. Buxheti në vetvete fsheh rrezikun e rritjes së mëtejshme të borxhit publik. Në fakt, ndryshe nga herët e kaluara, Ministria e Financave pranon se rritja përtej kufirit ligjor me 2.6 pikë përqindje do t’i japë më shumë mundësi ekonomisë për likuiditete. Investimet do të jenë të larta, gati 71 miliardë lekë, ose 20 miliardë më shumë nga sa ishte planifikuar. Kjo solli edhe ndryshim programi, pasi deficiti buxhetor nuk do të jetë 3%, apo 2.5% sikurse ishte premtuar, por më shumë, rreth 3.4%, shumë pranë nivelit të 48 miliardë lekëve.
Të ardhurat parashikohen të jenë 360 miliardë lekë, me një rritje 5.7% në raport me këtë vit. Gjithsesi ky duket një parashikim më optimist në raport me vitet e tjera, kur qeveria prezantonte skenarë të rritjes së të ardhurave me mbi 10% dhe më pas gjatë vitit i rishikonte duke reduktuar buxhetin.
Borxhi do të prekë rekordin. Ai i afrohet shumës totale të 890 miliardë lekëve (9 miliardë dollarë), duke e çuar nga 60.04%, në fund të 2012-s (pritshmëria) në 62.6%, pra me një rritje të paktën 70 miliardë lekë. Ministri i Financave thotë se borxhin duhet ta rrisë për shkak të kreditimit të ulët nga bankat. “Duam të stimulojmë ekonominë dhe po marrim borxh vetëm për investime”, thotë Bode.
Pse po rritet borxhi
Në fund të shtatorit, stoku i borxhit ndaj PBB arriti në 59.78% nga i cili 33.56% është borxh i brendshëm dhe 26.22% është borxh i jashtëm. Ministria e Financave përmend disa faktorë që kanë sjellë këtë nivel borxhi, mbi 800 miliardë lekë, deri në shtator.
Zëri i rivlerësimit të valutave ka qenë një element i rëndësishëm i stokut të borxhit në vitet 2006-2009, duke arritur në nivelet 1,60% dhe 2,16% ndaj PBB-së. Në shumë absolute ky zë ishte 23,540 milionë lekë në vitin 2008 dhe 18,870 milionë lekë në vitin 2009, duke ulur mundësinë për huamarrje në këto vite. Shtesa në stok vjen pjesërisht si efekt i rritjes së stokut për shkak të disbursimeve dhe pjesërisht nga luhatjet e kurseve të këmbimit. “Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2012 kemi një shtesë prej rreth 22.9 miliardë lekësh në vlerësimin e stokut të borxhit të jashtëm, krahasuar me fundin e vitit 2011”, thotë Ministria e Financave. Efekti shtesë në stok, për shkak të disbursimeve është 19.2 miliardë lekë ose 1.41% e PBB-së, ndërsa shtesa e cila vjen si rezultat i luhatjeve të kurseve të këmbimit është 3.7 miliardë lekë ose 0.27% e PBB-së.
Zëri i riskedulimeve të borxhit të jashtëm ka ndikuar në shtesën e stokut të borxhit, si rezultat i përfshirjes së tyre në momentin e riskedulimit dhe më pas, edhe në shlyerjen e këtij borxhi. Në vitin 2012, përfshirja e riskedulimeve në stokun e borxhit vlerësohet në 1,2 miliardë lekë.
Sa do të bëhet
Për borxhin e brendshëm ka një gjendje në rritje të shpenzimeve për interesa, si rezultat i rritjes së peshës që zënë instrumentet afatgjatë në stokun e borxhit, por është parashikuar gjithashtu edhe rezerva për ndryshimet e strukturës së borxhit dhe financimit të tij. Në mënyrë më analitike nga analiza e interesave të borxhit të brendshëm rezulton se këto interesa rriten me rreth 1,8 miliardë lekë, me ndikimin më të madh të shtesës së obligacioneve, ndërsa bonot e thesarit rriten me 400 milionë lekë.
