Banorët e Maqedonisë janë ndër të fundit në Europë sipas kohëzgjatjes së jetës aktive në punë.
Në shtetin tonë kjo zgjat 31 vjet, ndërsa mesatarja në vende të BE-së është 35.6 vite, tregojnë të dhënat e Eurostat – Shërbimi Europian për Statistika. Sipas këtyre statistikave, meshkujt në Maqedoni punojnë madje 13 vite më shumë se femrat, gjegjësisht jeta mesatare e punës së meshkujve zgjat 37.2, ndërsa ajo e femrave vetëm 24.4 vite.
Treguesi statistikor “kohëzgjatja e jetës aktive në punë” e mat numrin e viteve që një person në moshë mbi 15-vjeçare mund të presë të jetë aktiv në tregun e punës gjatë jetës së tij, qoftë i punësuar ose i papunë.
Sipas këtij treguesi, në vende të Europës, statistika dallon tre grupe kryesore të shteteve, plus nga një shtet që ndahet në secilën anë të spektrit, Islanda është e vetmuar në majë, ndërsa Turqia është në fund të listës.
Grupin e parë e përbëjnë shtetet me rand të ulët (me kohëzgjatje nën 35 vite) dhe në të përfshihen Belgjika, Luksemburgu, Italia, Malta, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Kroacia, Rumunia, Bullgaria, Maqedonia dhe Greqia.
Grupi i dytë përbëhet nga shtetet ku kohëzgjatja është nga 35 deri më 39.9 vite dhe në të jane Portugalia, Spanja, Qipro, Franca, Gjermania, Austria, Çekia, Irlanda, Britania e Madhe, Finlanda, Letonia, Lituania dhe Norvegjia.
Në grupin e tretë hyjnë Suedia, Danimarka, Holanda dhe Zvicra, të cilat kanë pritshmëri për 40 deri më 44.9 vite aktive në punë.
Në majë të listës, e pakontestueshme është Islanda me një mesatare prej 47.4 vite pune, ndërsa në skajin tjetër është Turqia me mesataren më të ulët prej 28.5 vite pune./monitor-mk