SHIFRAT: Shqipëria, një “pikë” në ekonominë e Ballkanit Perëndimor

13/07/2017 11:32 AM 0 komente

Bashkimi Europian po nxit me fortë rritjen e bashkëpunimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, ku hujnë pjesë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Bosnjë Hercegovina dhe Serbia . Në samitin e Triestes, fokusi u vu në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Ndonëse drejtuesit shqiptare po tentojnë të marrin rolin e liderit, madhësia ekonomike e Shqipërisë dhe renditja e saj pothuajse gjithnjë në fund për pjesën më të madhe të treguesve, vështirë se i japin vendin tonë avantazhin real që shumëkush do të donte.

Më poshtë po sjellin se si renditet Shqipëria në rajon në madhësinë ekonomike dhe disa indekse të tjera kryesore.

Madhësia ekonomike

Prodhimi i brendshëm bruto (nominal) i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 89 miliardë dollarë, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2017. Kjo shumë është më pak se 1% e totalit të prodhimit të Europës Perëndimore.

Brenda Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e treta (me 14%), pas Serbisë, që kryeson  me gati 42% të ekonomisë së këtij rajoni, dhe Bosnjës, me 19%.

Ndërsa madhësia relative lidhet me sipërfaqen dhe popullsinë, në një tjetër tregues, atë të të ardhurave për frymë, Shqipëria dhe Kosova renditen gjithnjë të fundit. Raporti i pak kohëve më parë i Komisionit Europian lidhur me të ardhurat për frymë dhe procesin e konvergjencës (rritja me ritme më të shpejta se mesatarja e Europës në mënyrë që të arrihet standardet europiane) na dha lajmin e keq se Shqipëria jo vetëm është larg, por ka performuar më keq se kolegët e tjerë të Ballkanit. Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas vendin tonë.

Rritjen më të madhe e shënuan Maqedonia dhe Turqia duke u zgjeruar përkatësisht me 4 dhe 11 pikë përqindje të ardhurat e tyre në katër vitet e fundit në raport me BE-në. Të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016 ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% në 2012-n.

Përmirësime me 3 pikë përqindje bëri edhe Bosnja (31%) dhe Mali i Zi (42%). Vetëm Serbia ka shënuar ulje me një pikë përqindje, në 36%, por sërish mbetet më lart se ne. Për herë të parë Shqipërisë ia kalo edhe Bosnja, shteti me probleme të mëdha etnike dhe burokratike.

Në vlerë absolute, Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2016 ishin rreth 4200 dollarë për frymë, sipas statistikave të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me këtë nivel, Shqipëria renditet e 106-a në botë, nga 190 shtete, për të cilat raportohen të dhënat e prodhimit të brendshëm nominal (të parregulluar me inflacionin) për frymë.

Më mirë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, paraqitet Mali i Zi rreth 6,600 dollarë (84), Serbia rreth 5,400 USD (vendi 92), Maqedonia rreth 5,700 USD (93) dhe Bosnjë dhe Hercegovina me 4,300 USD. Shqipëria vjen menjëherë pas Bosnjës (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Në treguesin e fundit “të bësh biznes”, të Bankës Botërore,  ndonëse Shqipëria shënoi përmirësim të ndjeshëm, duke u ngjitur me me 32 pozicione për t’u ngjitur në vendin e 58, ajo ka renditjen më të përkeqësuar në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Sipas tabelave të Bankës Botërore, më mirë nga gjithë rajoni paraqitet Maqedonia, e cila është renditur në vendin e 10 në botë për treguesin e të bërit biznes 2017, duke qenë e katërta në botë për nisjen e një biznesi, e 11-a për lejet e ndërtimit.  Serbia është në vendin e 47, edhe ky një shtet që po tërheq investime të huaja, sidomos në fushën e industrisë së pjesëve mbështetëse të automjeteve por edhe në sektorë të tjerë. Shteti tjetër fqinj, Mali i Zi është në vendin e 51. Pas Shqipërisë, që renditet e 58-a vjen menjëherë Kosova, që në renditjen e këtij viti është e 60-a. E fundit në rajon është Bosnjë-Hercegovina, që renditet në vendin e 81, nga 190 shtete në total.

Për eksportet, në raport me madhësinë e ekonomisë (Prodhimin e Brendshëm Bruto, PBB), Shqipëria ka performancën më negative. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri është rreth 27% e PBB-së, në Maqedoni është rreth 50% e PBB-së, në Serbi po rreth 50% e PBB-së, në Mal të Zi rreth 42% e PBB-së dhe në Bosnjë 35.1%. Shqipëria vijon të ketë avantazh kryesor shitjen e burimeve natyrore dhe kostos së lirë të fuqisë punëtore, duke e bërë vendin më pak konkurrues në produktet teknologjike, çka do e bënte atë më të brishtë në një bashkëpunim (konkurrencë) rajonale.

Jo më kot vendi ka treguesin më të përkeqësuar në Europë në Indeksin e Inovacionit Global për vitin 2017. Shqipëria ndodhet në vendin e 93, nga 127 shtete në renditje. Në këtë pozicion, Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë së informacionit, që ka mbetur kryesisht vetëm në kuadrin e promovimit të start-up, ndërsa shumë vende të rajonit janë kthyer ndërkohë në një ofrues të rëndësishëm të shërbimeve të teknologjisë së informacionit (IT) për të tretët dhe po përparojnë në industrinë automotive. Rajoni renditet shumë më mirë se ne, ku Mali i Zi kryeson në vendin e 48, Maqedonia është në pozicionin e 61, ndonëse me përkeqësim. Serbia është ngjitur në vendin e 62. Bosnja është në vend të 86.

BP1

BP2

BP3

BP4

BP5

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of