Por, mbizotëron turizmi patriotik, me shtetasit nga Kosova dhe Maqedonia që zinin 55% të totalit të hyrjeve të të huajve për 7 mujorin e parë të vitit….
Për periudhën janar-korrik kanë hyrë në Shqipëri 1.86 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej gati 18% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave nga Drejtoria Kufitare.
Shtetasit nga Kosova janë ata që mbajnë peshën kryesore në turizmin shqiptar. Për periudhën në fjalë, në Shqipëri kanë hyrë 730 mijë shtetas nga vendi fqinjë, me një rritje prej 16%, në raport me janar-korrikun 2013.
Rikthimi i maqedonasve
Disa vjet më parë u konstatua një dyndje e pushimeve të turistëve maqedonas në Shqipëri, teksa Greqia u “mbylli” dyert për shkak të konfliktit të emrit. Më pas, të zhgënjyer, numri i tyre filloi të binte. Por 2014-a ka shënuar sërish një rikthim të tyre. Statistikat tregojnë se për shtatë-mujorin, kanë hyrë në Shqipëri rreth 270 mijë maqedonas, 21% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rriten dhe italianët, grekët, gjermanët e turqit
Statistikat flasin për një rritje të numrit të të huajve që kanë hyrë në Shqipëri në periudhën në fjalë, nga të gjithë kombësitë. Kanë hyrë përkatësisht 35% më shumë grekë; 20% më shumë italianë; 13% janë rritur gjermanë dhe 32% turqit. Hyrjet e shtetasve të kombësive të tjera kanë qenë rreth 12% më të larta.
Megjithatë, turizmi patriotik vijon të mbizotërojë. 39% e të huajve të hyrë për 7 mujorin 2014 ishin nga Kosova, pothuajse e njëjta përqindje si një vit më parë. Të dytët renditen maqedonasit, me 15% të totalit.
Por, edhe shqiptarët udhëtojnë më shumë
Nuk janë vetëm të huajat ata që po i shtojnë udhëtimet e tyre në Shqipëri. Edhe shqiptarët kanë rritur daljet jashtë vendit. Sipas statistikave të Drejtorisë së Kufirit, janë regjistruar 2.1 milionë dalje të shtetasve shqiptarë, për periudhën janar-korrik 2014, 9% më shumë se shtatë-mujori i një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.