Shpenzimet për interesa të borxhit të jashtëm parashikohen me rritje, për arsye të parashikimeve në rritje të normës së interesit Euribor, si dhe shtesës së disbursimeve për implementimin e projekteve të huaja. Shpenzimet për principalin e borxhit të jashtëm janë parashikuar gjithashtu me rritje, si rezultat i parashikimeve për shlyerjen e tij, riskedulimin e borxhit të jashtëm dhe pagesave të garancive gjatë vitit 2013.
Në buxhetin e vitit 2013 janë planifikuar fonde edhe për shlyerjen e detyrimeve në kuadrin e garancive që ka lëshuar qeveria për kreditë e marra nga institucionet dhe qeveritë e huaja. Konkretisht për borxhin e jashtëm të garantuar janë përfshirë në buxhet 1,9 miliardë lekë për pagesat e principalit. Si përfundim, borxhi do të arrijë në rreth 895 miliardë lekë, me rritje rreth 70 miliardë lekë dhe me interesa që shkojnë në 60 miliardë lekë, ose gati 10 miliardë më shumë se viti 2012.
Ecuria e interesave 2012
Për sa u përket bonove të thesarit, interesat kanë shfaqur tendenca rritëse gjatë periudhës janar-qershor (segmenti i bonove 12-mujor) dhe më pas kanë ardhur duke u ulur në tre muajt në vazhdim, por përsëri duke qëndruar më ulët se sa mesatarja e normave të interesit të një viti më parë. Më konkretisht, bonot 3-mujore janë rritur nga muaji shkurt deri në maj me 22 pikë përqindje dhe më pas janë ulur sërish nga 5.30% në muajin maj në 5.08% në shtator. Normat e interesit të bonove të thesarit 6-mujore pothuajse kanë qëndruar të pandryshuara. Ato janë luhatur brenda intervalit 6.10-6.25%, duke pasur një mesatare prej 6.21% ose 38 pikë përqindje më pak se mesatarja e vitit 2011.
Ndërkohë normat e interesit të bonove 12-mujore kanë ardhur vazhdimisht duke u rritur që prej muajit janar deri në qershor, nga 7.09% ne 7.37%, ndërsa në tre muajt në vazhdim janë ulur në nivelin e 6.93% (në shtator), duke qëndruar në të njëjtin nivel me normën e fundit të vitit 2011. Vlen të përmendet fakti që mesatarja e normave të interesit për bonot e thesarit 12-mujore gjatë vitit 2012 (7.24%) qëndron në nivele më të ulëta se mesatarja e normave të vitit të kaluar (7.35%). (Normat e interesit janë të ponderuara).
Parashikimi
I nivelit të shpenzimeve për interesa është bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuar të normës së interesit në kushtet e një situate makroekonomike të qëndrueshme. Shpenzimet për këtë zë në vitin 2013 parashikohet të jenë në masën 3.6% e PBB-së
Synimet e buxhetit 2013!
Mbajtja e deficitit buxhetor, në nivelin 3.4% të PBB;
Rritja e diferencuar e pagave në masën 2-5% (arsim e shëndetësi 3-4%);
Rritja e diferencuar e pensioneve në masën 4% për qytetin dhe 5% për fshatin;
Mbajtja e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike në 5% të PBB-së
Bode:
Stimulim ekonomisë me borxh
“Kreditimi në banka ka rënë në 5% dhe nuk mund të presim rritje ekonomike gjatë 2013-s me këtë ritëm kreditimi. Prandaj mendojmë të ndërhyjmë me investime, duke rritur borxhin, por me qëllim stimulimin e ekonomisë, me 70 miliardë lekë. Nuk do të kemi investime të reja dhe do të likuidojmë të gjitha faturat”, u shpreh ministri i Financave në Kuvend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.